Dështimi i madh: 24 vjet padrejtësi për Masakrën e Reçakut - NACIONALE

Dështimi i madh: 24 vjet padrejtësi për Masakrën e Reçakut

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Mëngjesi i 15 janarit të vitit 1999, ishte i kobshëm për 45 civilë në fshatin Reçak të Shtimes. Forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë. Pamjet e saj vërshuan mediat ndërkombëtare. Krimi i kryer mobilizoi botën për atë se çka po ndodhte në Kosovë. 24 vjet pas, drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e saj. Kriminelët janë të lirë, e ata pak të mbijetuar jetojnë mes tmerrit e dhimbjes.

Fillimisht UNMIK-u, pastaj EULEX-i, e tash edhe institucionet e drejtësisë vendore. Të gjitha e patën në dorë hetimin e masakrës së Reçakut. Hetim pati edhe nga Tribunali i Hagës gjithashtu. Megjithatë, pothuajse askush nuk është dënuar. Një i dyshuar serb ishte dënuar nga Tribunali për ish-Jugosllavi, ku Reçaku ishte vetëm një nga masakrat për të cilat akuzohej.

Megjithatë, ekskluzivisht për kryerjen e këtij krimi deri më tash, nuk dihet të jetë dënuar dikush. Kjo pavarësisht se një komandant serb edhe publikisht e kishte pranuar kryerjen e kësaj masakre. Fjala është për Goran Radoslaveviq, i njohur si Guri që ishte udhëheqës i Njësive Speciale të Serbisë. Megjithatë, ai deklaronte se janë vrarë vetëm ish-pjesëtarë të UÇK-së.

“Ishte një veprim legjitim i pastër policor, dhe antiterrorist. Aty nuk pati masakrës, u vranë vetëm terroristët që bënin rezistencë”, kishte deklaruar Radosavleviq për mediat serbe. Ky person asnjëherë nuk është akuzuar nga askush, madje është nderuar disa herë nga institucionet e Serbisë.

Radosavleviq është figurë e njohur dhe e afërt me pushtetin në Serbi. Ai edhe sot nderohet me mirënjohje të ndryshme nga institucionet në Beograd.

Në mesin e të vrarëve në këtë masakër, pati edhe fëmijë e pleq.

Heshtja e Prokurorisë Speciale

Në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, funksionon një department specifik që merret me trajtimin e krimeve të luftës. Prokurorët nga ky department deri më tash, kanë intervistuar pothaujse të gjithë dëshmitarët e kësaj masakre. Megjithatë, një aktakuzë ende nuk ka, pavarësisht se ekziston Ligji për Gjykimin në Mungesë.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale tash e disa ditë. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Megjithatë, nga ky institucion ditë më parë kanë bërë të ditur për televizionin ATV se kanë lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për 18 persona. Sipas dyshimeve, këta persona fshihen në Serbi. Nga Prokuroria, kanë thënë se mosbashkëpunimi ndërmjet Kosovës e Serbisë, po e vështirëson punën.

“Veprimet të cilat duhej të kryhen në territorin e Kosovës, në shumicë kanë përfunduar. Mungon bashkëpunimi me Serbinë. Megjithatë si rezultat i veprimeve hetimore kemi arritur të sigurojmë tre urdhra të rëndësishëm nga gjykata: urdhër-arrestimi, fletrreshtimi”, ka thënë prokurori Ilir Morina për ATV.

Fakt është që Prokuroria e Kosovës ka marrë kompetencat për trajtimin e këtyre rasteve tek para disa vitesh. Kjo pasi shumicën e kohës, procedurat janë inicuar nga misionet ndërkombëtare.

Pavaësisht faktit se në Kosovë kanë funksionuar misioni i UNMIK-ut dhe EULEX-it, ndonjë veprim konkret për sjelljen e kriminelëve para drejtësisë nuk ka pasur.

Gjykimi në mungesë

Kur u miratuan ndryshimet ligjore që i hapnin rrugë gjykimit në mungesë, të gjithë ishin krenuar. Kjo pasi thuhej se do të hapej rruga për trajtimin e krimeve të luftës në mungesë, pasi shumica e serbëve janë të pakapshëm për institucionet e drejtësisë.

Megjithatë, kur ka kaluar 1 vit që kur ligji është miratuar, nuk ka pasur ndonjë procedurë apo rezultat konkret në trajtimin e krimeve të luftës.

“Lejohet hetimi, akuzimi dhe gjykimi i të pandehurve në mungesë, duke respektuar standardet e së drejtës në gjykim të drejtë dhe parimeve tjera të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Një gjë e tillë përbën përjashtim nga rregullat e përgjithshme të procedurës penale, dhe duhet të jetë e lidhur me qëllimin e luftës ndaj pandëshkueshmërisë së krimeve kundër të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe të Drejtës Ndërkombëtare Penale, të kryera në territorin e Republikës së Kosovës, në një periudhë të tillë kohore në situatat kur të hetuarit/ akuzuarit nuk mund të vihen në dispozicion të autoriteteve të Republikës së Kosovës, sipas parimeve të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar”, thuhet në Ligjin për Gjykimin në Mungesë.

Në ligj, janë të parapara edhe detaje të ndryshme të cilat tregojnë për detajet e procedurave ligjore që zhvillohen, përfshirë faktin se i akuzuari llogaritet se është deklaruar i pafajshëm. Megjithatë, qysh në fillim shoqëria civile kishte evidentuar vështirësi të cilat mund ta bëjnë të pamundur gjykimin në mungesë të krimeve të luftës.

Tmerri në Reçak

Më 15 Janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 44 shqiptarë të paarmatosur.

Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.

Pasi e pa me sytë e tij këtë skenë, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak.

Figura e Walker u kthye në një hero për banorët e Reçakut dhe gjithë shqiptarëve të Kosovës. Në nderim të kontributit të tij, sot në Kompleksin Memorial të Reçakut, ekziston busti i tij.

Për bashkësinë ndërkombëtare, masakra në fshatin shqiptar të Reçakut (Shtime), në të cilin forcat policore dhe ushtarake ekzekutuan 45 civilë shqiptarë, u bë një pikë kthese vendimtare në luftën e Kosovës.

Lajme të ngjashme