Puna e ndjeshme me Gjykatën Speciale - Divizioni problematik i Ministrisë së Drejtësisë - NACIONALE

Puna e ndjeshme me Gjykatën Speciale - Divizioni problematik i Ministrisë së Drejtësisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pranvera Ejupi-Hajzeraj, është shkarkuar javën e kaluar nga detyra e udhëheqjes së Divizionit për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Dhomat e Specializuara. Kjo nuk është dorëheqja e parë, pasi që dy vite më parë, nga aty ishte larguar edhe Driton Lajqi. Ky divizion, që është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, vazhdimisht ka qenë problematik për ta udhëhequr.

Siç ka raportuar sot Gazeta Nacionale, inicimi për shkarkimin e Ejupi-Hajzeraj erdhi për shkak të një takimi që ajo realizoi javën e kaluar me avokatin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Nga burimet e saj, Nacionalja mësoi se Ejupi-Hajzerajt i është kërkuar llogari për takimin me avokatin e Thaçit.

Udhëheqësja e Divizionit e ka pasur një takim me avokatin e Thaçit, Pierre Prosper, i cili javën e kaluar ishte në Kosovë. Këto takime kanë qenë normale, pasi zyrtarët e këtij Divizioni janë takuar edhe me avokatë të tjerë”, deklaruan burimet e e gazetës brenda Ministrisë së Drejtësisë.

Presioni i madh, siç shpjeguan këto burime, solli deri tek dorëheqja e detyruar.

Pas takimit, asaj (Pranvera Ejupit) i është bërë një presion tepër i madh. I kanë thënë se nuk po raporton saktë për takimet me avokatët, derisa e kanë detyruar që të premten të japë dorëheqje”, shtuan burimet brenda MD-së.

Por, kjo zyre, e cila merret ekskluzivisht me çështjet që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, që nga themeli ka qenë burim i problemeve. Puna në këtë divizion është përcjellë vazhdimisht me proleme.

Nëpunësit e Dvizionit kryejn detyra që lidhen me mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që akuzohen nga Gjykata Speciale. Por, për të punuar aty, zyrtarët duhet të kalojnë rregullat e verifikimit, pasi që gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ata do të shqyrtojnë dokumente të klasifikuara.

Megjithatë, siç ka raportuar Nacionale ditë më parë, dy zyrtarë të këtij divizioni, po punojnë pa verifikimin e plotë që bëhet nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë. Dy zyrtarët, emrat e të cilave gazeta ndonëse i posedon, vendosi të mos i publikonte, nuk ishin pajisur me këto verifikime, pavarësisht se tash e disa muaj po punojnë në këtë divizion tepër të rëndësishëm.

Ndonëse, Ministria e Drejtësisë e pranoi se e kanë ulur nga sekrete të konfidenciale nivelin e klasifikimit, ata u shprehën se të punësuarit në Divizionin për përkrahjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, i kanë plotësuar të gjitha kushtet, përfshirë deklaratën për ruajtjen e konfidencialitetit.

Qasja në dokumente të klasifikuara është çështje e cila rregullohet me legjislacionin përkatës, dhe zyrtarët që kanë qasje në informacione të klasifikuara, janë të pajisur me leje përkatëse të sigurisë, përkatësisht kanë nënshkruar deklaratat përkatëse të konfidencialitetit siç parashihet me ligj”, thuhet në përgjigjen e parë të ministrisë për Nacionalen.

Në tetor të vitit 2020, një tjetër dorëheqje nga drejtimi i Divizionit kishte ndodhur. Driton Lajqi, ish-aktivist i shquar në organizimin e protestave të studentëve në vitin 1997, ishte dorëhequr nga ky funksion.

Madje, ai ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit për zbulim të fshehtësisë zyrtare. Siç raportinin atëkohë mediat, atij i ishte konfiskuar telefoni mobil nga Prokuroria, pasi që në të dyshohej të ishin gjetur komunikime të cilat konsiderohen fshehtësi zyrtare, përfshirë me Abelard Tahirin, atëbotë ministër i Drejtësisë, i cili gjithashtu kishte pranuar ftesë nga Specialja, në cilësinë e dëshmitarit.

Megjithatë, asnjë procedurë penale nuk është zhvilluar mbi Lajqin në lidhje me dyshimet e Prokurorisë së Specializuar.

Ndryshe, javën e kaluar, Gjykata Speciale ka shpallur aktgjykimin e parë dënues për ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hysni Gucat e Nasim Haradinaj u dënuan nga Specialja me 4 vite e gjysmë burgim, për shkak të pengimit të drejtësisë, pasi që të njëjtit shpalosën dokumente konfidenciale të Prokurorisë së Specializuar.

Lajme të ngjashme