Gjykata Speciale e konfirmon se po mban ligjërata me nxënës në Kosovë: Flasim për procedurat dhe mandatin, u përgjigjemi pyetjeve
Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë konfirmuar raportimin e Nacionales, se po mbajnë ligjërata me nxënës në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra për media e Gjykatës Speciale.
Zëdhënësja Angela Griep ka thënë për Nacionalen se në këto ligjërata po diskutojnë për mandatin dhe procedurat e Gjykatës Speciale.
“Po, ekipi i informimit i Dhomave të Specializuara këtë javë po zhvillon aktivitete për të informuar grupet studentore në Prishtinë rreth mandatit dhe procedurave të gjykatës, si dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe për t'iu përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje.
“Siç e dini, që nga viti 2018 ne kemi zhvilluar rregullisht aktivitete me qytetarë në të gjithë Kosovën si pjesë e programit të informimit, duke dëgjuar komentet e njerëzve dhe duke u përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet më tutje.

Dhomat e Specializuara të Hagës kanë nisur një seri të ligjërata e komunikimeve. Pas mediave, shoqërisë civile e fakulteteve juridike, tash në subjekt janë nxënësit e shkollave të mesme.
Një të tillë Gjykata Speciale e ka mbajtur së fundmi me nxënësit e shkollës “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Kjo dëshmohet nga një fotografi të cilën e ka pranuar gazeta Nacionale, nga një prej nxënësve pjesëmarrës.
Aty, prej nxënësve kërkohet vlerësimi i ligjëratës.Pyetjet janë të tipit nëse ngjarja ishte e organizuar mirë, nëse kishte mjaftueshëm informata për Gjykatën Speciale, nëse informacionet kanë qenë të kuptueshme dhe pyetje të ngjashme.
Në një prej këtyre vlerësimeve, nxënësit kanë shprehur pakënaqësi lidhur me përgjigjet që kanë marrë ky trajnim.
Në fund, tek komentet njëri prej nxënësve ka kërkuar lirimin e Hashim Thaçit.
Nacionale ka kontaktuar me drejtorin e shkollës Xhevdet Doda, Isak Bregaj. Megjithatë, ai ka thënë se ligjërata ka qenë nga një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e ku në mesin e shumë temave për Gjykatat, kanë folur edhe për Gjykatën Speciale.
"Ka qenë ligjërata kështu për krejt Gjykatat, e është përmendur edhe Gjykata Speciale", tha Bregaj.
Megjithatë, dokumenti të cilin e ka siguruar Nacionale është me logo e të gjitha të dhënat nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Bazuar në dokument, del se aty është kontakti i Njësisë së Komunikimit në Gjykatën Speciale.
Nacionale ka kontaktuar me drejtorin e Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, dhe ai bëri të ditur se i ka ftuar drejtorët në takim. Ai tha se nuk kanë pasur asnjë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit për këtë çështje, dhe se në takim me drejtorët, do t'i diskutojë detajet. Shahini u shpreh se drejtoria nuk ka dhënë asnjë leje.
Nuk dihet se kush i ka mbajtur këto ligjërata, e as çfarë është folur në to.
Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresën e Gjykatës Speciale, dhe po pret përgjigje.
Dhomat e Specializuara të Kosovës një pjesë të buxhetit, ndër vite, e kanë shpenzuar në kampanja të cilat i kanë quajtur informuese. Përfshirë me gazetarë, shoqëri civile, juristë e fakultete juridike.