3 vjet i dyshuar nga Gjykata Speciale – Avokati i Driton Lajçit kërkon ndërprerjen e hetimeve - NACIONALE

3 vjet i dyshuar nga Gjykata Speciale – Avokati i Driton Lajçit kërkon ndërprerjen e hetimeve

1 vit më parë

nga Besian Beha

Driton Lajçi, dikur Udhëheqës i Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale, vazhdon të mbetet nën hetime nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Që nga viti 2019 kur kishin nisur hetimet ndaj tij për pengim të drejtësisë e zbulim të dokumentave konfidenciale, hetimet ndaj tij po vazhdojnë.

Megjithatë, një gjë të tillë po e kundërshton avokati i Lajçit, Toby Cadman. Ky i fundit në një parashtrim drejtuar Gjykatës Speciale, ka kërkuar që hetimet ndaj Lajçit të ndërprehen.

“Z.Lajçi ishte njoftuar se është i dyshuar rreth datës 3 maj 2019, kur u takua me zv/prokurorin e atëhershëm Këai Hong Ip, dhe iu dha urdhëri për sekuestrimin e telefonit dhe më pas u ftua për intervistim si i dyshuar. Parashtrojmë në lidhje me kohëzgjatjen e hetimeve, dhe faktin se z.Lajçi është njoftuar zyrtarisht se është nën hetim, dhe ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë e ngritur publikisht”, thuhet në parashtrimin e avokatit të Driton Lajçit, raporton gazeta Nacionale.

Driton Lajçi aso kohe ishte i angazhuar si Drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Kur ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ai qëndroi për tri ditë me radhë në Hagë. Megjithatë, që nga atëherë, nuk është njoftuar as ndërprerja e hetimeve e as ngritja e ndonjë aktakuze.

“Hapi i parë që merret parasysh është periudha kohore që ka kaluar. Sipas nenit 6, koha fillon të ecë që nga njoftimi se një individ po dyshohet për një vepër penale. Pasi një individ është në dijeni se dyshohet për një vepër penale, nga ai moment ka interes që me vendim gjyqësor që të përcaktohet fajësia apo pafajësia e tij. Në rastin konkret, ishte 3 maji 2019. Periudha në të cilën përfundon koha, është kur përfundojnë procedurat dhe vendimi bëhet i formës së prerë. Në rastin konkret, çështjet mbeten në vazhdim, prandaj kërkesa është për një datë për dorëzimin e vendimit të Gjykatës”, thuhet më tutje në parashtrimin e avokatit Toby Cadman.

Avokati britanik ka parashtruar edhe në lidhje me kompleksitetin e rastit.

“Sa i përket kompleksitetit të çështjes, mbrojtja e Lajçit pohon se ka mospërputhje të konsiderueshme në lidhje me pengimin e drejtësisë, kur kjo lidhet me ndërhyrjen e qeverisë, duke përfshirë edhe shumë të pandehur të tjerë në njërën anë, dhe krimet komplekse ndërkombëtare në anën tjetër. Këta faktorë mund ta bëjnë çështjen ndoshta më komplekse, por jo ashtu siç pohohet nga Prokurori i Specializuar. Prokuroria hoqi dorë nga procesimi penal në lidhje me krimet financiare, dhe hetimet kanë të bëjnë vetëm me pengimin e drejtësisë. Përveç kësaj, ritheksohet se nuk ka asnjë provë për pretendimet e Prokurorisë se ish-anëtarët e Qeverisë së Kosovës, apo anëtarët e tjerë, janë implikuar në pengimet për të cilat akuzohet Lajçi”, bëhet e ditur më tutje në parashtrimin e avokatit Toby Cadman.

“Mbetet e paqartë se çfarë kërkesash formale i janë bërë z. Lajçi personalisht për të marrë informacionin e supozuar se mungon, dhe nuk janë zbuluar prova që të tregojnë se ai nuk ka bashkëpunuar”

Avokati sqaron edhe rolin e Driton Lajçit sa ishte pjese e këtij divizioni në Ministrinë e Drejtësisë.

“Gjyqtari u shpreh se veprimet e Lajçit kontribuuan pjesërisht në vonesa, pasi ai drejtonte një departament në Ministrinë e Drejtësisë. Megjithatë, parashtrohet se nga informacioni, nuk është e qartë se çfarë veprimesh ka bërë z.Lajçi që të ndodhin ato vonesa. Thjesht, veprimet e tij thuhet se konfirmuan vonesat, por pa pasur informatat të tjera. Më tej, z.Lajçi dha dorëheqje nga posti i tij më 2 nëntor 2022, dhe nëse Prokuroria ka mundur ta vërtetojë se ka kontribuar në këto vonesa, gjë që mohohet për periudhën 3 maj deri më 2 nëntor, ata nuk kanë dhënë llogari për periudhën pas largimit të tij nga posti qeveritar”, thuhet në parashtrim.

“Kriteri tjetër është sjellja e autoriteteve përkatëse. Lidhur me këtë, ka mungesë të plotë të ndonjë informacioni mbi të cilin mbrojtja e Lajçit mund të komentojë. Megjithatë, çdo vonesë që lind nga gjoja mungesë bashkëpunimi apo mosdhënie e informacionit nga Qeveria e Kosovës në përgjithësi, nuk i atribuohet z.Lajçi. Për më tepër, për sa i përket sugjerimit se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për vonesën, Prokuroria duhet t'i kujtohet se ajo është një autoritet vendor i ndjekjes penale të Republikës së Kosovës, jo një ent i veçantë i pavarur që vepron në vakum dhe është përgjegjës për çdo dështim”, thuhet në parashtrim.

Divizioni problematik i Ministrisë së Drejtësisë

Divizioni për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale, po del se është problematik. Së fundmi, është shkarkuar edhe drejtoresha e Divizionit, Pranvera Ejupi – Hajzeraj.

Siç ka raportuar sot Gazeta Nacionale, inicimi për shkarkimin e Ejupi-Hajzeraj erdhi për shkak të një takimi që ajo realizoi javën e kaluar me avokatin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Nga burimet e saj, Nacionalja mësoi se Ejupi-Hajzerajt i është kërkuar llogari për takimin me avokatin e Thaçit.

Por, kjo zyre, e cila merret ekskluzivisht me çështjet që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, që nga themeli ka qenë burim i problemeve. Puna në këtë divizion është përcjellë vazhdimisht me proleme.

Nëpunësit e Dvizionit kryejnë detyra që lidhen me mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që akuzohen nga Gjykata Speciale. Por, për të punuar aty, zyrtarët duhet të kalojnë rregullat e verifikimit, pasi që gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ata do të shqyrtojnë dokumente të klasifikuara.

Megjithatë, siç ka raportuar Nacionale ditë më parë, dy zyrtarë të këtij divizioni, po punojnë pa verifikimin e plotë që bëhet nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë. Dy zyrtarët, emrat e të cilave gazeta ndonëse i posedon, vendosi të mos i publikonte, nuk ishin pajisur me këto verifikime, pavarësisht se tash e disa muaj po punojnë në këtë divizion tepër të rëndësishëm.

Ndonëse, Ministria e Drejtësisë e pranoi se e kanë ulur nga sekrete të konfidenciale nivelin e klasifikimit, ata u shprehën se të punësuarit në Divizionin për përkrahjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, i kanë plotësuar të gjitha kushtet, përfshirë deklaratën për ruajtjen e konfidencialitetit.

“Qasja në dokumente të klasifikuara është çështje e cila rregullohet me legjislacionin përkatës, dhe zyrtarët që kanë qasje në informacione të klasifikuara, janë të pajisur me leje përkatëse të sigurisë, përkatësisht kanë nënshkruar deklaratat përkatëse të konfidencialitetit siç parashihet me ligj”, thuhet në përgjigjen e parë të ministrisë për Nacionalen.

Lajme të ngjashme