Prestigjiozet botërore me sy kah Kosova, para ndeshjes historike. Një hap larg Kupës së Botës
Dhjetë vjet më parë, Kosova nuk njihej nga futbolli ndërkombëtar; tani, është një ndeshje larg Kupës së Botës.
Të martën, shteti me rreth 1.6 milion banorë përballet me Turqinë në finalen e play-off-it. Një fitore do të shënonte një kthesë historike, jo vetëm sportive, për një vend që ende lufton për njohje të plotë ndërkombëtare, shkruan gazeta më prestigjioze amerikane, The New York Times.
The New York Times përmes këtij artikulli ka sqaruar historikun e Kosovës në futboll përgjatë viteve.
Jo vetëm kjo gazetë, sot Kosova, fal ekipit fantastik në futboll, është top tema në shumë gazeta të mëdha botërore.
Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, “Kosova e vogël kërkon historinë e Kupës së Botës me ndeshjen vendimtare kundër Turqisë”.
Reuters e ka përshkruar rritjen graduale të ekipit të Kosovës dhe arritjen e saj në finale të play-offit, dhe shkrimi është përcjellë nga shumë mediume ndërkombëtare.
Kosova ka qenë edhe në qendër të The Guardian, BBC e mediave të tjera të huaja.
Kurse, kombëtares së Kosovës, një artikull të veçantë ia ka dedikuar gazeta italiane, Corriero dello Sport.
Kjo gazetë shkruan se nuk është rastësi që Kosova, edhe pse një realitet ende i ri në futbollin ndërkombëtar, ka ndërtuar tashmë një identitet të vetin. Nuk ka thellësinë e të mëdhenjve, por ka entuziazëm, intensitet dhe një motivim të veçantë.
Për Kosovën kanë shkruar edhe mediat në Spanjë, Gjermani, si edhe mediat në Hungari.
Ndeshja historike, Kosovë-Turqi zhvillohet sot nga ora 20:45 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.