Ndodhi speciale në Hagë: Më shumë kohë për marrjen në pyetje të dëshmitarëve shpenzuan gjyqtarët, se avokatët
Konferenca e djeshme për ecurinë e çështjes në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë, shpalosi shumë të dhëna interesante që ndërlidhen me procesin gjyqësor.
Njëra prej tyre ishte një deklaratë nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson. Ky i fundit bëri të ditur se sipas matjeve, më shumë kohë për të intervistuar dëshmitarët kanë shfrytëzuar gjyqtarët, se mbrojtja e Veselit.
Ai kërkoi që edhe gjyqtarët ta bëjnë kursimin e kohës.
“Dhe ne e kemi kuptuar kështu që ju ia kishit bërë të qartë Prokurorisë sepse vetëm 2 vjet kishin në dispozicion, dhe tani i vihet përgjegjësia mbrojtjes, dhe jemi në situatë ku ky parashikim nuk do të respektohet kurrsesi. Qoftë për faj të mbrojtjes, apo prokurorisë, apo të dyja palëve. Fakti është që mbrojtja e Veselit ka kërkuar vetëm 43 orë e 33 minuta për kundërpyetjet. Trupi gjykues ka përdorur 44 orë e 36 minuta”, tha Emmerson, raporton Nacionale.
Siç theksoi avokatja tjetër e Veselit, Ann Rowan, gjyqtarët po nxjerrin pyetje që që nuk parashikohen nga mbrojtja.
”Trupi gjykues tani merr një kohë të konsiderueshme, që është më shumë se koha që duan të gjitha ekipet e mbrojtjes së bashku. Çfarë ndodhë me pyetjet e gjykatësve është që shpesh trupi gjykues zbulon aspekte të reja, të cilat si ka përdorur Prokuroria tek provat e veta”.
”Trupi gjykues nxjerr dëshmi që nuk janë specifikuar përpara nga Prokuroria, dhe gjithashtu bëjnë pyetje në lidhje me aspektet që s’i ka parashikuar as mbrojtja në pyetjet e veta. Dhe ne jemi krejt të papërgatitur dhe kjo më pas ndikon tek koha që na nevojitet ne për të bërë pyetjet, në bazë të pyetjeve të gjykatësve”, tha ajo.
Kjo bëri që më pas të ketë edhe një përplasje ndërmjet avokatit Emmerson e kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith.
Avokat i Kadri Veselit është ‘kapur’ me kryegjyqtarin Smith lidhur me faktin se gjykimi po stërzgjatet, raporton Nacionale.
Ben Emmerson ka kërkuar që të shkurtohet koha, pasi kanë mbetur edhe 101 dëshmitarë për t’u ftuar.
“Ky gjykim duhet të kryhet në afat të arsyeshëm. Nuk mund të fajësoni mbrojtjen për fajin e Prokurorisë e cila e ka barrën e provës”, tha Emmerson.
“Nuk mund ta gjuani fajin tjetër kund”, ia ktheu gjyqtari Smith.
“Unë nuk po ofendoj njeri”, tha Emmerson.
“Unë thashë që po e fyeni Prokurorinë. Sa herë që ngriheni e merrni fjalën. A e ndalim me kaq”, ia ktheu Smith.
Në këtë seancë, fjalim ka mbajtur edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Duke u ndërlidhur me deklaratat në seancën e sotme, Veseli ka kërkuar që procesi të jetë i drejtë, transparent, dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Do të jem i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë me juve për faktin se është në interesin publik. Çështja e parë ka të bëj me kohëzgjatjen e këtij procesi, që nga dita e parë kur jemi futur në këtë sallë, Prokuroria ka kërkuar në mënyrë transparente 545 orë. Prej ditës së parë, faktikisht, secili e kemi ditur se 545 orë me procesin që do ta zhvillojmë në këtë sallë, do të kalonin 3 vjet ose 4 vjet, edhe nëse fare asnjë pyetje nuk do të bënte as mbrojtja e as ju si trup gjykues”, tha Kadri Veseli, raporton Nacionale.
“Nuk dua të paragjykoj, por dua të them se: besoj është në interes të publikut, jo vetëm tonin, që dikush duhet të merr përgjegjësinë e vendimmarrjes, që ky proces para popullit të Kosovës të jetë jo vetëm fer, jo vetëm transparent, jo vetëm të respektojë procedurat e Kushtetutën e Kosovës, por edhe të ruajë dhe garantojë një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, tha Veseli më tutje.
Ai kërkoi të mos cenohet besimi i qytetarëve të Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare.
“Unë si njëri nga të akuzuarit, i nderuuar, frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime, nuk ka të bëjë me fatin tonë individual, por me një mesazh që do ta dërgojmë te populli i Kosovës i cili e ka krijuar, me vetëdije të plotë, por edhe me besim këtë gjykatë, tek ju si partner tanë ndërkombëtarë, dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të cenohet besimi që ka shtetin ligjor dhe drejtësinë ndërkombëtare”, tha Veseli.
Veseli komentoi edhe përplasjet e ashpra që po shfaqen ndërmjet kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, me avokatin Ben Emmerson.
“Është edhe një çështjet tjetër që ka të bëjë me mua si të akuzuar dhe me avokatin tim: i nderuar trupi gjykues, po e shoh një komunikim që nuk është normal e joprofesional. Nuk po paragjykoj, por si i akuzuar kam drej të jap mesazh: nuk do të doja që në gjera që janë jashtë realitetit tim të ndikohet e pararagjykohet, sepse ka një mospërmbajtje në adresimet e avokatit tim”, tha Kadri Veseli.