"Duan t'i varrosin së gjalli”: Rama shpërthen ndaj ZPS-së "idiote ndërkombëtare" në Hagë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti “lajm të zymtë” kërkesën e prokurorisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës për dënimin me nga 45 vjet burg të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Edi Rama foli gjerë e gjatë për procesin gjyqësor që po shkon drejt fundit në Hagë gjat promovimit të librit “Kur heshtja flet” të akademikut Ahmet Shala. Ai tha se e kishte të vështirë të përgatiste fjalën pas publikimit të kërkesës së prokurorisë.
“Lajmi i zymtë nga tribunali në Hagë mbi kërkesën absurde të prokurorëve për të dënuar me nga 45 vjet katër udhëheqësit e UÇK-së. E pata të vështirë të shkruaja një fjalë, sepse përballë një situate të tillë fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur”, deklaroi Rama.
Ai krahasoi situatën me vendimet e drejtësisë ndërkombëtare ndaj figurave të dënuara për krime të rënda lufte, si Radovan Karagjigj dhe Ratko Mlladiq, të dënuar me burgim të përjetshëm.
“Sot, të dënuar nga ajo gjykatë janë Radovan Karaxhiqi… Ratko Mlladiqi… Tani sipas kërkesës së prokurorisë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë, në anën tjetër të barrikadës”, tha ai.
Rama theksoi se aktiviteti i ish-krerëve të UÇK-së nuk ka lidhje me terror ndaj civilëve apo spastrime etnike. “Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre e as i UÇK-së me terrorin mbi popullsinë civile… me përdhunime e vrasje”, u shpreh ai.
“Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje”, shtoi Rama, duke mbrojtur qëndrimin se lufta e tyre kishte karakter çlirimtar.
Ai përmendi me emër Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke thënë se nëse ata duhet “të varrosen për së gjalli”, atëherë përgjegjësia duhet të shtrihet më gjerë.
“Në qoftë se… duhet të vazhdojnë arrestimet, të arrestohet Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair”, deklaroi ai, duke përmendur liderët që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s.
Rama e quajti Zyrën e Prokurorit të Specializuar “Prokurori idiotësh”, duke shtuar se “prokurorët nuk janë thjesht idiotë, ata janë instrumenta të një gjykate që është edhe më politike”.
Sipas tij, situata është “shumë shumë shumë e rëndë” dhe kërkon reagim të përbashkët nga Shqipëria dhe Kosova. “Duhet të bëjmë ende më shumë për këtë, sepse është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare”, tha Rama.
Ai e cilësoi procesin si “pengmarrje për arsye politike”, duke përmendur raportin e Dick Marty dhe duke akuzuar për ndikime politike në Këshillin e Europës. “Asnjë lloj trafiku organesh nuk është provuar në asnjë formë”, përfundoi Rama.