Gjykata Speciale paralajmëron se vendimi për krerët e UÇK-së mund të shtyhet edhe pas 20 korrikut: Nëse është absolutisht e nevojshme
Gjykata Speciale me seli në Hagë, ka konfirmuar se gjyqtarët kanë urdhëruar zgjatjen e afatit për vendimin në rastin e krerëve të UÇK-së.
Kjo për shkak të rastit kompleks.
Madje, nga Gjykata Speciale kanë bërë të ditur se mund të ketë edhe shtyrje tjetër.
“Po, Paneli Gjyqësor ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes. Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data që përcakton afatin e zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje tjetër bëhet absolutisht e nevojshme, ai do të nxjerrë një urdhër për këtë në kohën e duhur”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.
Shpallja e aktgjykimit me afatin 90-ditor planifikohej të bëhej më së largu më 19 maj.
Tash, afati final është 20 korrik.
Ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka aluduar se kjo është për arsye politike.
“Njëherë ia shtynë ardhjen te babai i sëmurë për shkak të zgjedhjeve. Tani thuhet që sërish shtyhet verdikti për shkak të zgjedhjeve! A po e shihni sa politike është kjo gjykatë?”, ka shkruar Behrami.
Një gjë të tillë e deklaroi edhe Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës.
“Shtyrja e radhës e vendimit për krerët e UÇK-së deri më 20 korrik nga Gjykata Speciale, nuk është asgjë tjetër veçse një vendim i pastër politik dhe një padrejtësi e radhës që rëndon mbi kurrizin e historisë sonë. Që nga fillimi i këtij procesi, ne nuk pamë, transparencë, paanshmëri dhe drejtësi të vërtetë.Në vend të tyre, pamë vetëm montime dhe padrejtësi të veshura me petkun e ligjit. Po tentojnë të gjykojnë lirinë, por liria nuk mund të prangoset. Burrat e mëdhenj të kombit, që sot po mbahen padrejtësisht në Hagë, janë vetë dëshmia e sakrificës sonë për ekzistencë. Mund ta vonojnë, por kurrë nuk do ta mposhtin të vërtetën. Në fund, pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të triumfojë mbi çdo intrigë e çdo gjykatë”, ka shkruar Gucati.
Kujtojmë se në një raport të fundit të Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Angli dhe Uells, janë ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si janë zhvilluar proceset në Gjykatën Speciale të Hagës.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, duke prezantuar raportin e Komitetit, tha se vazhdimi i paraburgimit dhe refuzimi i mundësisë për lirim nga paraburgimi, janë elemente që kanë cenuar procesin.
“Raporti evidenton shqetësime serioze për kohëzgjatjen e paraburgimit, refuzimin e lirimit të parakohshëm, dhe kufizimet në komunikim me familjen. Fakti që deri më tash ka pasur shumë pak lirime të parakohshme, edhe pse kanë kaluar vite pa filluar procesi, bën të kuptohet që një pretendim i tillë nuk është vetëm shqetësim, por fakt konkret”, ka thënë Qelaj, raporton Nacionale.
Problem tjetër, ka qenë edhe mbikëqyrja e komunikimeve në qendrën e paraburgimit.
“Mbikëqyrja sistematike e komunikimeve që jam ballafaquar edhe unë, jam vëzhgu nga personeli i paraburgimit, jam xhiru nga dy kamera, raporti konstaton se mbikëqyrja sistematike, kjo kornizë ka dyshime serioze për cenim të Konventnës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shqetësimet që kemi ngritur në vazhdimësi, jo vetëm që janë konfirmuar, por kalojnë edhe përtej atyre shqetësimeve”, ka thënë më tutje Qelaj.
Ekspertët e njohur britanikë kanë konstatuar se raporti ka ngritur shqetësime serioze për një gjykim të drejtë dhe të pavarur.
“Lidhur me juridiksionin, transparencën, raporti ngre shqetësime serioze mungesën e një institucioni mbikëqyrës, dhe kontrolli institucional. Sa i përket standardit të Gjykatës kompetente të pavarur, për gjykim të drejtë, raporti evidenton shqetësime serioze në emërimin e trupave gjykues. Raporti konstaton se kryetarja ka diskrecion për të emëruar panelet, konsultimet ndërinstitucionale të parapara me rregullën 12. Kërkesën për përjashtimin e kryetares së Gjykatës e trajton vetë kryetarja, që tregon se ka probleme serioze”, ka thënë Qelaj më tutje.