Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit e Kadri Veselit - NACIONALE

Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit e Kadri Veselit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Speciale me seli në Hagë ka vendosur që ish-presidenti Hashim Thaçi, e ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të mbesin në paraburgim.

Vendimi është marrë më 26 maj, kurse është publikuar tek sot, transmeton gazeta Nacionale.

Në mesin e arsyetimeve pse Thaçi e Veseli duhet të mbesin në paraburgim, gjyqtari ka përmendur edhe rrezikun e ikjes, ndikimit në procedura, e mundësinë e shkatërrimit të provave.

“Gjykata refuzon kërkesën për mbajtjen e një seance dëgjimore. Urdhëron vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin”, thuhet në vendimin që e ka parë gazeta Nacionale.

Gjykata Speciale nuk ka marrë parasysh as garancinë nga Policia e Kosovës se mund të zbatojë arrestin shtëpiak, e as garancinë nga shteti i tretë në rastin e Thaçit.

Arsyet për refuzimin e Thaçit

“Gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se është konstatuar rreziku që z. Thaçi të arratiset, në bazë të ndikimit dhe autoritetit të tij që rrjedhin nga pozitat që ai i ka mbajtur në të kaluarën, e që mund t’i përdorë për të kërkuar mbështetjen e ish-vartësve të OVL-UÇK-së e që mund t’i ndihmojnë atij të arratiset, duke siguruar qasje në informata e fonde”, thuhet në vendimin e Speciales.

Në mesin e arsyeve tjera që gjyqtari i procedurës paraprake ka përmendur edhe mundësinë e shkatërrimit të provave që sipas tij, do të ndikonte në procedurën penale.

“Gjyqtari rikujton se më parë është konstatuar se Thaçi ka tentuar ta minojë Gjykatën Speciale dhe ka ofruar përfitime për personat e thirrur nga Prokuroria (REDAKTUAR). Ai vazhdon të ketë autoritet dhe ndikim në Kosovë. Ekziston gjithashtu rreziku i frikësimit të dëshmitarëve ose anëtarëve të familjes së tyre. Në lidhje me këtë, gjyqtari konstaton se heqja e masave mbrojtëse e rrit rrezikun e pengimit të drejtësisë. Së fundmi, kujtohet se ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve, ndërhyrje në procedura. Pra rreziku që Thaçi të ndikojë, ekziston ende”, thuhet në vendimin e gjyqtarit.

Në vendimin e gjyqtarit te rasti i Thaçit, përmendet edhe kërcënimi ndaj Dick Martyt, për të cilin kishte bërë disa parashtrime mbrojtja.

“Ky argument nuk ka lidhje me çështjen e lirimit me kusht. Në çdo rast, atentati është ende i paverifikuar dhe mbrojtja nuk arrin të shpjegojë se si një komplot i tillë mund të çojë në përfundimet se nuk ka rrezik që Thaçi të ndërhyjë në procedurat e Gjykatës Speciale, ose të kryejë krime të tjera”, thekson vendimi.

Arsyet për refuzimin e lirimit të Veselit

Arsye pak a shumë të njëjta ka përmendur gjyqtari edhe në vendimin e tij për t’ia refuzuar lirimin me kusht ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Rreziku i ikjes është një nga arsyet kryesore që e ka përmendur gjyqtari në vendim. “Gjyqtari konstaton se rreziku i ikjes ende vazhdon të jetë prezent në lidhje me z.Veseli.”

“Gjyqtari i procedurës paraprake kujton se më parë është konstatuar se Veseli e ka aftësinë për t’i dhënë udhëzime një individi që vepron me Gjykatën Speciale, duke ndërhyrë drejtpërdrejt, dhe ai vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në Kosovë, të cilat do t’ia mundësonin atij të kishte akses në infromacione. Gjyqtari kujton se provat zbulojnë që përderisa z. Veseli ishte në krye të SHIK-ut, anëtarët e kësaj organizate ishin të përfshirë në ndikim te dëshmitarët. Në çdo rast lidhur me pretendimin e mbrojtjes se z. Bllaca kurrë nuk ka qenë agjent i SHIK-ut, gjyqtari konsideron se ky argument nuk ndryshon konstatimet e përfshira në aktgjykim. Në lidhje me konstatimin se Bllaca ishte agjent serb, kjo nuk e cenon konstatimin e mësipërm”, thuhet në vendim.

Arsye tjera të përmendura nga gjyqtari, janë edhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera që ndërlidhen me Specialen.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ekziston edhe më tutje rreziku që z. Veseli të kryejë krime të tjera, përfshirë dëshmitarët të cilët do të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, theksohet në vendim.

Gjyqtari i ka vlerësuar si të pamjaftueshme garancitë e zbatimit të arrestit shtëpiak nga Policia e Kosovës. Sipas vendimit, Qendra e Paraburgimit mbetet institucioni i vetëm kur të gjitha rrethanat e procedurave, mund të zbatohen në përpikmëri. Sipas gjyqtarit, kjo nuk do të ndodhte nëse Veseli lirohet në arrest shtëpiak.

Lajme të ngjashme