“Masat e Policisë së Kosovës nuk mjaftojnë”: Çka thuhet në vendimin e Apelit që refuzoi lirimin me kusht për Veselin, Krasniqin e Selimin?
Gjykata e Apelit me seli në Hagë, ngjashëm si ajo në shkallë të parë, ka rrëzuar ankesën e Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, për lirim nga paraburgimi. Si rezultat, të tre do të vazhdojnë të mbeten pa asnjë shansë për lirim me kusht, pavarësisht se të gjithë dëshmitarët e Prokurorisë kanë përfunduar.
Paneli i Apelit ka evidentuar se në shkallën e parë nuk ka pasur asnjë gabim, dhe si rezultat, refuzimi i lirimit me kusht ka mbetur në fuqi, raporton Nacionale.
Ndër pikat më të rëndësishme në këtë vendim, ishte garancia që ka dhënë Policia e Kosovës për masat që mund t’i mbikëqyrë lidhur me zbatimin e arrestit shtëpiak. Edhe Apeli, sikur vendimi i parë, gjeti se masat e ofruara nga Policia e Kosovës janë të pamjaftueshme. Arsyetime të njëjta si në rastin e Kadri Veselit, janë edhe te Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
“Në dritën e sa më sipër, Trupi Gjykues arrin në përfundimin se Trupi Gjykues nuk gaboi në përfundimin se masat e ofruara nga Policia e Kosovës ishin të pamjaftueshme për të monitoruar shkëmbimet e të Akuzuarit me anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe për të zbutur mjaftueshëm rrezikun që Veseli t'u kalojë atyre mesazhe të koduara. Prandaj, Paneli hedh poshtë Pikën 2 të Apelit të Veselit”, thuhet në dokument, raporton Nacionale.
Një fakt me rëndësi, është se edhe vetë mbrojtja e Kadri Veselit e ka pranuar se për një çështje, letra e Policisë nuk ka qenë e plotë. Megjithatë, mbrojtja kishte kërkuar që gjyqtarët të kërkojnë sqarime shtesë nga Policia për çështjen në fjalë.
“Ndërsa pranon se përgjigjja e Policisë së Kosovës ndaj Letrës së Mbrojtjes [E REDAKTUAR] nuk ishte "e plotë" në lidhje me [E REDAKTUAR], Veseli pohon se Paneli Gjykues duhet të kishte kërkuar informacione të mëtejshme nga Policia e Kosovës sepse: (i) Dhomat e Specializuara, ndryshe nga Mbrojtja, kanë "fuqinë e detyrimit";185 (ii) nuk ishte e mjaftueshme që Paneli Gjykues të mbështetej në informacionin e dhënë më parë Mbrojtjes, ose Gjyqtarit të Procedurës Paraprake disa vite më parë; dhe (iii) i takonte Panelit Gjykues të identifikonte informacionin që e konsideronte të rëndësishëm, të urdhëronte Policinë e Kosovës të jepte informacion të tillë dhe të hetonte zbatueshmërinë e masave”, thuhet në dokument.
“Paneli vëren se Veseli nuk sugjeron se cilat informacione të mëtejshme mund të ndihmonin Panelin Gjykues ose cilat kushte shtesë mund të parashikoheshin. Paneli kujton se detyrimi i paneleve më të ulëta për të hetuar dhe vlerësuar, proprio motu, të gjitha kushtet e arsyeshme nuk është i pakufizuar. Me fjalë të tjera, nuk ka asnjë kërkesë që paneli më i ulët të ngrejë të gjitha kushtet e mundshme proprio motu nëse këto nuk janë përdorur gjerësisht në kontekstin e lirimit të përkohshëm dhe as nuk janë ngritur nga Palët”, thuhet më tutje.
Megjithatë, gjyqtarët e Apelit sërish nuk ndryshuan mendjen nga kolegët e tyre në shkallën e parë.
“Paneli kujton në këtë drejtim se edhe nëse do të kishte një bazë ligjore [REDAKTUAR], një masë e tillë do të ishte jorealiste si për sa i përket burimeve të nevojshme për [REDAKTUAR] ashtu edhe për sa i përket fushëveprimit të [REDAKTUAR]. Duke iu referuar rrezikut që lidhet me rrjedhjen e mundshme të informacionit konfidencial në lidhje me dëshmitarët gjatë vizitave me Veselin, Paneli i Apelit vëren se Paneli Gjykues i gjeti garancitë e dhëna nga Policia e Kosovës të pamjaftueshme për të zbutur rrezikun, por jo me arsyetimin se informacioni i dhënë nga Policia e Kosovës vetë mungonte”, thuhet më tutje në këtë dokument.
“Në dritën e sa më sipër, Paneli konsideron se nuk ishte e paarsyeshme që Paneli Gjykues: (i) të bazonte vendimin e tij në informacionin e dhënë nga Policia e Kosovës Mbrojtjes, si dhe në përgjigje të pyetjeve specifike të bëra nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake; (ii) të konsideronte se Policia e Kosovës ka pasur mundësi të mjaftueshme për të ofruar informacionin e kërkuar; dhe (iii) të konstatojë se çdo informacion shtesë nuk do ta ndihmonte më tej Trupin Gjykues në lidhje me këtë çështje”, përfundon vendimi.
Si përfundim, pavarësisht se dëshmitarët e Prokurorisë kanë përfunduar, rrezik të arratisjes është konstatuar se nuk ka, rrezik të përsëritjes së veprës penale gjithashtu jo, sërish Gjykata Speciale me seli në Hagë, nuk ka lënë asnjë derë për lirim me kusht për ish-krerët e UÇK-së.