Ndryshimet e Kodit Penal: pse dhunuesit e grave do të privohen nga patentë-shoferët? - NACIONALE

Ndryshimet e Kodit Penal: pse dhunuesit e grave do të privohen nga patentë-shoferët?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhuna ndaj grave e posaçërisht ngacmimet seksuale e dhuna seksuale janë rritur kohëve të fundit. Gjatë muajve të fundit, disa raste tragjike e kanë tronditur Kosovën, përfshirë dhunimin nga 12 burra të vajzës 11-vjeçare, e për të cilin rast edhe u protestua nga mijëra njerëz në Prishtinë, duke kërkuar llogari.

Ndaj këtyre rasteve tashmë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, duke votuar një ndryshim në Kodin Penal, duke tentuar të ofrojë një platformë të re ligjore ndëshkuese ndaj dhunës në familje.

Megjithatë, Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, nuk ka ofruar arsyetim të hollësishëm se pse dhunuesit e grave do të privohen nga patentë-shoferi.

Vendim i Qeverisë

Këtë të mërkurë, pra më 12 tetor, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, është votuar një ndryshim në Kodin Penal. Më konkretisht, bëhet fjalë për veprat penale që parashohin masa ndëshkuese ndaj dhunës në familje, sulmit seksual e dhunimit.

Për këtë çështje, në mbledhjen e 100-të të Qeverisë Kurti II, ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka theksuar se këto masa të reja e përfshijnë privimin e njerëzve të dënuar për dhunim nga pajisja me patentë shoferi.

Përmes këtij Ligji për ndryshmin e kodit Penal për dhunim të sulmit seksual e dhunës në familje të shtohen dënimet plotësuese: ndalimin për kandidim në pozitë publike nga 3-10 vjet në pozitë publike; ndalimin në punësimin publik në të gjitha nivelet; ndalimin për përfitimin e patentë-shoferit për personin që është shpallur fajtor për këto vepra; ndalimi i aplikimit si investitor strategjik nga 3-10 vjet. Në rastet kur kemi të bëjmë me dhunim e sulm seksual, kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen”, tha Haxhiu në mbledhjen e Qeverisë.

Po ashtu, një ndryshim tjetër, për të cilin ministrja Haxhiu njoftoi në mbledhje, ishte edhe për dënimin e atyre që ushtrojnë një funksion publik e që dënohen për dhunë fizike, seksuale apo ekonomike ndaj grave.

Kushdo që me qëllim të frikësimit, me dashje ushtron dhunë fizike, seksuale e ekonomike ndaj grave që ushtrojnë funksione publike apo kandidat, parashihet që dënimi të jetë 6 muaj deri në 3 vjet, kurse për vepra penale në formë të organizuar cilësohet rrethanë rënduese. KGjK-ja e mban regjistrin me emër dhe mbiemër të personave që shpallen fajtor për këto vepra penale”, tha Haxhiu.

Pas mbledhjes së Qeverisë, zonja Haxhiu ka mbajtur edhe një konferencë për medie, duke ofruar detaje të reja për ndryshimet në Kodin Penal.

Ajo ka treguar se këto ndryshime kanë ardhur pas rritjes së numrit të dhunës në familje e sulmeve seksuale.

Ndryshimet që kemi bërë në Kodin Penal, siç e dini, për shkak të shqetësimeve që kemi me rritjen e rasteve të dhunës në familje e sulmeve seksuale. Qeveria e Kosovës, MD-ja i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për rishikimin e masave ndëshkuese, pasi kemi konsideruar që nuk janë të mjaftueshme masat aktuale”, tha Haxhiu.

E para e drejtësisë në Kosovë theksoi se të dënuarve për dhunë në familje apo dhunim do t’u ndalohet kandidimi për çdo pozitë publike për 3 deri në 10 vjet.

Së pari, ne kemi paraparë që gjykata t’ia ndalojë të drejtën e kandidimit në çdo pozitë publike nga 3-10 vjet personit që shpallet fajtor për dhunë në familje apo dhunim. Personat që shpallen fajtorë, nuk kanë me pasur të drejtë të punojnë në sektorin publik në të gjitha nivelet. Ua kemi ndaluar të drejtën e pajisjes me patent-shofer personit që është shpallur fajtor për veprën e dhunimit. Ndalohet leja e shitjes së pronave publike, me çfarëdo shërbimi, nga 3-10 vjet, dhe ndalohet aplikimi si investitor strategjik për 3 deri në10 vjet. Kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen në asnjë rast”, tha Haxhiu në konferencë për medie, raporton Nacionale.

Në ligjin aktual për patentë-shofer, kriteret e përcaktuara për pajisje kanë të bëjnë me moshën.

Si dhe neni 76, i cili përcakton se kur mund të bëhet anulimi i patentës së shoferit. Kryesisht, në këtë nen përcaktohet vlefshmëria e provimit të kryer.

Nuk dihet nëse projektligji i propozuar sot do t'i prekë edhe këto nene, meqenëse, me sa u kuptua nga fjalët e ministres Haxhiu, anulimi i patentës së shoferit mund t'i bëhet edhe kandidatit i cili e kryen provimin duke qenë i dënuar para më së largu 5 vjetëve për veprat e lartpërmendura.

Kujtojmë që gjatë këtij viti, ngacmimi dhe dhuna seksuale kanë qenë ndër temat më të diskutuara për shkak të rritjes së numrit të rasteve.

Së fundmi, alpinistja Mrika Nikqi e bëri publik në Facebookun e saj momentin e sulmit seksual nga një qytetar në Pejë, duke e shpërndarë videon e marrë nga kamerat e sigurisë.

Lajme të ngjashme