"Qe 6 vjet tuj e zhagitë, kërkojmë drejtësi": Prindërit e Agonis Tetajt emocionohen në Gjykatë për rastin që kishte tronditur Kosovën
I dënuari për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj ka dal për herë të dytë para trupit gjykues në Gjykatën e Apelit.
Gogaj u paraqit në Apel pas ankesave, në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës, ku ishte dënuar më 7 vite e gjashtë muaj burg për vrasje nga pakujdesia.
Ankesë në Apel kishin parashtruar Prokuroria Themelore e Pejës, avokati i palës së dëmtuar, Berat Tmava, si edhe Besnik Berisha, avokat i të akuzuarit Gogaj.
Avokati Tmava sot në Gjykatën e Apelit tha se qëndron prapa ankesës së tyre, duke kërkuar nga Apeli që Shaban Gogaj të shpallet fajtor për vrasje të rëndë e jo për vrasje nga pakujdesia.
“Familja besoj që e kanë zbehur besimin në drejtësi, duke pasur parasysh këtë çështje pasi që ka pas ndërhyrje të shumtë nga persona që nuk ja dojnë të mirën drejtësie kanë kaluar më tepër se 6 vite prej kur është vrarë Agonis Tetaj edhe ende nuk po mujm me gjet lehtësisht.” - tha Tmava.
Drejtësi për vdekjen e Agonisit, kërkuan edhe prindërit e tij, Isuf dhe Nurije Tetaj.
“Unë prej fillimit, që ka ndodhur ky rast, kamë kërkuar prej drejtësisë me vendos bile brenda një viti, kjo gjashtë vjet e 10 ditë u bonë, unë tu zhagit, tu u maltretu me gjithë familje neper seanca.” – u shprehë më shumë emocione Isuf Tetaj.
“Jemi që gjashtë vjet e 10 ditë nëpër dyer të gjykatave, kërkojmë drejtësi për Agonisin, kërkojmë ju me marrë një vendim.” – ka thënë ndër të tjerash Nurije Tetaj.
Në seancën e Apelit, u deklarua edhe avokati i të akuzuarit Shaban Gogaj, Besnik Berisha, ku ka kërkuar nga trupi gjykues që përfundimisht të vendosni drejtë dhe ligjshëm
“Apeli jonë është që për rrethana lehtësuese që i kemi artikuluar në ankesë, ankesa jonë të aprovohet, ankesa e palës së dëmtuar të konsiderohet e pa lejuar, ankesa e prokurorisë njëkohësisht dhe ju përfundimisht të vendosni drejtë dhe ligjshëm me rrethanat që i kemi ofru.” – ka thënë Berisha ndër të tjera.
I akuzuari Gogaj u deklaruar se pajtohet me deklarimin e avokatit të tij.