"Veç nëse më çoni në varr, s’ka votim": Probleme në BIK-un e Drenasit, mulla Osmani tregon çka iu tha në mbledhje
Të hënën u mblodhën hoxhallarët dhe delegatët e tjerë në Këshillin e Bashkësisë Islame në Drenas. Megjithatë, jo gjithçka shkoi mbarë e mirë. Një përplasje verbale ndodhi gjatë mbledhjes për shkak të pjesëmarrjes së disa delegatëve.
I përfshirë në këtë “debat të nxehtë” ishte Osman Musliu, hoxhë i njohur nga Drenasi, dhe zyrtarë të BIK-ut në Drenas. Këta të fundit, pra BIK në Drenas, nuk kanë dashur të flasin në lidhje me mbledhjen e së hënës që u përcoll me ngritje tonesh.
Ndonëse Nacionale qëndroi në selinë e BIK-ut në Drenas, ata thjesht refuzuan të flasin.
Në anën tjetër, mulla Osman Musliu nuk ngurroi të tregonte anën e tij në lidhje me përplasjen verbale në mbledhjen e së hënës. Në intervistën për Nacionalen, hoxhë Musliu tregoi se e ka penguar procesin zgjedhor për shkak të pjesëmarrjes së dy delegatëve, të cilët, sipas Musliut, ishin pjesë e grupit që e rrahën atë më 2009.
“Unë pastaj e shtrova një kusht. “Nëse nuk hiqet ai delegat, imami me dy delegatët e xhamisë, atëherë këtu Kuvend nuk mund të zhvillohet, sepse është provokim i ashpër, provokim i keq”. Në Bashkësinë Islame po instalohen ekstremistë, po instalohen rrymat të cilat na kanë shkaktu plagë dhe kanë shkaktuar telashe në xhaminë e Drenasit dhe në nivel të Kosovës.” – ka deklaruar Osmani për Nacionalen.
Në intervistën për Nacionalen, Musliu ka sqaruar se ai nuk e ka kërcënuar askënd, ndonëse e pranon se ka folur me zë më të lartë.
“Ata e bënën listën, iu thash “shiqo, këtu nuk ka mundësi kush me bo votë, pa dalë qata jashtë…Natyra jeme është e kam pak zërin e ngritur, është e vërtetë. Mirëpo unë nuk kam pasur ndryshe, jo (nuk kam kërcënuar v.j.), unë veç iu kam thënë që “qëtu votim nuk ka, pa dalë qata jashtë”. Është e vërtetë e madhe, pa shku unë në spital ose në varr, këtë e kam thënë. Pa më sulmu mue, pa më çu mu në spital ose pa dalë ata njerëz, nuk ka mundësi. Në fund, e kanë realizu kërkesën time” – shtoi ai.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresë të Bashkësisë Islame të Kosovës, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.