Frika në Rambuje, Kanuni e takimet me diplomatë – Krejt çka thuhet në dosjen e Thaçit në Speciale - NACIONALE

Frika në Rambuje, Kanuni e takimet me diplomatë – Krejt çka thuhet në dosjen e Thaçit në Speciale

1 vit më parë

nga Besian Beha

Plotë 81 faqe ka në total dosja paraprake e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po akuzohet nga Gjykata Speciale për krime të luftës. Detaje të aktivitetit të Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës janë zbardhur në këtë dosje nga avokati i ish-presidentit të Kosovës. Përmenden detaje të padëgjuara në Rambuje, raporti me partnerët ndërkombëtarë, e flitet edhe për Kanunin. Gazeta Nacionale sjell një përmbledhje të dosjes.

Një detaj interesant i padëgjuar më herët është zbardhur në dosjen paraprake që avokati i Hashim Thaçit e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale. Thaçi si përfaqësues i UÇK-së kishte një frikë për ta nënshkruar marrëveshjen. Frikësohej se do ta vrisnin kur të kthehej në Kosovë. Këto fjalë ai ia kishte thënë ndërmjetësuesit të Amerikës, Christopher Hill.

Krejt ky historik u shpalos nga avokati i Thaçit, Gregory Keohe, për të mbështetuar qëndrimin se vendimet e Thaçit vareshin direkt nga komanda e UÇK-së dhe ndryshimet që po bëheshin aso kohe në udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton gazeta Nacionale.

“Thaçi në Rambuje u paraqit si i arsyeshëm, i artikuluar dhe i gatshëm për kompromis. Me gjithë rininë e tij dhe papërvojën në negociatat ndërkombëtare, ai doli si bashkëbiseduesi i zgjedhur për komunitetin ndërkombëtar. Megjithatë, figurat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, e cila i kërkoi z. Thaçi të nënshkruajë marrëveshjen e propozuar, shpejt e kuptuan se ai nuk kishte autoritet për ta bërë këtë. Autoriteti i UÇK-së ishte në duart e komandantëve të zonave në terren. Diplomati amerikan Christopher Hill kujton se e pyeti Thaçin “pse nuk mund të pajtohesh me këtë?”, duke pasur parasysh atë që Hill i shihte si “pasojat gati fatale” të një refuzimi për të nënshkruar. Z. Thaçi u përgjigj se “Ju jeni që nuk kuptoni. Nëse pajtohem me këtë, do të shkoj në shtëpi dhe do të më vrasin”. Ky realitet ilustrohet nga fakti se ndërsa këto negociata po zhvilloheshin në Francë, prapë në Kosovë, komandantët e Zonës në fakt po ndryshonin përbërjen e UÇK-së, përfshirë edhe brenda udhëheqjes”, thuhet në dosjen që e ka dorëzuar avokati i Thaçit në Dhomat e Specializuara.

E kur përmendet Konferenca e Rambujesë, avokati i Thaçit ka folur edhe për qëndrimin që e ka pasur Adem Demaçi. Këtu, Keohe e ka cituar edhe librin e Shkëlzen Gashi me titull “Kosova, Lufta dhe Paqja”.

“Kur Grupi i Kontaktit thirri palët në Rambuje në janar 1999, Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së ishte Adem Demaçi. Që nga gushti i vitit 1998, Demaçi kishte funksionuar nga një zyrë e caktuar në Prishtinë, me 12 këshilltarë dhe mbante konferenca javore për shtyp për të prezantuar qëndrimet politike të UÇK-së. Ai u takua rregullisht me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare duke lëshuar leje për diplomatët dhe gazetarët ndërkombëtarë për të shkuar në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja dhe ndërmjetësoi lirimin e të burgosurve të UÇK-së. Ai ishte gjithashtu i vendosur kundër pranisë dhe pjesëmarrjes së UÇK-së në Rambuje”, thuhet më tutje në dosjen e avokatit të ish-presidentit të Kosovës.

“Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale” dhe Kanuni

Avokati i Thaçit ka pasur kundërshtime të ashpra për termin “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” të cilin e parashtron Prokuroria e Specializuar në Hagë. Këtu, avokati Keohe ka përmendur edhe Kanunin, duke tentuar ta mohojë termin “Ndërmarrje e Përbashkët”

“Ky realitet mbulohet nga filozofia e “Kanunit”, e drejta zakonore e pashkruar që rregullon disa pjesë të shoqërisë shqiptare dhe [REDAKTUAR] Në propagandimin e vlerave shoqërore si nderi dhe turpi, Kanuni ka shërbyer si justifikim ideologjik i dhunës, veçanërisht për aktet individuale të dhunës, veçanërisht vrasjet për hakmarrje dhe fshehjen e krimeve të zakonshme…Nuk mund të supozohet se njerëzit që kanë një objektiv të përbashkët janë domosdoshmërisht anëtarë të një NPK-je”, thuhet në dosjen e avokatit të Thaçit.

“Është ndërveprimi ose bashkëpunimi mes personave – veprimi i tyre i përbashkët – që i bën këta persona një grup. Ky veprim i përbashkët duhet gjithashtu të vendoset përtej një dyshimi të arsyeshëm. Përpjekjet e ZPS-së për të mbivendosur një kornizë të qëllimit të përbashkët mbi një realitet të plotë kaosi dhe paqëndrueshmërie, në mënyrë që ta lidhin z. Thaçi me incidentet e shkëputura dhe sporadike të dhunës, janë të pamjaftueshme. një teori rasti, e pambështetur nga provat e zbuluara dhe nuk mund të pajtohet me realitetin e ngjarjeve në fjalë”, thuhet më tutje aty.

Keohe ka akuzuar Prokurorinë se po tenton ta paraqesë Thaçin se ka organziuar një plan kriminal.

“Për të lidhur krimet e supozuara me z. Thaçi, Prokuroria është detyruar të paraqesë një rast në terma më të gjerë, duke u mbështetur në formën e zgjeruar të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale ("NPK") (e njohur si NPK III), formë e diskutueshme e përgjegjësisë penale individuale, e cila lejon që një i akuzuar të dënohet kur ai as nuk ka pasur për qëllim të ndodhte krimi dhe as nuk ka dhënë ndonjë lloj kontributi thelbësor në shfaqjen e tij. Në qendër është gjoja një plan kriminal, nga ana e z. Thaçi dhe të tjerëve, për të marrë pushtetin në Kosovë përmes kryerjes së krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”, thuhet në dosje.

Megjithatë, Keohe thotë se kjo nuk ka arritur të vërtetohet asnjëherë nga Prokuroria.

“Në realitet, Prokurorisë nuk vërtetojnë se: (i) ekzistonte plani i përbashkët kriminal; (ii) z. Thaçi ishte i angazhuar në një plan të përbashkët për të fituar dhe ushtruar kontrollin mbi Kosovën përmes kryerjes së krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës;22 (iii) ushtronte kontroll, efektiv ose ndryshe, mbi autorët e krimeve të supozuara;23 ose iv) ka dhënë një kontribut në kryerjen e krimeve që kanë pasur një efekt thelbësor në kryerjen e tyre”, thuhet në një pjesë tjetër

“Kosova e pavarur nuk është më rezultat i një lufte, të mbështetur nga aleatët ndërkombëtarë, për liri nga regjimi represiv dhe brutal serb. Në vend të kësaj, sipas ZPS-së, shtetësia e Kosovës është rezultat i një plani kriminal kompleks dhe të gjerë për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, nën sytë vigjilentë të po këtyre aleatëve ndërkombëtarë”, thuhet më tutje.

Avokati Keohe ka kundërshtuar ashpër faktin që Prokuroria e Specializuar në Hagë nuk po merret me gjenocidin që është kryer në Kosovë.

“Më i frikshëm është vendimi i ZPS-së për ta paraqitur rastin e saj në një zbrazëti kontekstuale; një histori ngjarjesh me historinë e fshirë. Rasti i ZPS-së anashkalon dekadat e persekutimit të shqiptarëve të Kosovës që kulmoi me një plan shumë të koordinuar nga shteti serb për të larguar popullsinë etnike shqiptare nga Kosova. Rezistenca e armatosur civile ndaj fushatës brutale serbe të spastrimit etnik, ZPS nuk e paraqet si betejë për mbijetesë, por si plan kriminal të UÇK-së për të marrë dhe mbajtur pushtetin. 863,000 shqiptarë të Kosovës u larguan për të shpëtuar jetën e tyre në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, ndërsa ishin në shënjestër të forcave serbe që synonin largimin e tyre”, thuhet në dosje.

Thaçi, lufta dhe ndërkombëtarët

Avokati Keohe ka përmendur në detaje, bashkëpunimin që e ka pasur ish-presidenti i Kosovës me ndërkombëtarë për çlirimin e Kosovës.

“Është e palogjikshme që Hashim Thaçi të ketë dhënë një kontribut të konsiderueshëm në krime, ndërkohë që ka punuar ngushtë me komunitetin ndërkombëtar në përpjekje për t’i ndalur ato. Duke lënë mënjanë pamundësinë fizike të përmbushjes së të dy objektivave, nuk mund të kishte pasur asnjë avantazh të mundshëm për të duke e bërë këtë; e ardhmja e një Kosove të pavarur mbështetej në mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, i cili kishte ndërmarrë veprime ushtarake për t’i çliruar ata nga serbët, dhe mbështetja e të cilit do të zhdukej nëse UÇK-ja do të angazhohej në një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile, siç pretendohet tani nga ZPS. Në veçanti, qeveria e SHBA-së e kishte bërë të qartë se UÇK-ja do të humbiste mbështetjen e saj nëse do të kishte në shënjestër civilët ose do të mbështetej te fundamentalistët”, ka pretenduar avokati Keohe.

Më 2 korrik 1999, thuhet se Thaçi nënshkroi dhe lexoi në shqip një deklaratë të përbashkët të liderëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës që dënonte dhunën dhe bënte thirrje për paqe dhe tolerancë.

“Më 8 korrik 1999, Thaçi përsëri dënoi një dhunë të tillë, duke e distancuar veten dhe Qeverinë e Përkohshme nga këto akte, dhe dënoi grabitjen dhe vandalizmin si [REDAKTUAR]. Më 17 korrik 1999, gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Tranzitor të Kosovës, z. Thaçi lavdëroi [ REDAKTUAR] të nevojshme për të punuar së bashku, dhe kujtoi se ai kishte bërë tashmë deklarata shumë të forta duke u distancuar nga krimet kundër joshqiptarëve, ndërkohë që ishte nën një presion të madh pasi kishte ende 6000-7000 të burgosur politikë shqiptarë në Serbi. Ai gjithashtu konfirmoi gatishmërinë e tij për t’u paraqitur publikisht me PSSP-në për të kërkuar që t’i jepet fund dhunës. Këto ishin mesazhe që jepeshin në gjuhët lokale, shpërndaheshin në nivel lokal, duke folur drejtpërdrejt me popullatën që sapo kishte përjetuar këto ngjarje”, specifikohet në një tjetër pjesë të dosjes.

Takimet e Thaçit me diplomatët:

Keohe ka renditur takimet që ish-presidenti i Kosovës ka pasur gjatë kohës së luftës:

1. Në Vienë, takim me….identitet i fshehur.

2. Gjenevë, takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Zvicrës dhe me delegacionin amerikan.

3. Belgjikë, takim me Nicole Fontaine, Presidente e Parlamentit Evropian.

4. Bruksel, takim me Pal Refsdal.

Udhëtimet e takimet që Thaçi kishte realizuar pas 23 shkurtit 1999, kur ishte ndërprerë Konferenca e Rambujesë.

6 . Slloveni, me Adem Demaçin, takimet me Sekretarin e Përgjithshëm slloven, Hernt Petricht dhe Carl Seibintritt si dhe me presidentin slloven Janez Drnovsek.

7. Tiranë, takim me Presidentin shqiptar, Rexhep Mejdani dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar, Paskal Milo;

8. Francë, për Takimin Ndërkombëtar për Paqen në Kosovë dhe rifillimin e Konferencës së Rambujesë.

9. Takimi me komandantët e zonave të UÇK-së për të diskutuar marrëveshjen e propozuar të Rambujesë me komandantët e zonave të UÇK-së.

Takimet nga marsi 1999 deri në shtator 1999:

10.Takimi me kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe kryediplomatin Paskal Milo.

11. Vizita e refugjatëve në Tiranë si dhe takimi me kryeministrin shqiptar, Pandeli Majko.

12. Vizita në Kukës në kampin e Refugjatëve me ish-zv/kryeministrin shqiptar, Ilir Meta dhe Ministrat e tij si dhe vizita në kampin e refugjatëve.

Takimet nga fundi i majit deri në mes të qershorit:

13. Paris, takimi me kryediplomatin francez, Hubert Vedrine.

14. Bruksel, takim me Javier Solana dhe me gjeneralin Clark.

15. Londër, takim me sekretarin e jashtëm Robin Cook.

16. Intervistë televizive.

17. Koln, Gjermani, dy herë, takim me kryeministrin britanik Tony Blair, takim më vonë me Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen dhe ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright.

18. Takim në Oslo me kryeministrin norvegjez, Kjell Magne Bondevik.

19. Takim në Bern me kryediplomatin zviceran, Josep Deiss.

20. Romë, takim me kryediplomatin italian, Lamberto Dini, si dhe konferencë për media.

21. Intervistë për media në Vienë si dhe takim me kryediplomatin austriak, Wolfgang Schuessel.

22. Shkup, takim me kryeministrin maqedonas Ljubco Georgjevski dhe me liderin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Arben Xhaferi si dhe vizita në kampin e Stenkovecit.

Takimet nga mesi i qershorit:

23. Takim me James Rubin, asisent sekretar i SHBA-VE për çështje të jashtme.

24. Takim me Javier Solana, komandantin Wesley Clark si dhe komandantin e KFOR- Mike Jackson.

25. Takim me liderët politikë serbë dhe shqiptarë, përfaqësuesit e KFOR-it.

26. Takim me senatorin Bob Dole.

27. Takim me Bernard Kouchner, në dy raste.

28. Takim me kancelarin gjerman, Gerhard Schroder, Rexhep Qosjen si dhe përfaqësues nga LDK.

29. Takim me sekretaren amerikane të shtetit, Madelein Albright.

30. Takim me kryeministrin britanik, Tony Blair.

Takimet në shtator 1999:

31. Në Londër, me Robin Cook.

32. Në Berlin, takim me kryediplomatin gjerman, Joschka Fischer.

33. Washington, në punimet e Seminarit për Ndërtim të Demokracisë, organizuar nga Instituti I Paqes.

34. New York, vizitë në OKB, takim me nënsekretarin general për politika, Kieran Predergast.

Lajme të ngjashme