Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përsëri në Venecia - NACIONALE

Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përsëri në Venecia

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

E hartuan Projektligjin, u kritikua ashpër nga opozita e shoqëria civile, mori vërejtjet e Venecias, nuk u votua nga Kryetari i Kuvendit, megjithëse kaloi në lexim të parë, Byroja Për Konfiskimin e Pasurisë, u dërgua sërish në Venecia.

Prapë, ishte Kryekuvendari Konjufca i cili tashmë ka dërguar amandamentet, e ndryshimet, që dolën pas vërejtjeve të para nga ky komision, e që u “përmirësuan” nga Grupi Punues.

Lajmin për ri-dërgimin në Venecia, fillimisht e dha ministrja e Drejtësisë, Haxhiu, por më pas e fshiu, dhe atë e bëri vetë iniciatori Konjufca, e Haxhiu vetëm e shpërndau njoftimin e tij.

“Pas përfundimit të punës së Grupit Punues në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në koordinim me Ministren e Drejtësisë, dje i jam drejtuar sërish Komisionit të Venecias, me kërkesën për verifikimin e amendamenteve, nëse janë adresuar të gjitha rekomandimet e tyre lidhur me këtë Projektligj.

Falënderoj secilin anëtar të Grupit Punues për përkushtimin dhe punën në këtë nismë të rëndësishme, me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.” shkroi Konjufca.

Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila ka synim, që pasurinë e fituar kundërligjshëm t’i kthehet shtetit.

Në fakt Byroja ishte ndër premtimet kryesore të Vetëvendosjes.

Këtij premtimi konkret i patën paraprirë, parullat e famshme: “Hajnat n’burg”, “Dyzi dymbëdhjetë kat”, “Me hajna, me hajna, nuk ka shtet” etj.

Por, përtej parulles, e pankartave, ta shkruash një Projektligj, që më vonë synohet të bëhet ligj, del të jetë një procedurë e komplikuar ligjore, e burokratike administrative.

Kaloi në lexim të parë, abstenoi Konjufca, vërejtje të mëdha

Projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë ka kaluar me 58 vota për dhe 3 abstenime, pa mbështetjen e opozitës, e me abstenimin e kryetarit Konjufca, më 14 korrik të vitit 2022.

Venecia në opinionet e publikuara në faqen zyrtare të Komisionit, drafti i ligjit për këtë Byro vlerësohet se ka shumë mangësi e paqartësi.

Rrezik për politizim të Byrosë. Mos-garancë për luftim të korrupsionit, e shkelje të të drejtave të njeriut. Këto janë vetëm tri nga shumë vërejtjet që i ka adresuar Komisioni i Venecias ndaj Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Projektligji do të zbatohej për pasuritë e përfituara në mënyrë të pajustifikueshme që nga 17 shkurti 2008, brenda 10 viteve kur zyrtarët kanë pushuar së ushtruari këto funksione. Gjithnjë sipas propozimeve të Ministrisë së Drejtësisë, këto hetime i kryen Byroja, e cila nëse vëren se ka mospërputhje në pasuri mbi 25 mijë euro, atëherë i nis hetimet.

Komisioni i Venecias se konfiskimi i pasurisë në rrugën civile, do të ishte rrezik për shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Komisioni i Venecias thekson se një konfiskim i tillë do të krijoj rrezik të shkeljes së të drejtave të njeriut. Prandaj, masat mbrojtëse procedurale në konfiskimin civil, janë po aq thelbësore sa në procedurën penale. Për më tepër konfiskimi duhet të jetë në pajtueshmëri me garancitë e të drejtave të njeriut si e drejta e pronës, dhe me kërkesa për gjykim të drejtë. Gjatë qëndrimeve në Prishtinë, përfaqësuesit e kuptuan se korrupsioni është problem i madh. Megjithatë, raportuesit fituan përshtypjen se vetëm një mjet i tillë nuk do të mjaftonte për të arritur përparim të rëndësishëm”, thuhet në opinionin e publikuar nga Komisioni i Venecias. Komisioni i Venecias ka konstatuar se themelimi i një Byroje për Konfiskimin e Pasurisë, mund të jetë edhe rrezik për përzierje të kompetencave.

“Është gjithashtu e diskutueshme nëse themelimi i një organi të tillë, do të bënte luftimin e korrupsionit më efektiv, ose do ta ndërlikonte edhe më shumë gjithë sistemin përfshirë Policinë, Prokurorinë, Organet tatimore e doganore e Agjensinë Kundër Korrupsionit. Sistemi i ri i verifikimit dhe konfiskimit duhet të jetë i kombinuar me sistemin ekzistues të deklarimit të pasurisë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për t’iu nënshtruar zyrtarët dy procedurave të ndryshme të verifikimit për të njëjtën pasuri. Byroja do ta kopjojë punë e Agjencisë, dhe kjo do të mund të shkaktonte një konfuzion, kompleksitet dhe sfida ligjore”, thuhet në rekomandimin e Komisionit të Venecias.

Në fakt, vërejtjet e Venecias, janë të shumëta, për të cilat Nacionale, ka raportuar hollësisht.

Të kthehet në pikën zero?

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili ka përcjellur vazhdimisht, punën e Drejtësisë në vend, e sidomos tash paralajmërimet për reforma në sistem, për Nacionalen, e ka quajtur të parpanueshëm, mënyrën se si u hartua ky projektligj.

Sipas Miftarajt i njejti duhet të kthehet në pikën zero, e të rishkruhet nga fillimi i gjithi.

Partia në pushtet po i jep kahje krejtësisht tjetër opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me Byronë, duke bërë përpjekje për të dërguar në publik me të drejtë mesazhin se Komisioni i Venecias ka miratuar iniciativën ligjore për miratimin e këtij ligji, por duke injoruar ose duke bërë përpjekje për të fshehur shqetësimet e mëdha që Komisioni i Venecias ka dhënë lidhur me përmbajtjen e këtij projektligji, që nga syri i një juristi mesatar lë për të nënkuptuar se ky ligj duhet të rishkruhet nga fillimi.”

Tutje Miftaraj, thotë se mënyra se si është hartuar ky Projektligj, i shkelë liritë dhe të drejtat e njeriut, në mënyrë arbitrare.

Përderisa është e drejtë legjitime e secilës qeveri për të popozuar ligje që mendon se mund të ndikojnë në përmirësojnë fusha të caktuara në shoqëri, njejtë është obligim i qeverisë që këto ligje të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Në rastin konkret, është e drejtë e qeverisë të propozoj dhe insistoj në miratimin e këtij ligji, sikurse është fakt se ligji si është propozuar shkel në mënyrë arbirtrare të drejtat dhe liritë e njeriut

Në këtë drejtim, e vetmja mënyrë që ky ligj të miratohet në harmoni me konkluzionet dhe rekomandimet e Venecias, i njëjti duhet të rishkruhet pothuajse nga fillimi.

Nuk dihet, se si do të përgjigjet Venecia, për amandamentimet që u bënë në këtë Projektligj, nga Grupi Punues, e ajo që dihet deri më tash është se ky projektligj, tashmë për të dytën herë do të jetë në duart e Komisionit të specializuar për çështje të tilla.

Lajme të ngjashme