Bosët e krimit në veri, të sanksionuar nga Amerika e Britania
Emrat e tyre gjithmonë kanë qenë të lidhur me krimin e strukturat ilegale në veri. Lidhja e Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq me krimin, tashmë është konfirmuar edhe nga dy super-fuqi botërore. Fillimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më pas edhe Britania e Madhe iu kanë vënë sanksione dy personave që njihen si “bosët e krimit” në veri. Nacionale sjell detaje.
Fillimisht me konfirmim nga Amerika, e sot edhe nga Britania. Zvonko Veselinoviq është identifikuar si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar. Bashkë me të, edhe
Milan Radoiçiq. Të dy bashkë gjithmonë janë identifikuar si bosët e krimit në pjesën veriore të Kosovës.
Milan Radoiçiq madje, ishte i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ai arratis disa herë nga Policia e Kosovës. Dyshohet edhe për përfshirje në rastin Brezovica. Për këtë madje, ka edhe urdhër-arrest.
Gazeta Nacionale sjell të përmbledhur sanksionet për Radoiçiqin e Veselinoviqin nga Amerika e Britania, dhe të kaluarën e errët të tyre.Sanksioni nga Britania e Madhe
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar për vendosjen e sanksioneve kundër shumë personave në pjesë të ndryshme të botës për shkelje të ndryshme, përfshirë korruptimin, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe dhunën seksuale të lidhur me konfliktet. Në mesin e personave të sanksionuar janë edhe serbët Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq.
Milan Radoiçiqi e Zvonko Veselinoviqi janë në grupin e personave të sanksionuar për shkak të korrupsionit. Radoiçiqi përshkruhet si “biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe”.
“Radoiçiqi ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe e ka përdorur ndikimin e tij për t’i shpërblyer kompanitë e tij të ndërtimit me kontrata fitimprurëse”- thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.
Zvonko Veselinoviqi përshkruhet si “biznesmen i industrisë së ndërtimit në Kosovë, që i shfrytëzon kontratat publike për të shpërdoruar fonde shtetërore”.
Në njoftim thuhet se vala e re e sanksioneve është bërë në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë dhe është veprim për t’i shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe Ditën e të Drejtave të Njeriut, shkruan Nacionale.
Sanksioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Në muajin dhjetor të vitit 2021, Radojiçiq e Veselinoviq ishin sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të departamentit të shtetit, kishte publikuar një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.
Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Veselinoviq identifikohej si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
“Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Sipas saj, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.
Në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Veselinoviqin ishte edhe Millan Radoiçiq, dikur nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë - Lista Serbe.
Në listë ishte edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.
Kush janë Milani dhe Zvonko?
Gjithçka që kryhej në veri, barrikada, sulme, të shtëna armësh, gjithçka nuk mund të realizohej pa urdhrin e Milan Radoiçiq apo Zvonko Veselinoviq. Ata ishin në krye të grupeve kriminale serbe që funksionojnë në këtë pjesë të Kosovës.
Milan Radoiçiq është i afërt i Zvonko Veselinoviq. Ky i fundit shpesh njihej si “baba i urës” të njohur si ‘baba i urës së Ibrit’. Me largimin e Veselinoviq, të gjitha kompetencat ai ia kishte bartur Milanit.
Grupet kriminale si “Mjekrroshat”, “Rojet e Urës” e deri te “Brigada e Veriut” tash, kishin disa udhëheqës. Kryesorët ishin Radoiçioq e Veselinoviq. Kjo ishte konfirmuar edhe në aktakuzën e Prokurorisë së Kosovës për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Milani e Zvonko kishin lidhje të ngushta me udhëheqës serbë të Policisë së Kosovës.
Në mesin e tyre është edhe Zhelko Bojiq, gjithashtu i dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Radoiçiq e Veselinoviq janë dyshuar edhe për përfshirje në kontrabandë.
Sot, Evropa e Lirë ka raportuar se ish-eprorët serbë që i ndihmoni Radoiçiqit, merrnin në këmbim vila afër Ujmanit si dhuratë.
Pasuria e bosëve të veriut
Një artikull i mediumit Nova në Serbi, kishte dhënë detaje mbi pasurinë marramendëse të Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq të cilët janë në listën zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dyshohen për vrasjen e politikanit serb Olivier Ivanoviq.
Veselinoviq dhe Radoiçiq kanë qenë partnerë biznesi për një kohë të gjatë. Ata zotërojnë kompanitë Novi Pazar put, Inkop nga Ćuprije, Betonjerka Aleksinac, Doli Bel.
Më i suksesshmi është Novi Pazar, i cili, siç shkruan gazeta NIN, ka pasur një fitim neto prej 20.9 milionë dinarë në vitin 2019, dhe gati 1.2 miliardë dinarë vitin e kaluar.
“Kompania e tyre “ombrellë”, Inkop nga Ćuprija, përmes së cilës hynë në botën e biznesit juridik, vitin e kaluar i siguroi Radoiçiqit dhe Veselinoviqit – Zvonkos dhe vëllait të tij Zharko një fitim prej gati 1.8 miliardë dinarë ose 15 milionë euro”, shkruan gazeta.
NIN bëri të ditur se përkundër mendimit se ai është biznesmeni më i pasur në Serbi, kompanitë e Miroslav Mišković-it mbesin seriozisht pas Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviç për sa i përket fitimeve të realizuara.
Siç ka shkruar më parë Nova.rs, për shembull, kompania “Novi Pazar put”, e cila është blerë nga Veselinoviqi dhe Radoiçiq në janar të vitit 2020, mesatarisht ka marrë të paktën një tenderë në muaj. Përveç kësaj, pothuajse në të gjitha rastet, ajo ishte ofertuesja e vetme. Inkop, nga ana tjetër, shpesh merrte punë si nënkontraktor në projektet më të mëdha të ndërtimit.
Të dy, thuhej se kanë edhe biznese tjera të përbashkëta në Kosovë.


