"Po ia thyejmë rekordet vetes": Çka tha Kurti në mbledhjen e shumëparalajmëruar të Qeverisë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka mbajtur sot mbledhjen jubilare të 100-të të Qeverisë së Kosovës. Çka tha Kurti?
Kryeministri e ka paralajmëruar mbledhjen në fjalë disa herë, e madje këtë e bëri edhe disa minuta para se ajo të mbahej, i ulur në veturën qeveritare.

Kurti, si dukej, i kishte marrë nga ministrat e tij 4-5 telashet e trashëguara nga qeveritë e kaluara, pasi fjalën e tij e nisi duke folur pikërisht për to.
“Do të jetë risi mbikëqyrja e punës së kabintetit qeveritar. Mandej kemi mungesa të mekanizmave për kompetencat që i ka Qeveria. Rreth 400 ligje janë kontradiktore. E kemi mungesën e sistemit që e evidenton cilësinë e zbatimit të ligjeve... Kemi mungesë të memories institucionale. Pastaj, sistemi i drejtësisë përgjithësisht joefikas, meqë ndalimi e parandalimi i kontratave të dëmshme shpesh mbetet pezull. E kemi edhe ngritjen e çmimeve, kemi pozita të larta me ushtrues detyre, neglizhencën dhe vonesat në punë nga pjesëtarë të caktuar të administratës. Përkundër dukurive negative që kemi trashëguar dhe sfidave me të cilat po përballemi, si Qeveri kemi arritur shumë suksese”, lexoi mes tjerash kryeministri.
Ai e përmendi edhe dorëzimin e dosjeve nga Ministria e Infrastrukturës në Prokurori.
Ndërkohë Kurti mes pengesash i përmendi edhe pandeminë dhe grevën e mësimdhënësve.
"Qeverisjen e kemi kuptuar si përgjegjësi e jo si privilegj dhe këtë e dëshmon edhe kjo listë e disa prej rezultateve tona, përkundër përballjes së pandemisë, krizës energjetike, inflacionit, grevës së pajustifikuar njëmuajshe në arsim", u shpreh kryeministri.
Por ai i ripërsëriti edhe ato që i konsideron si suksese të Qeverisë së tij duke thënë se po ia thyenin “rekordet vetes”.
“Një vit e gjysmë rritje dhe antikorrupsion, qeverisje socialdemorkate e stabilitet institucional. Financat publike i kemi kthyer në binarë. Nga 28.7% sa ka qenë, 21% në vitin 2022. Kemi ofruar mbi 750 milionë euro mbështetje për qytetarët për pandeminë, krizën energjetike e rritjen e çmimeve. Kemi rritjen ekonomike historike në vendin tonë në 10.7%. Kemi rritje enorme të të hyrave buxhetore në vitin 2021. Të hyrat e ATK-së për periudhën janar-gusht 2022 janë rritur 22.2% më të larta se në vitin 2021. Viti 2021 i suksesshëm, e në vitin 2022 po e thyejmë rekordin e vetes”, lexoi Kurti mes tjerash.
Në këtë mbledhje foli edhe ministrja Albulena Haxhiu, e cila njoftoi për plotësim-ndryshime në Kodin Penal për ta adresuar çështjen e dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave.
“Përmes këtij ligji për ndryshmin e Kodit Penal për dënimin e sulmit seksual e dhunës në familje, të shtohen dënimet plotësuese: ndalimin për kandidim në pozitë publike nga 3 deri 10 vjet në pozitë publike; ndalimin në punësimin publik në të gjitha nivelet; ndalimin për përfitimin e patentë-shoferit nga personi që është shpallur fajtor për këto vepra; ndalimi i aplikimit si investitor strategjik nga 3 deri 10 vjet. Në rastet kur kemi të bëjmë me dhunim e sulm seksual, kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen”, u shpreh ministrja.
Së shpejti Nacionale do të ketë një tekst të zgjeruar në lidhje me ndryshimet që janë paraparë.