Familja, dasma, shteti: Të afërmit e VV-së që u punësuan gjatë 1 viti të Kurtit në pushtet - NACIONALE

Familja, dasma, shteti: Të afërmit e VV-së që u punësuan gjatë 1 viti të Kurtit në pushtet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

“Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pasë njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbushë as ministritë me kushëri. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor, apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria.”

Ndoshta edhe keni harruar, por kështu kishte thënë kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së mandatit të dytë si kryeministër, që sot po e mbush plot një vjet punë, ose mospunë, si të doni.

Kryeministri i Kosovës kishte premtuar se në qeverisjen e tij do të ketë një qasje të re e cila nuk do të rrasej në punësimet partiake e familjare si në të kaluarën.

Mirëpo këto premtime dalin të pambajtura nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit Kurti.

Nacionale në këtë shkrim do të tregojë se kush ia pa hairin Qeverisë Kurti për shkak të lidhjeve familjare me pushtetarët e rinj.

Ka plot emra të familjarëve e farefisit të anëtarëve të Qeverisë Kurti të cilët janë punësuar e rahatuar në pozita të rëndësishme të organeve të shtetit.

Akullin e premtimit të Kurtit e theu kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të cilit iu punësua xhaxhai e tij, Rabiti, si këshilltar në ministrinë e Mbrojtjes.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, u angazhua në këtë drejtim. Atij iu punësua vëllai si këshilltar i ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë që kishte emrin Arben dhe mbiemrin Vitia. Vëllai i tij quhet Sami.

Një ndër punësimet familjare që bëri bujë të madhe, ishte rasti i nipit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimit.

Nipi i tij, Gëzim Tosuni, u emërua këshilltar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Ajo që habiti në këtë drejtim, përveç punësimit, ishte edhe arsyetimi i Besnik Bislimit që kishte thënë që “ndoshta s’e kishte parë nipin qe 50 vjet”.

Derisa fjalimet e tij mbi gjithësinë e raketat hapësinore në Kuvend komentoheshin pa pushim, Jahja Kokajt do t’i avancohej mbesa e tij, që mbante emrin Fadile dhe mbiemrin Dyla.

Deputet Jahjaja i pyetur për këtë avancim, kishte thënë se të vëllain (për vajzën e të cilit po bëhet fjalë) nuk e kishte parë prej fillimit të pandemisë.

Edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk i rezistoi tundimit të kolegëve të tij. Aliu ia doli lehtësisht që të punësojë motrën e tij, Suljota Aliun në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, institucion që është në kuadër të Ministrisisë së Shëndetësisë.

Edhe Lista Guxo që është bashkëpartnere në Qeverinë Kurti, iu bashkua punësimeve familjare. Haxhi Avdylit iu punësua djali i axhës, Emrushi, në Ministrinë e Shëndetësisë.

Me tej, Blerim Vela që është këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, e rahatoi vëllain e tij, Driton Vela, në Bordin Qendror për Shkollim Specialistik.

E hiç më larg se të hënën, më 21 mars 2022, ia pa hairin edhe anëtari i VV-së dega në Pejë, Fazli Shala. Ai u zgjodh drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Njëjtë u raportua edhe për drejtorin e Spitalit të Gjilanit.

Edhe në përzgjedhjen e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, qeveria Kurti kishte punësuar persona me librezë të partisë së tij.

Çka thotë programi i Qeverisë Kurti?

Ndryshe, në programin qeverisës 2021-2025, ndër të tjera thuhet se institucionet duhet të kenë një sistem kredibil dhe transparent.

“Do të zhvillohet një sistem kredibil dhe transparent i ngritjes së kapaciteteve në shërbimin civil, që siguron rekrutimet dhe avancimet e bazuara në meritokraci dhe që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët”, thuhet në programin e Qeverisë Kurti.

Gjatë prezantimit të këtij programin në Kuvendin e Koosvës, Kurti kishte thënë se do të kundërshtojë nepotizmin, gjë që nuk ndodhi.

“Ndershmëri qytetare në kundërshtim me nepotizmin dhe interesat individuale e grupore”, kishte thënë ndër të tjera ai.

Kundër punësimeve kishte plot zëra nga shoqëria civile dhe media kritike ndaj Qeverisë Kurti.

“Çudi qysh po qëllojnë më të mirët, më të mençurit, më profesionistët krejt familjarët e këtyre t’Vetëvendosjes që po punësohen nëpër institucione. Çudi qysh këta zyrtarët e Vetëvendosjes as që po kanë ide për këto punësime. Maskarenjtë nuk janë ndryshe”, kishte shkruar, analisti Imer Mushkolaj.

Më tej edhe partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], pati ngritur si çështje punësimet familjare.

LDK-ja pretendon për punësime në Postën dhe Telekomin e Kosovës [PTK].

“Një rast i fundit eklatant ishte ai i intevistimit të Komisionerit për Informim dhe privatësi nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje me poentim maksimal edhe përkundër faktit që i njëjti nuk kishte arritur poenat për të kaluar nga britanikët. Poashtu në vazhdën e këtyre emërimeve ishte edhe emërimi i aktivistiti të VV-së në pozita udhëheqëese në zyrat e financave dhe thesarit në Post Telekom”, kishin deklaruar në një konferencë për media.

Edhe parti të tjera kishin kundërshtuar ashpër punësimet familjare e partiake të Vetëvendosjes.

Lajme të ngjashme