“Kishim marrëveshje”, “Serbët civilë ishin të armatosur” – Çfarë deklaroi në Hagë dëshmitarja serbe Bozhaniq? - NACIONALE

“Kishim marrëveshje”, “Serbët civilë ishin të armatosur” – Çfarë deklaroi në Hagë dëshmitarja serbe Bozhaniq?

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Dëshmitarja e 17-të në rastin e krerëve të UÇK-së ishte serbe që në kohën e luftës jetonte në zonën e Rahovecit. Ajo quhet Dragica Bozhaniq dhe është një nga dëshmitarët e vetëm që pranoi të dalë e të dëshmojë pa masa mbrojtëse.

Bozhaniq pretendon se në muajin korrik të vitit 1998 kishin pësuar një sulm nga pjesëtarët e UÇK-së. Ajo deklaroi se burrat ishin ndarë nga gratë, dhe ata torturoheshin, raporton Nacionale.

Bozhaniq deklaroi se kishin pasur si një lloj marrëveshje e me të cilin ishin dakorduar me shqiptarë që ta ndihmojnë njëri-tjetrin.

“Burri im e mbajti fjalën fatkeqësisht, ata e thirrën dhe e pyetën nëse do të ofronte ndihmë dhe nuk e lejoi. Ky personi nuk e mori fjalën. Na morën dhe na sulmuan më 18 korrik. Në oborr na morën, dhe kur e pashë këtë burrin u befasova sepse kishte pasur marrëveshje që ndryshe kishte rënë dakord. Na morën, hynë në shtëpitë tona me forcë, kërkuan disa gjëra. Na thanë uluni të gjithë, ne u ulëm. Djalin ma plagosën, sepse kishin hedhur bomba. Unë fillova të qaja dhe nuk e dija më çka të bëja”, deklaroi në gjykatë dëshmitarj Bozhaniq.

Dëshmitarja e pranoi se djali i saj dhe një familjar tjetër kishin shërbyer në Ushtrinë e Serbisë.

“Jo, burri im kishte dërguar djalin vullnetar në ushtri për të bërë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe nuk duhetj të qëndronte aty gjatë. Pastaj do kthehej. Sa i përket Zllatko Bozhaniqit, ai ka qenë mercenar, dhe ka shkuar të punojë për para. Shkoi në ushtri me pagesë”, deklaroi dëshmitarja Bozhaniq.

Ajo tregoi se gratë ishin liruar, përderisa bashkëshortin dhe djalin nuk e ka parë më kurrë edhe pse kanë tentuar në vazhdimësi t’iu bien në gjurmë.

“Jemi liruar dy herë. Një herë kur ua dhashë atë letrën, dhe herën e dytë kur u sulmua Manastiri. Nga Manastiri na kanë dërguar në qendër të fshatit me autobusë, dhe nga aty në një fshat tjetër në Semetishtë. Qëndruan një ditë atje, u morëm në pyetje, ata ishin rreth nesh na ruanin. Disa prej meshkujve u mbajtën gjithë natën”, deklaroi kjo dëshmitare.

E kur u ballafaqua me avokatin e Hashim Thaçit, dëshmitarja serbe u përballë me disa deklarata në të kaluarën. Dëshmitarja kohë më parë e kishte pranuar se civilët serbë të cilët u morën nga UÇK-ja, kishin qenë të armatosur.

“Kur filloi konflikti në Kosovë a është e saktë të thuhet që autoritetet serbe iu dhanë armë civilëve në fshatra të ndryshme? Dëshmitarja: Kjo ka ndodhur përpara. Në cilat vite nuk e mbaj në mend. Ka ndodhur më herët”, ishte përgjigja e dëshmitares.

“Është fakt që burrat e fshatit tuaj kishin marrë armë nga Serbia? Po. Autoritetet serbe iu jepnin armë civilëve edhe në demonstrata? Jo në protesta. Armët janë shpërndarë për burrat”, u përgjigj dëshmitarja.

Avokati e pyeti direkt dëshmitaren për rastin e incidentit kur shkuan pjesëtarët e UÇK-së. Dëshmitarja e pranoi se kishte në mesin e serbëve të armatosur.

“Ditën kur ndodhi incidenti, shumë prej serbëve erdhën tek shtëpia e juaj. Apo jo? Po. Kur filluan të shtënat e mora vesh që ata kishin armë”, deklaroi ajo.

Para nisjes së intervistimit, prokurori i Cezary Mihailczuk, tregoi një përmbledhje të shkurtër të kësaj dëshmitareje dhe historisë së saj.

“Në korrik 1998 Dragica Bozhariq jetonte në komunën e Rahovecit me familje. Gjatë natës duke u gdhirë 18 korriku i 1998, dëshmitarja anëtarët e familjes dhe anëtarë të tjerë serbë u sulmuan nga UÇK-ja në banesat e tyre. Në mëngjesin e 18 korrikut 1998, serbët u dorëzuan. Dhe i dërguan me veturë në një fshat afër. Aty UÇK-ja i ndau burrat nga gratë, te burrat ishin djali dhe bashkëshorti i dëshmitares. Gratë qëndruan në të njëjtën banesë. Ajo dëgjonte që burrat serbë i rrihnin. Dëshmitarët e morën në pyetje për kushëririn dhe djalin që kishin shërbyer në ushtrinë serbe”, tregoi prokurori.

“Me atë rast, kur e pa bashkëshortin e pa se edhe ai kishte mavijosje në fytyrë. Të gjitha gratë serbe në të njëjtën ditë, u dërguan për në Zoqishtë ku dëshmitarja ua dha letrën që ia kishte dhënë bashkëshorti. Ata i mbajtën të ndaluar burrat serbë. Gratë i dërguan në Manastir ku qëndruan për dy ditë. Më pas UÇK-ja i zhvendosi civilët në Semetishtë dhe i mbajti të ndaluar për një natë në shkollën e fshatit. Disa prej serbëve u morën në pyetje. Dëshmitarja dhe të ndaluarit e tjerë më pas u liruan nga Kryqi i Kuq. Dëshmitarja nuk e pa më kurrë bashkëshortin dhe djalin”, theksonte prokurori Mihailczuk.

Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së do të vazhdojë më 28 gusht.

Lajme të ngjashme