Komandant Remi do të dëshmojë në seancë: Si ia rrëzoi kërkesën gjyqtari Prokurorisë në Hagë
Dëshmia e komandantit të UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, shkaktoi debat të ashpër dje ndërmjet Prokurorisë dhe mbrojtjes. Kjo pasi Prokuroria kërkoi që deklaratat e mëparshme të komandant Remit të pranohen në proces, dhe në këtë mënyrë të shkurtohet koha për marrjen e tij në pyetje.
Megjithatë, një kërkesë e tillë është refuzuar nga trupi gjykues. Si rezultat, komandant Rrustem Mustafa do të ofrojë dëshminë e tij në seancë gjyqësore para trupit gjykues. Aty ai pritet të tregojë detaje për organizimin dhe strukturën e UÇK-së si dhe komunikimin me shtabin e përgjithshëm.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, dha tri arsye pse kërkesa e Prokurorisë për Remin u rrëzua, raporton Nacionale.
“Së pari, Prokuroria nuk ka paraqitur arsye të mjaftueshme që përbëjnë arsye të vlefshme për t’u pajtuar me afatin e 7 shkurtit, për të cilin kishte vendosur trupi gjykues në bazë të rregullës 154 sa u takon 12 dëshmitarëve të parë dhe kjo është në transkriptin e 18 janarit, në faqe 1902”, tha ai.
Tutje, gjykatësi Smith tha se arsyeja e dytë është se trupi gjykues pajtohet me mbrojtjen se ndryshimi në mënyrën e prezantimit të provave të dëshmisë së 04647 do të cenonte në fakt të pandehurin.
Kurse së treti, ai tha se në kuadër të rëndësisë së dëshmisë së propozuar, trupi gjykues ka vlerësuar se arsyet duhet të ishin paraqitur paraprakisht me shkrim dhe të tilla arsye nuk janë paraqitur.
“Prandaj, trupi gjykues në këtë rast rrëzon kërkesën e Prokurorisë për të pranuar dëshminë e dëshmitarit 04647 në bazë të rregullës 154”, përfundoi ai urdhrin gojor.
Ditën e djeshme dhe gjithashtu sot do ta vazhdojë dëshminë e tij dëshmitari 12 që po flet nën masa strikte mbrojtëse. Seanca ka qenë shumica e mbyllur, por vetëm u kuptua se ky dëshmitar ishte ndaluar nga disa pjesëtarë të UÇK-së.
Si u përplasën avokatët dhe Prokuroria për Remin?
Prokuroria kishte kërkuar që të shkurtohet koha për marrjen në pyetje të Remit, pasi i njëjti ka konfirmuar të gjitha dëshmitë e mëparshme. Në këtë mënyrë, të ketë kohë vetëm mbrojtja për kundër-pyetje.
Gjatë seancës prokurori James Pache zbardhi një detaj nga deklarata e Remit në seancën përgatitore, raporton Nacionale.
“I konfirmoj të gjitha ato që kam thënë, por nuk dua të përgjigjem në pyetjet tuaja”, e citoi prokurori deklaratën e Remit.
“Çdo gjë që ndodhi gjatë seancës përgatitore. Dëshmitari rishikoi materialet e veta, iu dha mundësia për ndryshime, tha se nuk kishte dhe konfirmoi saktësisnë e tyre. Ne si Prokurori bëmë pyetje, e ai tha që nuk ishte gati të fliste për këtë gjatë seancës përgatitore, dhe u pajtua të përgjgijet në disa pyetje të thjeshta. Kjo tregon se dëshmitari në një rast tjetër thjesht konfirmoi dëshmitë që ka dhënë përpara. Interesi i drejtësisë është ky. Lidhet me argumentin për efikasitetin e procedurave gjyësore. Nuk është e nevojshme që ky dëshmitar të vijë këtu, kur qartë ka konfirmuar ato që ka thënë. Interesi i drejtësisë është të pranohet informacioni që ka dhënë”, tha ai.
Me këtë qëndrim nuk u pajtuan avokatët. Këto ishin replikat e tyre rreth dëshmisë së komandant Remit:
Luka Misetiq – Avokat i Thaçit:
Duke marrë parasysh qëndrimi në seancën përgatitore, ZPS-ja ka ndryshuar strategjinë. Dëshmitari nuk dëshiron që të thotë gjëra të tjera më tej se çka ka thënë në deklaratë, kjo nuk do të thotë se deklarata duhet të pranohet sipas rregullës. Ne nuk identifikojmë logjikën pse po ndodhë kjo, dhe pse kërkohet që deklarata të pranohet në këtë mënyrë. Duke marrë parasysh atë që ka ndodhur në seacën përgatitore, kjo është faktor i arsyeshëm që të mos pranohet kërkesa e ZPS-së, sepse dëshmitari nuk ka bërë korrigjime e rishikime nga deklaratat e tij të mëparshme.
Këtij dëshmitari i është thënë si i dyshuar në intervistë. I është thënë se duhet ta thotë të vërtetën, nëse jo mund të përballet me ndjekje penale, dhe ne parashtrojmë që me Kodin Penal të Kosovës kjo është në kundërshtim me atë që duhet t’i thuhet dëshmitarit. Ky është faktor që duhet ta merrni parasysh. Problemi me këtë është se i dyshuari mund të ketë një motiv për të mbrojtur veten nëse merret në intervistë si i dyshuar, dhe kjo është arsye tjetër pse duhet ta dëgjojmë drejtpërdrejt dëshminë e këtij dëshmitari. Efikasiteti dhe koha nuk duhet të shkurtohet për dëshmitarët e nivelit të lartë, parashtrojmë që do të kemi të bëjmë me efikasitet të kohës gjyqësore nëse për dëshmitarë të tillë ne dëgjojmë dëshminë e tyre në sallën e gjyqit dhe të mos pranojmë dëshminë e tyre mbi bazën e rregullit 154. Dëshmitarët e tillë duhet të japin dëshminë e tyre këtu.
Prokuroria nuk dëshiron t’i sqarojë këto dhe ia kalon mbrojtjes, dhe i thotë mbrojtjes bëni pyetjet që doni. Kjo është cenuese për mbrojtjen, dhe nuk është kërkesë që përmbush kriteret e rregullit 154.
Avokati i Kadri Veselit:
Ky material nuk është i qartë, dëshmitari përballet me deklarata kontradiktore dhe është përgjegjësia e mbrojtjes të sqarojë gjërat që nuk janë të qarta dhe kjo është punë që duhet ta bëjmë me kundër-pyetje. Na duhet më shumë kohë nga këndvështrimi ynë i mbrojtjes, por kursimi i kohës nuk do të jetë në ato dimensione që u parashtruan nga prokuroria. Ne dëshirojmë të dëgjohemi sepse ne do të kërkojmë të paktën 1 ditë kohë, një shtyrje 1 ditë që të riorganizohemi. Fakti që kjo doli në pah gjatë seancës përgatitore të dëshmitarit, do të doja të di më shumë për interesat e drejtësisë që shfaqen këtu. Ky dëshmitar është unike dhe problematike, dhe do të ishte problematike nëse pranohet dëshmia e tij sipas rregullës 154. Dëshmitari është intervistuar si i dyshuar. Taktikat e intervistës janë të tilla që mund të shërbejnë për të çuar në përfundime të ndryshme.
Jeffrey Roberts – Avokati i Rexhep Selimit:
Nga perspektiva e Prokurorisë kjo intervistë është bërë 4 vjet më përpara dhe ka një kohë të gjatë ndërhyrje kur mund të ishin bërë diskutime e kërkesa të tjera, dhe të ishin kostatuar mënyra se si të merremi me dëshmitarin në fjalë. Prokuroria nuk e bëri punën e vet,priti 3-4 ditë për të parë se si do ta trajtojë dëshminë. Kjo nuk ka qenë aksidentale, kjo është një pozicion i ZSP-së që do që ta bëj punën e përfunduar t’iu detyrojë juve që ta pranoni dëshminë e dëshmitarit sipas kërkesës së ZPS-së.

