Mungesë e transparencës dhe dyshime për punësime familjare në konkursin e Prokurorisë për zyrtar ligjor
Një konkurs për t’u punësuar në Prokuroritë e Kosovës ishte shpallur më 22 gusht të këtij viti. Për 23 pozita që planifikohej të pranoheshin, kishin aplikuar qindra-mijëra juristë kosovarë. Megjithatë, procesi u vlerësua se ka pasur probleme me transparencën, e të punësuar kanë rastisur të jenë disa familjarë të prokurorëve ose zyrtarëve të lartë të sistemit prokurorial. Nacionale sjell detaje.
Kushdo që kishte mësyrë të aplikojë për pozitën e Zyrtarit Ligjor të shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk ka mbetur fort i kënaqur me procedurën e rekrutimit. Mungesa e transparencës gjatë procesit, ka qenë një nga kritikat e forta që kanë drejtuar aplikuesit.
Në disa informacione që burimet anonime ia kanë përcjellur gazetës Nacionale, disa aplikues janë ankuar që pothuajse në asnjë fazë të testimit, kandidatët nuk dihen se sa pikë kanë grumbulluar. Qoftë gjatë testimit me shkrim apo me gojë.
Në një fazë të testimit, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte njoftuar vetëm për aplikantët që janë futur në listat e ngushta, por pa u specifikuar pikët. Për 23 pozita për Zyrtar Ligjor në Prokuroritë Themelore e atë Speciale, kishin aplikuar mijëra persona.
Në një njoftim të publikuar nga Këshilli, thuhej se procedurat për të përzgjedhur kandidatët shtyhen, për shkak të numrit të madh të aplikimeve. Megjithatë emrat e tyre me pikët që kanë marrë përgjatë procedurave të testimit, nuk janë bërë publike. Ndryshe nga si bën Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që publikon emrat dhe pikët nga secila fazë e testimit.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Këshillit Prokurorial për të kuptuar pse nuk i publikojnë rezultatet e sakta, megjithatë ata nuk kanë kthyer përgjigje për 3 ditë me radhë. Nacionale ka mësuar se pikët iu ofrohen vetëm kandidatëve që shprehin interesim nëpërmjet një kërkese.
Dyshime për punësime familjare
Edhe në këtë konkurs, aplikantë e burime të ndryshme kanë ngritur alarmin se ka pasur punësime familjare. Më saktësisht nëpër disa pozita, janë familjarë të prokurorëve ose zyrtarëve të lartë të sistemit prokurorial.
Një faqe në facebook me emrin ‘Studentët e së drejtës’ ka publikuar disa lidhje familjare të të pranuarve, e të cilat janë konfirmuar në disa raste edhe nga vetë zyrtarët e sistemit.
Bleona Qalaj është vajza e prokurorit Agron Qalaj. Ajo figuron si e dyta në listën e të pranuarve në punë si Zyrtar Ligjor në Prokurorinë e Prishtinës. Prokurori ka konfirmuar lidhjen familjare me Bleonën, por që ka thënë se nuk ka ndikuar në punësimin e saj.
“Unë as që jam afruar. Vajza shyqyr Zotit që është e zonja vetë dhe është pranuar. Kurdo është e gatshme të hyjë sërish në provim”, kishte thënë Qalaj përmes telefonit për Klan Kosovën.
Pikërisht në Prokurorinë e Prishtinës është pranuar edhe Egzona Mehmeti. Ajo madje kryeson listën e kandidatëve që janë pranuar si Zyrtar Ligjor. Jozyrtarisht raportohet se e punësuara Mehmeti, është kunata e Lindita Mehmetit, administratore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Dyshime për punësime familjare ka pasur edhe në Prokurorinë e Gjilanit. E punësuar si Zyrtare Ligjore është edhe Fatbardha Salihu. Nacionale ka mësuar se Fatbardha është vajza e Sadullah Salihut, qëpunon në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.
Edhe për këto dyshime rreth punësimeve familjare, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në interesimin e gazetës Nacionale. Kjo pavarësisht pritjes disa-ditore.
Konkursi për Zyrtar Ligjor nëpër Prokuroritë e Kosovës ishte hapur më 22 gusht dhe ishte mbyllur më 5 shtator.
Tre zyrtarë ligjor u pranuan në Prokurorinë Speciale të Kosovës, 8 në Prokurorinë e Prishtinës, 3 në Mitrovicë, 3 në Gjilan, 3 në Pejë, dhe nga një zyrtar u pranua në Prizren, Gjakovë dhe Ferizaj.