Nga Vjosa Osmani e Albin Kurti, deri te Hashim Thaçi e Rugova: Çfarë po deklaron Gjergj Dedaj në Hagë?
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, e ka filluar sot dëshminë e tij në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai po merret në pyetje për rastin e ndalimit të mbi 10 deputetëve të LDK-së gjatë një vizite në Qirez.
Dedaj fillimisht ka treguar se si është shkarkuar nga presidentja Osmani prej postit të ambasadorit, raporton Nacionale.
“Gjatë luftës në radhë të parë kam qenë organizator i të gjitha demonstratave kundër kriminelit e kasapit të Ballkanit, Millosheviq, kam organizuar në Prishtinë 60 demostrata. Me sensibilizu popullin e Kosovës, me u solidarizu me UÇK-në, me i bërë thirrje NATO-s me u solidarizu me popullin e Kosovës. Në vitin 1998 kemi mbajtur një palë zgjedhje që kanë qenë të diskutueshme, që vetëm të kemi adres me pas me kënd me bisedu. Partia Liberale në ato zgjedhje ka fituar 6 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe jam zgjedhur njëri nga nënkryetarët. Në vitin 2004 kam fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, kam qenë zv/ministër në disa dikastere, zv/ministër i jashtëm, dhe së fundmi kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm dhe brutalisht nga e ashtuquajtura presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj”, tha Dedaj në seancën e sotme.
Dedaj më pas ka treguar si ka ardhur deri te vendimi për realizimin e vizitave.
“Pas një bisede me presidentin historik dr.Ibrahim Rugova kemi biseduar që do të ishte mirë që udhëheqja e Prishtinës zyrtare që rri në Prishtinë dhe nuk e përjetonim mbi supe tona luftën, të shkojmë e të vizitojmë zonat e luftës për të bindur drejtpërdrejt për situatën e popullatës civile të cilën nuk mund ta përshkruajë nëse rri një muaj, e as nuk mund ta besoni jo. Vizitën e parë e kemi bërë më 29 gusht, pastaj me vizita të tjera në Malishevë, Bllacë e Gucat, e Bellanicë. Vizitën e katërt e kemi bërë në drejtim të Drenicës”, deklaroi Dedaj.
Sipas tij, ka pasur dezinformata të LDK-së kundër UÇK-së.
“Ka pasur mos-koordinim, mos-informim dhe flas për udhëheqjen politike në Prishtinë. E kanë shikuar me dro me shqetësim shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, doli që e bëri realitet lirinë e Kosovës. Ka pasur individ edhe brenda partive që kanë bërë dezinformata kundër UÇK-së dhe personalisht kam pasur dëshirë të shkojë në ato zona. Kjo për çka po flasim nuk shpjegohet në përgjigje të shkurtra, sepse duke folur shkurt kemi ardhur në situatë ku nuk do të duhej të vinim”, tha ai.
Dedaj e lavdëroi Thaçin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“UÇK-ja nga shfaqja e saj publike për herën e parë më 28 nëntor 1997 filloi të rritej e të ketë respekt në Kosovë. E kemi shikuar me xhelozi. Ka pasur mos-kuptime, mos-koordinim. Rugova është themelues i platformës së shtetit të Kosovës, kurse lideri i mëvonshëm Hashim Thaçi e ka përmbyllur procesin e pavarësisë së Kosovës”, theksoi Dedaj.
Dedaj e përmendi pak edhe Albin Kurtin, kur u përgjigj nëse kanë marrë leje nga zyra e UÇK-së për ta realizuar vizitën në Qirez.
“Në Prishtinë ka qenë një zyrë e drejtuar nga Adem Demaçi aty ka qenë përkthyes apo notar Albin Kurti, kryeministri i tashëm, dhe me thanë të drejtën nuk e kemi njoftuar atë zyrë, nuk e kemi parë të arsyeshme që deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndoshta ka qenë gabim i yni, por ata nuk kanë qenë në dijeni që do të shkonim në Qirez”, tha më tutje Dedaj në seancë.
Ai tregoi se cilat deklarata të tij kanë qenë të sakta e të vërteta, duke e përshkruar edhe komplet situatën.
“Të vërtetat i kam thënë atë ditë 2 orë pas ngjarjes, dhe në intervistë për Zërin e Amerikës. Të tjerat i kam thënë gjatë varrimeve të familjarëve, nën afekt, dhe në letrën që ua kam dërguar para 1 viti kam thënë se ato që kam thënë kanë qenë të ekzagjeruara”, tha ai.
“Na i ka mbledh letërnjoftimet, ka urdhëruar që zonjat anëtare të delegacionit, shoferët, gazetarët që na shoqërnonin të kthehen në Prishtinë, derisa ne kemi mbetur 13 deputetë dhe anëtarë të partive të ndryshme. Neve nuk na dhanë letërnjoftimet, na thanë se me ju kemi pak biseda, duhet të vonoheni pak, duhet të ndaleni pak. Kanë ardhur makinat dhe na kanë drejtuar në drejtim të panjohur, derisa e kam mësuar se kemi mbërri në Baicë”, deklaroi Gjergj Dedaj.
Madje, Dedaj tha se nuk ka qenë normal kur ka thënë të gjitha deklaratat pas luftës.
“Më kanë marrë në pyetje kur unë kam pritur kufoma, familjarë. Konsideroj se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. 90% të deklaratave të deklaratave paslufte nuk kam qenë normal, në gjendje me i thënë të vërteta. Jam i gatshëm me u ballafaqu me çdo gjë. Edhe sot jam kufomë pa asnjë vlerë. Nuk e di pse jam gjallë. Asnjëherë nuk do ta njollosë ushtrinë titanike, epike, ndër më të pastrat, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, theksoi Gjergj Dedaj.
“Po them sepse ka pasur të drejtë. Nuk kam dhënë deklaratë nën betim në Prishtinë, ato deklarata kanë qenë bazuar në gjendjen time abnormale”, tha ai më tutje.
Kur u pyet se cilat ishin veprimet e pjesëtarëve që i ndaluan, Dedaj tha se asgjë për të cilën ai do të duhej të dëshmonte.
“Asgjë për të cilën do të duhej të isha këtu, në fakt unë do të duhej të isha në anën e atyre burrave, çlirimtarëve. Por faji është te mediat, te shërbimet sekrete serbe. Aty jemi shty, jemi fjalosur, kemi bërë polemika, sikur shtyhen në Parlament, dhe ka marrë fund brenda një minuti. Ju nuk i keni dënu serbët, nuk i keni dënu kriminelët për Mejën, për gratë e dhunuara. Mu duhet me më thirr vetëm për serbët. Nuk kam pasur probleme kurrë me UÇK-në”, deklaroi Gjergj Dedaj.
Dëshmia e tij po vazhdon edhe më tutje.

