Për çfarë do të dëshmojë komandant Remi në gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë? - NACIONALE

Për çfarë do të dëshmojë komandant Remi në gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë?

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, pritet të jetë dëshmojë në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Remi është në mesin e dëshmitarëve të parë të Prokurorisë së Specializuar, për gjykimin që ka filluar qysh më 3 prill.

Kjo është bërë konfirmuar edhe nga vetë komandant Remi në një deklaratë dje për Kanal10. Megjithatë, Nacionale për këtë çështje kishte pasur dijeni qysh muaj më parë.

Kjo ishte bërë e ditur në një dokument të Gjykatës Speciale, më saktësisht parashtresë që ishte drejtuar te trupi gjykues nga avokati i viktimave në rastin e Thaçit dhe të tjerëve. Në parashtresën që është publike në faqen e Gjykatës Speciale, avokati i viktimave e njofton trupin gjykues për 3 nga 12 dëshmitarët e parë të Prokurorisë që synon t’i marrë në pyetje.

Në mesin e këtyre treve, avokati i viktimave e ka përmendur specifikisht edhe komandantin e UÇK-së në zonën e Llapit, e që ishte Rrustem Mustafa, raporton gazeta Nacionale.

“W04746 ishte i përfshirë në kapacitetin e tij si komandant i UÇK-së në zonën e Llapit, në arrestimin dhe lirimin e VPP (shkurtesë për viktimat që marrin pjesë në procedurë)”, thuhet në parashtresën e avokatit të viktimave në këtë rast, Simons Laës.

Në temat që do t’i shtrojë avokati gjatë marrjes në pyetje janë dëmet e pretenduara që Rrustem Mustafa i ka shkaktuar ndaj kësaj viktime. Mbrojtësi Laës ka kërkuar deri në 1 orë kohë për marrjen në pyetje të komandantit të Llapit.

“Në vazhdim të njoftimit të tij të datës 3 shkurt 2023, avokati i viktimave njofton Panelin për një dëshmitar shtesë që ai dëshiron ta marrë në pyetje nga lista e Prokurorisë me dymbëdhjetë dëshmitarët e parë të saj. Për lehtësi referimi, Avokati i Viktimave jep një njoftim të përditësuar në lidhje me të tre dëshmitarët që ai dëshiron të marrë në pyetje, në formë tabelare më poshtë”, thuhet në parashtresë.

Gazeta Nacionale e kishte kontaktuar edhe vetë Mustafën për të marrë një qëndrim nga ai. Megjithatë, Remi javë më parë kishte thënë se deri tash nuk ka ndonjë konfirmim se do të jetë në mesin e 12 dëshmitarëve të parë.

Rrustem Mustafa - Korrespodenti

“Le ta konfirmojnë ata, jo unë. Nuk më befason kurgjo, por nuk kam informatë”, ka thënë Rrustem Mustafa për gazetën Nacionale.

Pozicioni i Mustafës në kohën e luftës, është i vetmi që është zbuluar tek detajet e dëshmitarëve që do t’i marrë në pyetje avokati i viktimave. Rrustem Mustafa është përmendur qysh në fillim të procesit ndaj HashimThaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Ai ishte përmendur në disa pjesë të aktakuzës.

Remi pritet të dëshmojë lidhur me strukturën dhe organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e komandantit të zonës së Llapit.

Rrustem Mustafa u përmend së fundmi nga një dëshmitar duke pretenduar se ishte ndaluar e keqtrajtuar në zonën e Llapit. Remi ishte përmendur edhe nga avokatët e krerëve të UÇK-së qysh në nisje të gjykimit. Aty ishte transmetuar një video ku Remi dëgjohej teksa thonte se “do ta rrëzonin aeroplanin e liderëve të Kosovës që e kanë nënshkruar Rambujenë”. Kjo duke tentuar të dëshmojnë se udhëheqësit e shtabit të përgjithshëm nuk kanë pasur kompetenca mbi komandantët e zonave.

Mustafa ishte intervistuar kohë më parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Remi në aktakuzën e krerëve të UÇK-së

Në aktakuzën ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e shumë figurave të njohura, përmendej edhe Rrustem Mustafa, komandant i zonës së Llapit.

“Anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; dhe ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKPsë’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thuhet në aktakuzë.

Aaktakuza pretendon se së paku ndërmjet nëntorit 1998 dhe marsit 1999, selia e Zonës Operative të Llapit ishte në Llapashticë, Podujevë. Tutje, thuhet se Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së ndaluan së paku 52 persona pa proces të rregullt ligjor në një lokacion në Llapashticë afër policisë ushtarake dhe shtabit të zonës. Sipas aktakuzës, të arrestuarit u ndaluan dhe u mbajtën nën roje në dhoma të mbyllura me dritare të mbyllura

“Ndërmjet [REDAKTUAR] 1999 dhe [REDAKTUAR] 1999, anëtarë të caktuar të UÇK-së ndaluan së paku 13 persona pa proces të rregullt ligjor në [REDAKTUAR], Kaçanik, [REDAKTUAR]. Më [REDAKTUAR] 1999 ose rreth kësaj, pesë të paraburgosur [REDAKTUAR] në [REDAKTUAR], Kaçanik, ku ata u ndaluan pa një proces të rregullt ligjor. Në ose rreth [REDAKTUAR] 1999, [REDAKTUAR] pesë të burgosur [REDAKTUAR] në [REDAKTUAR], ku ata u ndaluan deri në ose rreth [REDAKTUAR] 1999 pa një proces të rregullt ligjor. Të paraburgosurit në këto vende mbaheshin fizikisht dhe mbaheshin në dhoma të mbyllura dhe/ose nën roje të armatosur. Në këto ndalime u përfshinë shumë anëtarë të UÇK-së, përfshirë anëtarët e [REDAKTUAR] brenda Zonës Operative të Nerodimes. Shukri BUJA ishte komandant i Zonës Operative të Nerodimes.”,thuhej në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Specializuar.

Mustafa si pjesë e “Grupit të Llapit”, ishte dënuar për krime lufte nga gjykata e UNMIKUT, me 17 vjet burgim. Por Gjykata Supreme e Kosovës, në vitin 2005 e kishte prishur lëndën dhe e kishte kthyer në rigjykim.

Gjykata e Qarkut në vitin 2009, e kishte dënuar Mustafën me katër vjet. Pas kësaj gjykata Supreme kishte anuluar vendimin pasi kishte konstatuar se se Gjykata e Qarkut e Prishtinës, në aktgjykimin e shpallur në tetor të 2009-s ka pasur shkelje procedurale nga kolegji gjyqësor. Rasti ishte kthyer në rigjykim.

Në qershor të vitit 2013, Gjykata Themelore e Prishtinës, për herë të tretë kishte shpallur një aktgjykim në rastin e quajtur si “Grupi i Llapit”.

Komandant Remi, u dënuar me 4 vite burgim për krime lufte nga kjo gjykatë.

Lajme të ngjashme