Mbishkrimet “Wagner” në veri: Nisin hetimet nga Prokuroria - NACIONALE

Mbishkrimet “Wagner” në veri: Nisin hetimet nga Prokuroria

1 vit më parë

nga Besian Beha

Pjesa veriore e Kosovës është zgjuar sot me parullat e mbishkrimet me emrin e grupit të mercenarëve rusë “Wanger”. Për këtë çështje, Prokuroria Themelore në Mitrovicë tashmë ka nisur hetimet.

Vepra penale e cila është kryer në këtë rast, dyshohet të jetë “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

“Ju njoftojmë se është njoftuar prokurori kujdestar, ka udhëzuar policinë për grumbullimin e informatave dhe zbulimin e kryesve, tani për tani në drejtim të veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për gazetën Nacionale.

Aktivizohet policia, nis hetimet për mbishkrimet “Wagner” në veri – Lajmi.net

Në raportin 24-orësh, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbishkrimet “Wagner” janë shfaqur në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan.

“Është raportuar se në mure të objekteve nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime me ngjyrë të kuqe "WAGNER". Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Është raportuar se në në tabelat e komunikacionit nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime "WAGNER". Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Vazhdimisht është raportuar se në pjesën veriore kanë qëndruar anëtarë të grupit “Wagner”, të cilët kanë qenë edhe nëpër barrikada kur ato ishin vendosur ditë më parë.

Kush është grupi “Wagner”?

Televizioni britanik BBC-së ka bërë një hulumtim rreth themelimit të këtij grupi. Sipas hulumtimit, grupi famëkeq, që dyshohet për lidhje të ngushta me Putnin, është themeluar në vitin 2014 për të mbështetur separatistët pro-rusë në Ukrainën Lindore.

Wagner mendohet se e ka themeluar një ish-oficeri i ushtrisë ruse, 51-vjeçari i quajtur Dmitri Utkin. Ai është një veteran i luftërave çeçene, një ish-oficer i forcave speciale dhe një nënkolonel i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse.

Aksionet e para, sipas hulumtimit të BBC-së, grupi i ka kryer gjatë aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Pjesëtarët e këtij grupi mercenarësh kishin luftuar që në ditët e para të pushtimit në rajonet e Luhanskut dhe Donetskut.

ShBA dhe disa vende evropiane kanë bërë me dije se ata financohen nga Yevgeny Prigozhin, një biznesmen i fuqishëm i lidhur ngushtë me Vladimir Putin, i cili është nën sanksionet perëndimore. Megjithatë, Prigozhin ka mohuar çdo lidhje me grupin.

Që nga krijimi, grupi ka luajtur një rol të rëndësishëm duke luftuar përkrah ushtrisë ruse në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad në Siri dhe është parë në disa vende afrikane – vende ku Rusia ka interesa strategjike dhe ekonomike. Wagner është akuzuar vazhdimisht për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Pavarësisht shtrirjes së tij globale, shumica e punëve të brendshme për grupin ka mbetur sekret për botën e jashtme.

Si grup, në letër, Wagner nuk ekziston, nuk është gjetur asnjëherë asnjë regjistrim i kompanisë, deklarata tatimore apo grafik organizativ. Ndërkohë që, udhëheqja e lartë e Rusisë, përfshirë Vladimir Putin, ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo lidhje midis shtetit rus dhe grupit famëkeq Wagner.

Deklaratat e Kurtit për “Wagner”

Kryeministri Kurti e presidentja Osmani, vazhdimisht kanë shfaqur kritika se anëtarë të këtij grupi famëkeq, qëndrojnë prapa tensioneve në Kosovë.

Gjatë një interviste për emisionin “Rubikon”, e para e vendit ka thënë se presidenti serb është duke bashkëpunuar me këtë grup për ta destabilizuar Kosovën.

“Veprimet e tij të fundit, politikat e tij nëpërmjet së cilave nuk bashkëpunon vetëm me Kremlinin zyrtar, por edhe me njësi paramilitare terroriste siç është Wagneri dhe i shfrytëzon ato për të despabiluzuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Pastaj, pas këtyre 3 shteteve ka synime edhe më shumë”, ka thënë presidentja Osmani.

Kur u pyet nga gazetari Adriatik Kelmendi nëse ka fakte se ky grup ka qenë i përfshirë në veri, ajo nuk dha detaje.

“Nuk do të hyja më në detaje sa i përket informatave që janë të klasifikuara. Megjithatë, rreziku ditëve të fundit ka qenë shumë më i madh se sa në çdo përudhë tjetër që e kemi parë”, është shprehur Osmani.

Edhe kryeministri Albin Kurti ka shprehur dyshime të fora për përfshirjen e këtij njësiti në situatën e fundit në veri të vendit.

Në intervistën e tij për fundit dhënë “Kosovapress”, Kurti ka deklaruar pjesëtarët e Wagner-it ose ishin prezent në barrikada, ose kishin lidhje direkte me grupet që qëndronin në barrikada.

“Ne i kemi dhënë më shumë kohë KFOR-it, pasi nga informacionet që merrnim u bë e qartë se në veri të Kosovës filluan të qarkullonin njerëzit, që ose ishin drejtpërdrejt të inkuadruar ose kishin lidhje me mercenarët e Ëagner-it, pastaj me formacionet paramilitare ‘Ujqërit e Natës’ dhe të njëjtën kohë ata përdornin taktika që përngjajnë ato të vitit 2014 në Ukrainë”, ka thënë Kurti.

Për pjesëmarrjen e anëtarëve të këtij grupi në tensionet e fundit në veri, nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar nga institucionet e sigurisë apo drejtësisë në Kosovë.

Lajme të ngjashme