Ngrihet aktakuza ndaj vëllait të Butës për vrasjen e "Strellës": Krejt çka kishte ndodhur në rastin tronditës - NACIONALE

Ngrihet aktakuza ndaj vëllait të Butës për vrasjen e "Strellës": Krejt çka kishte ndodhur në rastin tronditës

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Më 28 maj të këtij viti, Gazmend Hyseni u privua nga jeta. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është vëllai i reperit Buta, Qëndrim Januzi a.k.a "Rifa" - krejt çka ka ndodhur.

Sot, e martë (13 dhjetor, 2022), Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurit Qëndrim Januzi, i cili deri tash kishte qenë i mbajtur në masën e paraburgimit nën akuzat për vepran penale "vrasje e rëndë".

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Januzi, natën e 28 majit, kishte privuar nga jeta Gazmend Hysenin, i njohur gjërësisht në komunitetin ferizajas si "Strella".

Ngjarja kishte ndodhur në rrugën "Rexhep Bislimi" në Ferizaj, derisa Prokuroria aludon në një mosmarrëveshje për një veturë të vëllait të Januzit, domethënë Butës, si shkaktar për ngjarjen.

@onlinecccash

Vrasja e strelles live

♬ original sound - Cc/shop

“Pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën​ i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç ‘rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri, të tipit ‘SAUER model 38 H’ e kalibrit 7.65mm dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ka vdekur ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Krejt çka kishte ndodhur - prej A deri në Zh

Gjithçka u duk se nisi nga një miqësi që shkoi keq, për të eskaluar në ofendime në rrjetet sociale, deri te rrahjet e therrjet për t'u mbyllur në rrethana tragjike me humbjen e jetës së një individi.

Vëllai i Butës, Januzi dyshohet të jetë dorasi në vrasjen e "Strellës", në rrethana që tronditën audiencën muaj më parë.

Dëshmitarë të rastit kishin thënë për gazetën Nacionale se incidentet zinxhirore kishin nisur si pasojë e konflikteve mes reperëve. Vrasja, e cila u krye rreth orës 01:00 në mëngjesin e 28 majit, dyshohet se u parapri nga një rrahje disa orë më parë.

“Ka ndodh therrja e 'Rifës' (vëllait të Butës) edhe pas koncertit që e ka pas Buta mbramë, 'Strella' i paska prit te banesa. 'Rifa' i ka thanë Butës shko ti n’banesë unë veç po e parkoj kerrin edhe ka dalë tani me 'Strellën' (Gazmend Hysenin) u taku edhe ka ndodh vrasja”, kishte treguar një dëshmitar ekskluzivisht për gazetën Nacionale.

Burime të tjera i kishin treguar Nacionales se deri vonë, dy të përfshirët në këtë tragjedi kishin qenë miq të afërt. Madje, viktima "Strella", besohet t'i ketë dalë në mbrojtje Butës gjatë problemeve të këtij të fundit me reperë të tjerë.

Dëshmitarë të ndryshëm kanë aluduar se "Strella" madje kishte therrë reperin Mozzik nga prapa, pasi ky i kishte bërë "diss" Butës në këngën e vitit 2017, "Kuks".

“Strella (Gazmend Hyseni, viktima), e kishte kërcënuar para disa ditëve me vrasje Butën. Më saktë, para dy ditëve”, ka thënë dëshmitari për Nacionalen.

“Mbrëmë ia ka dhanë 7 plumba (6 plumba sipas aktakuzës së Prokurorisë)”, tregon më tutje ai.

“'Rifa' (Qëndrim Januzi) është i plagosur në krahë. Dy herë ka gju policia në drejtim të tij”, kishte thënë një dëshmitar i rastit për Nacionalen.

Problemet mes këtyre personave, kishin kulmuar edhe në muajin prill me një incident. Vetura e Butës ishte djegur, e i dyshuar kryesor ishte viktima e ndjerë, Gazmend Hyseni.

Nacionale ka siguruar edhe pamjet kur ishte djegur vetura e Butës.

Vetura e reperit Buta ishte djegur në muajin prill. I dyshuar kishte qenë Hyseni, i cili u vra nga Januzi.

Nga të shtënat e një polici civil që kishte qëlluar rastësisht në vend të ngjarjes, Januzi ishte arrestuar në vend, pasi paraprakisht ishte plagosur nga të shtënat. Pastaj, i dyshuari është dërguar në spital ku është operuar.

“Personi i dyshuar ka tentuar me ik, aty ka rastis polici në rroba civile, i cili ka qenë duke e transportuar një të dyshuar tjetër në Gjilan. Ai është prezantuar si polic që me u ndal i dyshuari, ai nuk është ndalë. Është rrezikuar edhe polici nga ana e të dyshuarit, dhe është detyruar me shti, e ka godit njëherë në nofull”, kishte deklaruar atëbotë Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari.

Prej lirimit nga spitali e deri tani, Januzi ka qëndruar në paraburgim, derisa dënimi për veprën penale "vrasje e rëndë" minimalisht është 10 vite, ndërsa burgim i përjetshëm është dënimi maksimal që mund të shqiptohet.

Lajme të ngjashme