Ish-avokati i Haradinajt në Hagë: Seancat e mbyllura ngjallin mosbesim
Për të dytën ditë me radhë, e gjithë seancat në Gjykatën Speciale të Hagës ku po akuzohen krerët e UÇK-së, ka qenë e mbyllur për publikun kosovar. Dëshmitarja e dytë ka vazhduar dëshminë, teksa atë e kanë marrë në pyetje avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.
Fakti që të gjitha seancat këto dy ditë kanë qenë të mbyllura, ka nxitur shumë reagime në Kosovë. Ka reaguar edhe Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve, por edhe avokatë të tjerë.
Kjo po shihet me kritika edhe nga avokatët ndërkombëtarë. Michael O’Reilly ka qenë në mesin e ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës.
Në një përgjigje të shkurtër për gazetën Nacionale, O’Reilly ka vlerësuar se mbyllja e seancave në gjykatë, mund të ndikojë në mosbesimin e procesit. Megjithatë, ai ka thënë se nuk është shumë i shqetësuar.
“Ajo që kam kuptuar unë është se fjalimet hapëse ishin të qarta dhe kompetente nga të dyja palët. Është shumë për të ardhur keq që fillimi i gjykimit është në seancë me dyer të mbyllura - por kjo është zgjedhja e prokurorit, duke thirrur së pari dëshmitarët e mbrojtur. Jam dakord që nuk ngjall besim. Personalisht, nuk jam i shqetësuar - thjesht ndodh që ne kemi shumë 'sesione të mbyllura' në fillim”, deklaroi avokati O’Reilly.
Një reagim të ngjashëm ditë më parë e ka pasur edhe avokati kosovar, Naim Rudari.
“Ndonëse edhe prokuroria e dhomave të specializuara në fjalën hyrëse e tha që dëshmitarët janë të frikësuar dhe nëse ata frikësohen dhe nuk dëshmojnë, këtë ta ketë parasysh trupi gjykues përkundër faktit që dëshmitarët janë siguruar e betonizuar me katër-pesë fish masa mbrojtëse”
“Pra, prokuroria e di që në fillim se nuk ka prova për atë që ka akuzuar, por lë të kuptohet se do të thirret në rrethana tjera sikurse u pa që të akuzuarit u mundua t’i nëncmojë e përqeshë qysh në fjalën hyrëse pa përmendur prova konkrete”, ka shkruar Rudari.
Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë gjithë kohës ka përmendur faktin që në Kosovë ka klimë të frikësimit të dëshmitarëve. Mbështetur në këtë fakt, ata kanë vendosur që një pjesë e mirë e dëshmitarëve të flasin me masa strikte mbrojtëse.
Megjithatë, në mesin e 12 dëshmitarëve të parë do të ketë edhe ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët pritet të flasin publikisht për strukturën dhe organizimin e UÇK-së.
Reagimet e tjera
Pasi seancat e para po zhvillohen të mbyllura, ka reaguar Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës.
“Pak po ju duket që i fshehet fytyra dhe zëri dëshmitares, veç edhe kalojnë në seancë edhe më private”, ka shkruar Klinaku.
Ashpër ka reaguar zyrtari i Nismës dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Zafir Berisha.
“Gjykata e Hagës me dëshmitar të fshehur, që nuk kanë fytyrë, si dhe Panturoviqi i Dugagjinit me dëshmitat skizofrena dhe dhunues të fëmijve, në ofenzivë për të njëllosur UÇK-së. Me vetëdije apo pa të, po i shërbejn përpjekjeve serbe për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së dhe për ta barazuar atë me luftën gjenocidale të Serbisë. UÇK-së ka përballuar dhe ka dalur fitimtar para shumë sfidave dhe betejave edhe më të rënda, do të dalën fitimtare edhe në këtë betej”, ka shkruar ai.
Nacionale sjell më poshtë bisedën e vetme të Prokurorisë me dëshmitaren e sotme, e cila u zhvillua e hapur për publikun.
Prokurori: Zonja dëshmitare, a jeni intervistuar më herët nga Prokuroria e kësaj gjykate?
Dëshmitarja: Po në Prishtinë.
Prokurori: Në dy raste apo jo?
Dëshmitarja: Po.
Prokurori: A është kjo dëshmia juaj në faqen e parë?
Dëshmitarja: Po.
Prokurori: A është kjo dëshmia e dytë për ZPS-në?
Dëshmitarja: Po.
Prokurori: Kohët e fundit a keni pasur mundësi të rikujtoni dy intervistat?
Dëshmitarj: Po, konsideroj që po.
Prokurori: Në seancën përgatitore javën e kaluar renditët disa ndryshime që duhet bërë në këto intervista?
Dëshmitarja: Po
Prokurori: Këto ndryshime a janë reflektim? Përmbajtje e redaktuar.

