Ekskluzive: Këto janë të gjitha dënimet e reja kundër dhunës që i prezantoi ministrja Haxhiu
Me datë 12 tetor, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i prezantoi masat të cilat pritet ta plotësojnë Kodin Penal të Kosovës e që kryesisht kanë të bëjnë me dhunën seksuale dhe atë në familje.
Ndalimi i marrjes së patentë-shoferit për dhunuesit, ndalimi i testimit të virgjërisë, ndëshkimi i dhunuesëve, ndaj grave që ushtrojnë ose konkurrojnë për të ushtruar funksion publik e publikimi i emrave të dhunuesve janë vetëm disa prej ndryshimeve që u përmendën nga Haxhiu.
Gazeta Nacionale e ka siguruar draftin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, me të gjitha sanksionet që priten të shtohen për kryerësit e këtyre veprave.
Marrja e patentë-shoferit për dhunuesit
Kjo ishte ndër pikat që e zgjoi kureshtjen më të madhe të qytetarëve, meqenëse asnjëherë s’ishte paraparë e ndoshta as s’ishte menduar se në kuadër të dhunimit mund të hynte një pikë që e sanksionon kryerësin me marrje të patentë-shoferit.
Në prezantimin paraprak të ministres, mbeti e paqartë nëse ky sanksion do të zbatohej vetëm për ata që nuk kanë patentë-shofer apo edhe atyre që dënohen për dhunë në familje, mund t’u merret më pas leja.
Në fakt, me plotësimin e Kodit Penal, pritet që të ekzistojnë të dyja këto sanksione. Edhe moslejim i përfitimit të patentë-shoferit, edhe marrje e lejes, nëse kryerësi i këtyre veprave veç është pajisur me të. Krejt kjo do të zbatohet për një periudhë prej një deri në pesë vjetësh.
“Gjykata i ndalon të drejtën në përfitimin e patentë shoferit dhe të drejtën në drejtimin e automjetit në çdo lloj të kategorisë, nga një (1) deri në pesë (5) vjet, personit që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit”, thuhet në plotësim-ndryshimin e Kodit Penal, të cilin e ka siguruar Nacionale.

Testimi i virgjërisë – mund të shkosh në burg deri në shtatë vjet
Nen tjetër që pritet t’i shtohet Kodit Penal, është ai për ndalimin e testimit të virgjërisë.
Testimi i virgjërisë do të jetë i ndaluar në Republikën e Kosovës, nëse ky projektligj kalon në Kuvend.
“Kushdo që e kryen testim apo ekzaminim mjekësor me qëllim të testimit të virgjërisë dënohet me gjobë dhe burgim nga një (1) deri në tri (3) vjet”, thuhet në projektligj.
Aty përmendet edhe sanksionimi me deri në shtatë vite burgim, kur kjo vepër penale kryhet në një ose më shumë rrethana si në vijim: “kur viktima është nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjet, kur vepra është kryer me kanosje serioze ose me kanosje për përdorim të dhunës, kur vepra është kryer bashkërisht nga më shumë se një person, kur kryerësi ka shfrytëzuar situatën në të cilën personi është i pambrojtur dhe ku siguria e tij është në rrezik, kur vepra është kryer nga profesionisti shëndetësor”.

Në projektligj, po ashtu, parashihet ndëshkimi i kësaj vepre, edhe nëse mbetet në tentativë.
Dhuna kundër grave në jetën publike
Kështu pritet të emërohet vepra, e cila e mban numrin 248 në këtë projektligj.
Mbase kjo pikë është ndër më të diskutueshmet, pasi kjo vepër mund të kryhet vetëm ndaj një kategorie të caktuar të grave, që ushtrojnë, ose konkurojnë për funksione publike, por që as në draftin të cilin e posedon Nacionale, e që pritet të inkorporohet në Kodin Penal, nuk jepen detaje.
Në këtë pikë, thuhet se do të ketë ndëshkim deri në tri vite burgim për këdo që, me qëllim të frikësimit ose detyrimit për të vepruar kundër vullnetit të tyre, me dashje, ushtron dhunë fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike, në formë të drejtpërdrejtë apo indirekte, ndaj grave që ushtrojnë funksione publike.
Pra, ky ndëshkim pritet t’i përfshijë kryerësit që këtë vepër e kryejnë ndaj grave që ushtrojnë ose janë kandidate për ushtrimin e funksioneve publike.

Në pikën tjetër të këtij neni, thuhet se nëse kjo vepër kryhet në formë të organizuar, cilësohet si rrethanë rënduese.
Listë publike për dhunuesit, sulmuesit seksualë dhe ata që kryejnë dhunë në familje
Neni 6 i këtij projektligji e obligon Këshillin Gjyqësor të Kosovës që, përveçse t’i publikojë aktgjykimet për të cilat kryerësi shpallet fajtor për ndonjërën nga veprat e lartcekura, të krijohet edhe një regjistër të cilin e mban KGjK-ja, por që do të jetë publik dhe i qasshëm për publikun.

Hiqet zbutja e dënimit
Zbutja e dënimit, e cila parashihet në nenin 71 dhe 72 të Kodit Penal, e parasheh shqiptimin e dënimit edhe më të butë sesa që parashihet për një vepër penale.
Aty janë të cekura disa prej rrethanave që mund të çojnë deri te kjo zbutje, si dhe kufijtë e zbutjes së dënimit, e që shpeshherë parashihet të hiqet gjysma e minimumit të dënimit të paraparë.
Megjithatë, asnjëra nga këto nuk do të vlejë për kryerësit që i kryejnë veprat penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.
Pra, secili që i kryen këto krime, do të dënohet veç sa parashihet me këtë kod dhe asnjë ditë më pak se aq.
Sanksione të tjera të parapara me këtë projektligj janë edhe: ndalimi i të drejtës për kandidim në çdo pozitë publike deri në 10 vjet, po ashtu ndalimi i punësimit në sektorin publik si dhe disa sanksione të tjera.
Në këtë projektligj janë shtuar edhe një sërë sanksionesh që hyjnë në Kapitullin e Krimeve Kibernetike.


