Nagip Krasniqit i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj - NACIONALE

Nagip Krasniqit i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, Nagip Krasniqit, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilin Korporata Energjetike e Kosovës e suspendoi nga puna.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjykata me datë 19 (të premten), ia ka vazhduar masën e paraburgimit për dy muaj. Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit”, tha Gashi.

Dyshimet e Prokurorisë për Krasniqin

Prokuroria Speciale kur njoftoi se po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, përmendi edhe dyshimet për krimet e kryera nga ky i fundit.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se Krasniqi dyshohet për tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, “ushtrim i ndikimit” dhe “konflikt i interesit”.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.” – është bërë e ditur në njoftimin për media.

Kryeministri i del në mbrojtje

Në adresimin e tij, kryeministri ka mbrojtur drejtorin e KEK-ut i cili dje është arrestuar nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kurti në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka pretenduar se opozita i është gëzuar arrestimit të drejtorit të kësaj korporate.

Në anën tjetër është fakt se dje pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi. Por, ky është fakti i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë se ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur keqpërdorim marramendës që asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi drejtësisë.” - ka thënë Kurti.

Ndërkohë, kryeministri shfyrtëzoi rastin që ta sulmojë kryeprokurorin Isufaj, duke i përmendur disa raste të hetimit.

“Unë nuk kam dyshim që në prokurorinë e shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe kjo lidhet më shumë se askë tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Një prokuror i njohur në skenën publike i cili rastin e vrasjes së Dino Hasanajt e karakterizoi në vetëvrasje.” - ka deklaruar Kurti në Kuvend.

LDK: Krasniqi e Martin Berishaj, dy sokë të Kurtit në llupën e drejtësisë

Koodinatori i departamentit të energjisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka mbajtur një konferencë për media gjatë ditës së sotme, pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Azemi para gazetarëve ka deklaruar se kryeshefi i KEK-ut, shërbente si drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ky arrestim vjen pas gati dy viteve të Nagip Krasniqit në krye të kësaj ndërmarrjeje, që janë dy vite të Kosovës të thelluar në krizë energjetike dhe dyshimeve të parreshtura për keqpërdorime e abuzime në sektorin e energjisë. Sipas raportimeve ne medie, ai sot po hetohet për tenderin në vlerë 3.4 milion euro që ia dha një biznesi pas një negocimi për vetëm 6 ditë. Për më tepër, njeriu i Kurtit, Nagip Krasniqi përflitet që kishte qëndruar në një vizitë në Zagreb me Martin Berishaj në 2022 së bashku me një tregtar të energjisë elektrike që ngrite dyshime për marrëveshje të tregtimit të energjisë elektrike.” – ka thënë ai.

Tutje, Azemi ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të dyshuar po ashtu në një aferë korruptive që lidhet me sektorin e energjisë.

“Pra, me Martinin mikun e Kurtit, emri i të cilit prej muajsh po lakohet edhe në mediat e rajonit për një aferë korruptive që lidhet me sektorin e energjisë e për transaksione milionëshe të dyshimta. Janë dy njerëz të Albin Kurtit që përfliten, dyshohen e hetohen për raste korruptive e për dëmtimin e buxhetit të Kosovës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin. E Qeveria vazhdon t’i mbrojë këta dy, përderisa vazhdon t’i sulmoj institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës. Pra, gjatë këtyre dy viteve kjo Qeveri përveç që ka treguar që është plotësisht e paaftë të menaxhojë, ata janë duke i shkaktuar Kosovës dëme milionëshe siç janë rastet: - vendimi për t’i nda 100 milionë euro për t’i mbuluar shpenzimet e konsumatorëve në Veri. “ – tha ai.

Zyrtari i LDK-së ka deklaruar se këto veprime e “mosveprime” janë të përshtatura për mafinë energjetike, derisa shtoi se dy shokë të kryeministrit sot janë nën llupën e drejtësisë.

Lajme të ngjashme