“Gjykimi do të jetë i gjatë, rreth 5 vjet” – Krejt çka u tha deri tash në seancën ndaj krerëve të UÇK-së
Dritë në fund të tunelit. Pas më shumë se 2 vjetësh të arrestuar, më në fund po pritet nisja e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Megjithatë, në seancën e sotme janë ngritur shqetësime për kohëzgjatjen e procesit. Kryegjyqtari ka bërë të ditur se procesi gjyqësor do të zgjasë deri në 5 vjet.
Në konferencën e sotme përgatitore, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka kërkuar nga Prokuroria që të rishqyrtojë kohëzgjatjen e gjithë procesit gjyqësor. Vetëm këtë vit, pritet të dëgjohen rreth 600 orë dëshmi, raporton gazeta Nacionale. Megjithatë, Smith tha se koha mund të shkurtohet.
“Jemi të shqetësuar për kohën që ka kërkuar Prokuroria për kohën e saj rreth kësaj çështje. Le ta shqyrtojë shkurtimin e argumenteve të saj, në mënyrë që gjyqi të jetë i shpejtë dhe i drejtë. Nëse kjo funksionon, do të dëgjohen dëshmi për 600 orë në një vit dhe do të them nga përvoja që asgjë nuk është perfekte, dhe mund të zgjasë më shumë se sa shpresojmë. Ne do ta vlerësojmë mënyrën se si paraqisni argumentet tuaja dhe do të shohim nëse ka nevoje që procedurat të përshpejtohem. Presim që ky gjykim të jetë i gjatë, periudha 5-vjeçare që parashikohet ka shqetësime të mëdha. Ne do të bëjmë shkurtime nëse kjo është e dosmodshme për të mbrojtur të drejtën e të akuzuarve”, tha Smith në seancën e sotme.
Në anën tjetër, nga Prokuroria e Specializuar kanë theksuar se po e shqyrtojnë që ta shkurtojnë edhe më shumë kohëzgjatjen e gjykimit. Dihet se Prokuroria fillimisht kishte kërkuar kohë më shumë se që kishte zgjatur gjykimi ndaj Sllobodan Millosheviqit.
“Jo të gjithë dëshmitarët do të vijnë këtu para trupit gjykues, ata që do të vijnë këtu për të dhënë dëshmi janë ata që janë në listë. Nuk di nëse këtë po e bëjmë për t’u treguar të kujdesshëm, por është e mundur që gjatë gjyqit dëshmitarët mund të paraqesin dëshmi që e bëjnë të panevojshme dëshminë e atyre më vonë. Ne po shikojmë nëse mund të zvogëlojmë kohën për të marrë dëshmitarët në pyetje. Po e bëjmë një vlerësim edhe për 12 dëshmitarët e parë”, tha përfaqësuesi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Prokuroria ka theksuar se planifikon fjalë hyrëse për 6 orë.
Gjykimi pritet të fillojë më 1 mars
Gjykimi në rastin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, pritet të fillojë edhe zyrtarisht më 1 mars. Për këtë janë shprehur të gatshëm edhe avokatët e krerëve të UÇK-së.
Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se planifikon fjalë hyrëse 3 deri në 4 orë.
“Disa prej dëshmitarëve kanë qenë në çështje të tjera si në Hagë. Ne duhet të shikojmë 46 mijë faqe dokumente brenda datës 1 shkurt. Është një kohë e konsiderueshme. E kemi dorëzuar një mocion më 9 janar. Ky mocion është në pritje. Një tjetër temë që duam të ngremë është mundësia për digëzimin e çështjes mbi konfliktin e armatosur. Jemi gati të fillojmë më 1 mars për gjykim. Do të japim fjalën hyrëse pas deklaratës së ZPS-së, 3 deri në 4 orë”, tha Keohe.
Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se janë të gatshëm që gjykimi të fillojë më 1 mars. Ai ka folur gjithashtu për koëhzgjatjen e këtij procesi gjyqësor.
“Periudhën duhet ta shkurtojë nga 700 orë të parashikuara. Psh një dëshmitar ka dhënë dëshmi në shumë procese të tjera, ka 8 intervista, dhe të gjitha do të paraqiten këtu. Në këtë rast Prokuroria duhet të kalojë një numër orësh. Koha që na duhet neve për të bërë kundërpyetje është e gjerë, pasi materiali është i gjerësishëm. Shkurtimi i afatit kohor duke ulur pyetjet kryesore të Prokurorisë për dëshmitarët të cilët më pas vijnë me dokumentacion të gjërësishëm e ngreh barrën e palës mbrojtëse”, tha Emmerson.
Avokati i Rexhep Selimit në anën tjetër, ka kërkuar që të zbulohet identiteti i 12 dëshmitarëve të parë, sa më shpejt që është e mundur.
“Ne jemi në dijeni të situatës sigurisht, dhe duam të fillojë gjykimi sa më shpejtë dhe do të donim të fillojë më 1 mars. Ne jemi duke bërë përpjekje të trajtojmë pasojat e asaj që ndodhi, dhe do përpiqemi të fillojmë më 1 mars dhe sa më shpejtë, por ka disa gjëra që mund të pengojnë përgatitjen tonë. Kjo varet shumë nga identetiti i 12 dëshmitarëve të parë që do të japin dëshmi. Sygjerojmë të ketë një pushim pas deklaratave hyrëse. Nëse fillojmë më 1 e 2 mars me deklarata hyrëse, të bëjmë ndërprerje për 1 javë ose 10 ditë. Për 12 dëshmitarët e parë, të mos ketë dëshmitarë që do të flasin për pretendime konkrete ndaj z.Selimi”, tha avokati i Selimit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ishin arrestuar në muajin nëntor të vitit 2020. Deri më tash, gjykimi nuk ka nisur.
Krerët e UÇK-së nuk kanë arritur të lirohen nga paraburgimi, pavarësisht se kanë bërë disa kërkesa.

