Vrasja e Liridona Ademajt: Krejt çka ndodhi në gjykatë gjatë procesit
Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29.11.2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Aktgjykimi është shpallur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatmire Dermaku, së bashku me anëtarët Gent Beka dhe Alban Ajvazi.
“Të akuzuarit i gjykoj: të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava u shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm. Të akuzuarit Kushtrim Kokalla i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh”, ka bërë të ditur gjyqtarja Dermaku.
Vendimi i shpallur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës u mirëprit nga familjarët e të ndjerës, Liridona Ademaj.
Leonard Ademaj, vëllai i viktimës, pas vendimit të gjykatës tha se ajo që u vërtetua përputhet me atë që familja ka deklaruar që nga fillimi.
“Ajo që u vërtetua sot është ajo që kemi thënë që nga fillimi: se Naimi, së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës, e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim nuk shkon vetëm për ne, por për Liridonën dhe për fëmijët e saj, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre. Andaj, ky dënim duhet të jetë mësim për të gjithë ata që tentojnë të kryejnë krime të tilla”, tha ai.
Ademaj shtoi se vendimi i gjykatës ka sjellë një lehtësim të pjesshëm për familjen dhe se pritjet për drejtësi kanë qenë të mëdha.
“Sado pak na ka lehtësuar dhimbjen edhe neve si familje. Besoj se ishte një vendim që e ka pritur i gjithë opinioni publik shqiptar, jo vetëm ne”, tha ai.
Ndërsa avokati i familjes Ademaj, Leutrim Sylaj, tha se në këtë rast janë shqiptuar dy dënime me burgim të përjetshëm dhe një dënim prej 30 vitesh, të cilin e cilësoi si “kuazi-dënim me burgim të përjetshëm”, ndonëse një formë e tillë nuk parashihet në Kodin Penal.
“Ashtu siç tha edhe Leonardi, sot drejtësia foli. U nxor një vendim në përputhje me provat materiale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor. U shqiptuan dy dënime me burgim të përjetshëm dhe një dënim prej 30 vitesh, që mund të konsiderohet si kuazi-dënim i përjetshëm, edhe pse nuk parashihet si i tillë me kod. Duke pasur të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit lidhur me lartësinë e dënimit, konsiderojmë se do ta ushtrojmë këtë të drejtë. Ka qenë një proces i ngarkuar dhe duhet të jemi të matur, të respektojmë vendimet e gjykatës dhe të përdorim mjetet juridike në dispozicion”, tha ai.
Në fund, avokati Sylaj bëri të ditur se do të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit lidhur me lartësinë e dënimit për të akuzuarin Kushtrim Kokalla.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 janar 2025, kishte ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Në seancën fillestare ndaj të akuzuarve, Murseli, Plava dhe Kokalla nuk e kishin pranuar fajësinë, ndërsa Tomë Dodaj ishte deklaruar i fajshëm, ku më pas Gjykata e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej pesë viteve për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” nga neni 364, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Gjykimi kishte vazhduar në sallat e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku ishin dëgjuar dëshmitarë dhe ishin prezantuar prova, në mesin e tyre edhe pamje nga kamerat e sigurisë. Në shqyrtimet gjyqësore të këtij rasti, mbrojtjen e tyre e kishin dhënë edhe tre të akuzuarit.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, i akuzuari kryesor, Naim Murseli, kishte dhënë disa versione të ngjarjes, duke deklaruar se ishte ndalur për shkak të një grabitjeje, pasi bashkëshortja e tij, Liridona, kishte bërtitur “ndalu, ndalu”.
Murseli gjithashtu ka pohuar se është në dijeni që arma, të cilën e kishte blerë një ditë më parë për Granit Plavën, është përdorur në vrasjen e gruas së tij.
Mbrojtjen e tij e kishte dhënë edhe Kushtrim Kokalla, i cili kishte deklaruar se Naimi e kishte mbajtur afër, sepse i kishte marrë disa para për kredi.
Ai kishte shtuar se nuk mund të konfirmojë nëse Murseli dhe Plava janë njohur më herët, duke theksuar lidhjet e tyre si bashkëfshatarë.
“Nuk mund të them që Naimi dhe Graniti nuk janë njohur më herët, pasi janë bashkëfshatarë, ashtu siç jam edhe unë me ta”, ka thënë ai.
Sipas Kokallës, kontakti mes tyre është realizuar përmes tij, pasi ishte pikërisht Murseli ai që i kishte kërkuar numrin e Plavës.
“Më ka kontaktuar Naimi në ËhatsApp dhe më ka kërkuar numrin e Granitit, dhe unë ia kam përcjellë”, ka thënë ai.
Kokalla bëri të ditur gjithashtu se kishte pasur disa takime mes tij dhe dy të akuzuarve të tjerë, Naim Murselit dhe Granit Plavës.
Para trupit gjykues, ai kishte folur edhe për raportin mes Murselit dhe të ndjerës Liridona Ademaj, duke thënë se mes tyre kishte probleme të vazhdueshme.
“Të gjithë kanë ditur për problemet e tyre, e ka ditur edhe familja Ademaj edhe familja Murseli…”, deklaroi ai.
I pyetur nga trupi gjykues për natyrën e këtyre problemeve, Kokalla u përgjigj: “Kanë qenë probleme xhelozie…”
Ndërsa i akuzuari i tretë, Granit Plava, ka dhënë dëshminë e tij duke u përgjigjur vetëm në pyetjet e avokatit të tij, Skender Gojani.
Në seancë, Plava kishte thënë se nuk qëndron më pranë deklaratës së dhënë më herët në polici. Ai deklaroi para trupit gjykues se deklarata e mëparshme ishte bërë në bashkëpunim me të akuzuarin tjetër, Naim Murseli, dhe nën presion nga policia.
“Nuk do të qëndroj pranë deklaratës së dhënë më herët. Sot do ta them të vërtetën. Atë deklaratë në polici e kam bërë në marrëveshje me Naimin dhe nën presion të policëve”, ka deklaruar Plava.
Sipas Plavës, Murseli i kishte premtuar se do të qëndronte në burg vetëm dy vite dhe më pas do ta nxirrte, duke pretenduar se kishte pushtet për ta bërë këtë.
Po ashtu, ai kishte thënë se i ishin ofruar para dhe punë në këmbim të marrjes së përgjegjësisë.
“Por asnjëherë nuk më ka treguar kush është personi. Vetëm më ka thënë se ti do ta marrësh përgjegjësinë, asgjë tjetër. Kur të bëhen dy vjet, do të të nxjerr nga burgu. Ti e di çfarë pushteti kam. Më ka ofruar para dhe punë”, ka deklaruar Plava.
Në seancat e shqyrtimit gjyqësor janë dhënë edhe fjalët përfundimtare të palëve.
Vendimi u dha sot, më 21 prill 2026, ku në sallë të pranishëm ishin prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, si dhe anëtarë të familjes Ademaj, përfshirë Leonard Ademaj dhe Hajdar Ademaj, vëllai dhe babai i të ndjerës Liridona Ademaj.
Ndërsa tre të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, kishin deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, të pranishëm ishin Shemsedin Piraj dhe Teuta Zhinipotoku, avokatët e të akuzuarit Murseli, si dhe Skender Gojani, avokati i të akuzuarit Granit Plava.