Një javë gjykim, dy dëshmitarë: Të gjitha seancat e mbyllura në Hagë - NACIONALE

Një javë gjykim, dy dëshmitarë: Të gjitha seancat e mbyllura në Hagë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka vazhduar gjatë javës që po lëmë pas gjykimi në Dhomat e Specializuara të Hagës. Megjithatë, publiku në Kosovës nuk ka parë e as dëgjuar ndonjë dëshmi nga dy dëshmitarët që u dëgjuan.

Me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve, përveç masave mbrojtëse, të gjitha seancat e mbajtura kanë qenë private. Pra, të mbyllura.

Të dy dëshmitarët e kësaj jave kanë qenë shqiptarë: njëri prej tyre ka dëshmuar për raportet mes UÇK-së e FARK-ut, kurse tjetri për zhdukjen e një personi të afërm të tij në Drenoc.

Por, cila është historia e këtyre dy dëshmitarëve?

Dëshmitarët 40 e 41 në Hagë nuk e thanë asnjë fjalë publikisht. Megjithatë, përmbledhjen e historisë së tyre e lexuan prokurorët.

“Dëshmitari 40 ka shërbyer në Zonën e Dukagjinit rreth mesit 1998 dhe jep informacion sa i takon strukturës dhe marrëdhënies mes forcave të UÇK-së dhe Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës FARK. FARK-u dhe njësi të caktuara në dhe përreth zonës së Dukagjinit kanë respektuar vetëm autoritetin e Qeverisë së Kosovës që është njohur si qeveria në ekzil”, tha fillimisht prokurori.

Çfarë dëshmoi dëshmitari 40?

“Në takime ndërmjet FARK-ut dhe anëtarëve të UÇK-së rreth fundit të gushtit 1998 dhe fillimit të shtatorit 1998, anëtarë të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së duke përfshirë Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Bislim Zyrapin, kanë vendosur autoritetin e shtabit të UÇK-së mbi Forcat e zonës operative të Dukagjinit. Sipas dëshmitarit, Thaçi ishte nënpunësi, ose ishte personi më i lartë i UÇK-së në këto takime”, tha prokurori më tutje.

“Dëshmitari jep informacion sa i takon strukturës dhe organizimit të njësive të caktuara të UÇK-së dhe FARK-ut në Shqipëri në fund të viteve 1998 dhe 1999. Rreth marsit 1999 dëshmitari ka gjetur një dokument që supozohet që është nxjerrë nga Azem Syla e Jakup Krasniqi në një bazë në Shqipëri. Dokumenti tregon autoritetin e Shtabit dhe mohon autoritetin e qeverisë në ekzil. Dëshmitari jep informacion rreth trajtimit të UÇK-së të personave oponentë, përfshirë këtu edhe anëtarët e FARK-ut, dhe bashkëpunëtorët e pretenduar në zonën e Dukagjinit dhe në zona të ndryshme në Shqipëri”, përfundoi përmbledhja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në Hagë dëshmoi edhe dëshmitari 41, raporton Nacionale.

Dëshmitari sipas përmbledhjes së lexuar nga Prokuroria, është i afërm i një personi që është vrarë e zhdukur në Drenoc.

“Është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë e zhdukur nga Drenoci. Dëshmitari përshkruan veprimtaritë e viktimës para se të zhdukej. Herën e fundit që e ka parë, dhe përpjekjet për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur këtij personi. Për shkak të natyrës që kemi dhe masat mbrojtëse”, tha prokurori.

Mbyllja e seancave dhe mungesa e transparencës në proceset gjyqësore në Hagë, është kritikuar në vazhdimësi. Gjykata Speciale këtë e ka arsyetuar me mbrojtjen e dëshmitarëve, kurse ekspertët e juristët kanë vlerësuar se me mbylljen e seancave, mund të ketë mungesë besimi të qytetarëve në vendimin përfundimtar.

Krerët e UÇK-së janë arrestuar e po mbahen në paraburgim që nga muaji nëntor i vitit 2020.

Lajme të ngjashme