48 orë paraburgim për personin që dyshohet se e ndihmoi Faton Hajrizin për arratisje nga burgu
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar se ka ndihmuar Faton Hajrizin për arratisje nga Burgu i Smrekonicës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar arrestimin për Gazetën Nacionale.
Zëdhënësi bëri të ditur se i arrestuari, i dyshuar se ka ndihmuar Hajrizin gjatë arratisjes së tij, është duke u intervistuar.
Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime në lidhje me arratisjen e ndodhur ditë më parë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.
Në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me datë 20.07.2024 është ftuar për intervistim një person mashkull kosovar, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin pas arratisjes nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.
Për të gjitha veprimet hetimore është konsultuar prokurori kompetent, me vendim të të cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, ka thënë ai për Nacionalen.
Gjatë ditës së djeshme mediat serbe raportuan për vrasjen e Faton Hajrizit.
Faton Hajrizi ishte në arrati për më shumë se 30 orë pasi vrau policin serb dje pas mesnate.
Hajrizi dyshohet se është vrarë afër Loznicës, vendit ku dyshohet se e kreu krimin.
Ai ishte në kërkim të shtetit serb, pasi ishte shpallur si i dyshuar për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri.
LAJMI NË PËRDITËSIM...