Kryeprokurori flet për Nacionale për rrahjen e Nexhat Krasniqit - NACIONALE

Kryeprokurori flet për Nacionale për rrahjen e Nexhat Krasniqit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Të premten pas mesnatës persona të maskuar kanë goditur me mjet të prehtë ish-shefin e Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Nexhat Krasniqin duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore.

Në momentin kritik, Krasniqi kishte qenë vetëm duke dalë nga një lokal në Brevozicë.

Pas sulmit ai u trajtuar në Qendrën e Mjekësisë në Shtërpcë për t’u transferuar pastaj në Spitalin Rajonal të Ferizajit. Pas trajtimit në spital, Krasniqi është liruar për në shtëpi në gjendje stabile për trajtim të mëtejmë.

Detaje për gjithë këtë ngjarje i dha të dielën Nacionales, kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari.

"Hetimet janë duke u bërë. Personat janë të paidentifikuar për momentin. Po shpresojmë që ditëve në vijim do t'i identifikojmë.....Rasti ka ndodhur të premten para mëngjesit derisa kishte shkuar në Brezovicë për t'a kaluar vikendin. Kur ka dalë prej lokalit e kanë goditë nga prapa të maskuar dy persona. Dhe kanë ikë nga vendi i ngjarjes. Hetuesit e Shtërpcës nesër do të dalin sërish në vendin e ngjarjes. Ai është goditur në kokë me mjet të prehtë”, thotë Jashari.

Ai thotë se motivi i kësaj ngjarje ende nuk dihet.

Nuk dihet motivi ende. Deklaratën policia e ka marrë. Në Prokurori ende s'është dëgjua. Lënda është kualifikua si lëndim i rëndë trupor, por ai për momentin është në shtëpi. Ndihma e parë i është dhënë në Shtërpcë, pastaj në Spitalin Rajonal në Ferizaj”, sqaroi kryeprokurori Jashari.

E ndërkohë, hetimet për këtë ngjarje po i vazhdon Policia e Kosovës. Sipas zëdhënësit, Kanun Veseli ngjarja ka ndodhur në rrugën Shtërpcë-Brezovicë rreth orës 23:20.

Më datën 26.08.2022, në ora 23:20, Policia ka pranuar një informacion se në rrugën Shtëprcë Brezovicë një person me inicialet N.K (M/K) i moshës 54 vjeçar ka pësuar lëndime trupore , dyshohet nga dy persona të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia i ka marr veprimet e nevojshme dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt i ka nisur hetimet në kërkim të personave të dyshuar. Rasti është cilësuar “Lëndim i rëndë trupor” Për informata tjera do të njoftoheni me kohë”, deklarojnë nga policia.

Lajme të ngjashme