Kush e gërvishti portretin e Rugovës në fotografinë e Rambujesë? Prokurori akuzon Jakup Krasniqin, mbrojtja e mohon - NACIONALE

Kush e gërvishti portretin e Rugovës në fotografinë e Rambujesë? Prokurori akuzon Jakup Krasniqin, mbrojtja e mohon

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një fotografi nga konferenca e Rambujesë u pranua si provë në rastin e krerëve të UÇK-së.

Aty shihej edhe portreti i Ibrahim Rugovës që ishte i gërvishtur.

Duke ditur se fotografia u gjet në shtëpinë e Jakup Krasniqit, prokurori e akuzoi këtë të fundit.

Megjithatë mbrojtja e mohoi.

“Me sa kam unë dijeni, kjo është marrë nga një album fotografik nga shtëpia e Jakup Krasniqit. Është një prej shumë fotografive, por asnjë nga fotografitë e tjera nuk është e gërvishtur dhe e dëmtuar si kjo fotografi. Ne mendojmë se kjo fotografi është dëmtuar sepse reflekton ndjesinë që ka pasur ky i akuzuar kundrejt këtij personi, armiqësinë pra”, tha prokurori Capin, duke shtuar se mendojnë që këtë gjë e ka bërë Krasniqi.

Ellis tha se ajo ka efekt paragjykues pasi që nuk dihet se në çfarë rrethanash është gjetur në shtëpinë e Krasniqit.

“E kundërshtojmë për shkak se nuk ka relevancë dhe nuk ka asnjë vlerë provuese. Sipas nesh, ky nuk është një dokument që shërben për t’i identifikuar anëtarët e delegacionit të Rambujesë sepse trupi gjykues ka shumë materiale në lidhje me Rambujen, por ky është paragjykues si dokument sepse është gërvishtur fotografia e Ibrahim Rugovës, kjo është e vërtetë. Prokuroria nuk është në gjendje ta thotë kush e ka gërvishtur fotografinë e tij, kur është gërvishtur fotografia e tij dhe jam i bindur që prokurori do të thotë që ky është një dokument që është gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së zotëri Krasniqi”, tha Ellis.

Lajme të ngjashme