Donika Gërvalla e ndërlidh Gjykatën Speciale veç me vrasjet e pasluftës, harron se aktakuza ndaj krerëve të UÇK-së përfundon në shtator të 1999-ës - NACIONALE

Donika Gërvalla e ndërlidh Gjykatën Speciale veç me vrasjet e pasluftës, harron se aktakuza ndaj krerëve të UÇK-së përfundon në shtator të 1999-ës

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i është rikthyer, sërish, diskutimeve për Gjykatën Speciale të Hagës.

Megjithatë, teksa fliste për punën e Dhomave të Specializuara, ajo e ndërlidhte kryekëput këtë Gjykatë me vrasjet politike të pasluftës.

“Është shumë e vërtetë që unë jam personi publik që më së shpeshti, me këmbënguljen më të madhe, me kosto të lartë politike e për sigurinë time e të familjes time, jam angazhuar për zbardhjen e vrasjeve politike. Nuk kam për të pushuar asnjëherë, sepse vrasjet politike të pasluftës janë një prej atyre plagëve që e hanë nga brenda shoqërinë tonë, kërkoj përkrahje nga çdo kush që angazhohet, të ndihmojë në zbardhjen e vrasjeve. Është skandali më i madh i pasluftës, jo vetëm që janë vrarë, por që është krijuar opinioni që nuk mund të flasësh”, tha Gërvalla në Pressing T7.

“Familjarët e viktimave të pasluftës kanë ndjerë lirinë të flasin me mua e të diskutojmë. Kjo intervistë e ka vetëm një arsye, sepse ka për t’u marrë, ka për t’u keqinterpretuar, ka për t’u interpretuar si arsyetim, fakteqësisht është që në vendin tonë gjykatat kanë dështuar, UNMIK, EULEX, po ka dështuar edhe sistemi gjyqësor i tërësishëm në zbardhjen e më shumë se 100 vrasjeve politike. Rastësi e madhe që ata që u vranë ishin njerëz të afërt me LDK-në e të afërt me Rugovën, ishin eksponentë të luftës, nuk kishin ardhur nga aeroplani në Kosovë. Edhe sot, edhe derisa të jap shpirt, kam për t’u angazhuar për zbardhjen e atyre vrasjeve të pasluftës, pavarësisht nga presioni”, tha Gërvalla më tutje.

Por, ajo që Donika Gërvalla nuk foli e as nuk u sfidua, ishte fakti se me cilat raste merret Gjykata Speciale, dhe deri në çfarë periudhe akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Donika Gërvalla ndoshta nuk e di, ose nuk do ta di, se aktakuza ndaj katër prej udhëheqësve të UÇK-së përfshin periudhën prej marsit 1998, deri në shtator të vitit 1999. Si rezultat, shumica e rasteve për të cilat flet Donika Gërvalla për vrasjet politike të pasluftës, NUK përfshihen në aktakuzën e Prokurorisë së Hagës.

“Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Hagës.

Gërvalla gjatë emisionit përmendi vrasjen e Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajn e Xhemail Mustafën. Por, që faktet në aktakuzë dëshmojnë se këto raste, nuk hyjnë nën aktakuzën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Smajl Hajdaraj u vra më 17 janar 2002, Tahir Zemaj më 4 janar 2003 e Xhemail Mustafa më 23 nëntor 2000.

Si rezultat, periudha e aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së nuk i mbulon këto raste.

Megjithatë, Gërvalla nuk e tha asnjë fjalë për këto fakte.

Ajo foli edhe për një dokument që tha se e ka dërguar në një bankë në Gjermani, e jo në Gjykatën Speciale të Hagës.

“Kjo situatë është e veçantë me një dokument, dhe lidhur me lutjen që ma ka bërë dikush që dokumenti ka dalur jashtë Kosovës. Nuk ka mes meje as atëherë e as sot asnjë kontakt me Gjykatën Speciale, nuk kam kontakt, arsyet i dinë Gjykata Speciale, jo unë, sepse jam shprehur publikisht. Ai ndodhet në saf të një banke gjermane. Atë dokument e ka pasur në posedim EULEX-i”, tha Gërvalla më tutje.

Lajme të ngjashme