Rozeta Hajdari del para Gjykatës për dallaveret me rezervën, seanca mbyllet për publikun
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka dalë sot para Gjykatës nën akuzat për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, së bashku me Hajdarin, akuzohen edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Kjo seancë u mbyll për publikun pasi që Florent Latifi, avokati i të pandehurës Hajdari, deklaroi se palët në procedurë nuk posedojnë certifikata sigurie, të cilat do t’u mundësonin qasje në dokumentet e klasifikuara të këtij rasti.
“Asnjë nga ne avokatët, asnjë nga bashkëpunëtorët e prokurorit, asnjë nga policët hetues të angazhuar nga prokurori, nuk kanë pasur dhe nuk kanë të drejtë as sot të kenë qasje në ato dokumente”, tha Latifi.
Të njëjtin qëndrim e shprehu edhe avokati Feim Alaj, mbrojtës i të akuzuarit Irfan Lipovica.
Ndryshe nga këta dy mbrojtës, avokati i të pandehurit Hafiz Gara, Njazi Mehmeti, kërkoi që seanca të mbahet e hapur për publikun, ndërsa avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, ia la në diskrecion gjykatës vendimmarrjen për këtë çështje.