Vrau kunatin dhe u dënua me 20 vjet burg, Nazmije Millaku apelon vendimin – seanca mbyllet për publikun
Në Gjykatën e Apelit është mbajtur të martën seanca lidhur me rastin në të cilin Nazmije Millaku akuzohet për vrasjen e kunatit të saj, Xhevdet Millakut, por e njëjta është zhvilluar pa praninë e publikut.
Mbyllja e seancës u kërkua nga pala e dëmtuar, S.M., e cila tha se kjo është e nevojshme për mbrojtjen e identitetit dhe interesit të fëmijëve të të akuzuarës, të cilët kanë qenë dëshmitarë gjatë procedurës.
Të njëjtin propozim e paraqiti edhe mbrojtësja e Nazmije Millakut, avokatja Mirvete Hashani, megjithatë kjo u kundërshtua nga vetë e akuzuara.
“Kam qejf me qenë publike, me ditë edhe të tjerët çka kam përjetuar në atë shtëpi. Prej anës teme i pranoj gazetarët. Unë jam viktimë këtu, jo këta. Kam duruar 30 vjet”, deklaroi e akuzuara Millaku para trupit gjykues.
Pas shqyrtimit të kërkesës, kryetari i kolegjit të Apelit, Xhevdet Abazi, bëri të ditur se seanca do të vazhdojë me dyer të mbyllura, me arsyetimin se duhet të mbrohen interesat e fëmijëve të përfshirë në rast.
Kolegji gjykues i Gjykatës së Apelit në këtë rast përbëhet nga Xhevdet Abazi në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues, Kadrije Goga-Lubishtani si gjyqtare referuese dhe Skender Çoçaj si anëtar.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 9 mars 2026, e shpalli Nazmije Millakun fajtore për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe e dënoi me 20 vjet burgim. Në të njëjtin aktgjykim, ajo u lirua nga akuza për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.