Veteranët e ‘rrejshëm’ dhe të ‘vërtetë’ – Historia e një procesi që është sërish në duart e Gjykatës - NACIONALE

Veteranët e ‘rrejshëm’ dhe të ‘vërtetë’ – Historia e një procesi që është sërish në duart e Gjykatës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Veteranë të rrejshëm, apo të vërtetë? Një pyetje që e shtrojnë të gjithë, kur përmendet lufta e UÇK-së, e sidomos tash kur po zhvillohen protesta. Për këtë çështje ishin akuzuar 12 persona, anëtarë të Komisionit Verifikues për Veteranë. U shpallën të pafajshëm, e para pak javësh rasti u kthye në rigjykim. Nacionale sjell një përmbledhje të gjithë procesit gjyqësor.

Çështja kryesore për ish-luftëtarët e UÇK-së, tashmë ndodhet në Gjykatën Themelore në Prishtinë. E rikthyer nga Apeli, për rigjykim nga fillimi.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me avokatin Tahir Rrecaj, i cili në këtë çështje e përfaqëson të akuzuarin Nuredin Lushtaku. I pyetur se a është caktuar seanca dhe a u janë dorëzuar ftesat për pjesëmarrje në gjykatë, Rrecaj tha:

Jo, ne deri më tash nuk kemi marrë ftesë. Ende nuk është caktuar seanca, rasti siç e dini është kthy në rigjykim, ftesa ende nuk kemi marrë”, u shpreh Rrecaj.

“Për Nuredin Lushtakun të cilin unë e përfaqësoj ka qenë vendim i padrejtë, ai ka marrë pjesë vetëm në një mbledhje të komisionit për verifikimin e katogrive të dala nga lufta. Në atë mbledhje nuk është marrë asnjë vendim meritor, se kujt t’i njihet statusi i veteranit apo jo. Për mua mbetet befasuese edhe vetë aktakuza, por edhe më befasuese është vendimi i apelit për ta kthyer në rigjykim rastin, sidomos për klientin tim, Nuredin Lushtakun”, deklaroi avokati.

Ftesat ende nuk i kanë marrë, por ato pritet t’i marin dita e ditës, e procesi do të filloj sërish nga fillimi.

Krejt kjo, pas një procesi maratonik në Gjykatën Themelore në Prishtinë e pritje më shumë se 1 vit në Apel, kur kjo e fundit e riktheu në rigjykim rastin. Themelorja fillimisht i pati gjetur të pafajshëm anëtarët e Komisionit Qeveritar.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, do t’i kthehen bankave të gjykatës, në cilësinë e të akuzuarve, për keqperdorim të detyrës zyrtare.

Ish ushtarët e UÇK-së, do t’i rikthehen edhe njëherë nga fillimi procesit gjyqësor, nën dyshimet se si anëtar të Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranit, invalidit e dëshmorit të UÇK-së, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njejtat në mënyrë që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror.

“Veteranët” e pafajshëm

Me datë 19 janar të vitit 2021, 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” të akuzuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” u shpallën të pafajshëm.

12 të akuzuarit u patën liruar nga akuza pasi që Gjykata nuk pati gjetur prova se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Apeli e kthen në rigjykim

Pas më shumë se një viti shqyrtim nga shkalla e dytë, kjo e fundit me datë 28 prill 2022, ka vendosur ta rikthejë rastin në rikgjykim. E gjitha kjo sipas apelit, sepse në Themelore, pati shkelje procedurale dhe shtrembërim të gjendjes faktike në terrën.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj ka vlerësuar këto dy shkelje.

Shkelja kryesore në vendimin e Apelit, kishte të bënte me faktin se gjykata në shkallën e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktet thelbësore, që kanë të bëjnë me miratimin e listave.

Komisioni ka miratuar listat përfundimtare me datë, 17.05.2016 sipas raportit nr. 1737 ku edhe i ka rekomanduar ato lista në Qeveri, rrjedhë se miratimi i listave ndërlidhet me ligjin e veçantë nr.261, në këtë kuptim Gjykata e Apelit ka gjetur se shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktin më thelbësor që ka të bëjë me miratimin e listave nga komisioni, në këtë çështje penale kur mbështetet në normat ligjore sipas së cilave të akuzuarit në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë vepruar dhe se kanë qenë dy ligje në fuqi kur kanë vepruar”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit tutje thekson se duke vërejtur se si fakt vendimtar në aktgjykim është pretenduar nga prokuroria se bëhet fjalë për 19 mijë e 500 aplikacione të cilat ndërlidhen me kategorizimin e këtyre aplikuesve, nga shkresat e lëndës rrjedhë se këto aplikacione nuk janë administruar si provë, por janë administruar listat si tërësi në numër prej 19 mijë e 500.

Tutje, në këtë vendim thuhet se duke mos u administruar si provë aplikacionet, gjykata nuk ka vërtetuar në mënyrë të plotë gjendjen faktike lidhur me këtë fakt vendimtar, ngase fakti këtu është shtruar se këto aplikacione sipas të dhënave që ato mbajnë, a janë këto aplikacione me përmbajtje siç pretendonte prokuroria, se ishin me kategori, mbështetje politike, logjistike, financiare, mbështetje mjekësore dhe detyra tjera të caktuara nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së.

Në arsyetim thuhet edhe se Apeli fillimisht ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vërtetuar faktin se te akuzuarit kur kanë vepruar kanë qenë dy ligje të veçanta në fuqi, kjo për shkak se Ligji nr.04/L-054, në nenin 12 ka përcaktuar rregullimin e kategorive dhe të beneficioneve me ligj të veçantë, gjë që ligji i veçantë nr.04/L-261 në nenin 2 përcakton fushëveprimin që e ndërlidh se fushëveprimi i këtij ligji është i mbështetur në ligjin 054 në nenin 12, sipas së cilit nen parashihet nxjerrja e ligjit të ri.

Kujtojmë se rasti “Veteranët” është një ndër rastet më sfiduese për drejtësinë kosovare.

Kjo edhe për shkak të ndjeshmërisë së temës por edhe historikut të saj, me prokurorin Elez Blakaj, përplasjen e tij me ish-kryeministrin Haradinaj e pastaj përfshirja edhe e vet Kurtit në këtë çështje.

Ku disa herë kryeministri, i pati bërë ftesë prokurorit Blakaj që të kthehet në Kosovë. “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, sigurisht nuk e keni harruar këtë thirrje?!

Lajme të ngjashme