Pako ushqimore, teknikë të bardhë e renovim të shtëpive - Subvencionet e reja të Qeverisë, ama vetëm për minoritete
Shtesa prej 10 eurove për nënat e reja, 10 për fëmijë, pak më shumë për studentë, subvencionim të pajisjeve që kursejnë energjinë e deri tek subvencionim të energjisë elektrike nëse kurseni, janë disa prej formave që Qeveria e Kosovës ka tentuar që të ndihmojë familjet kosovare gjatë kohës së inflacionit dhe krizës ekonomike post-covid.
Së fundmi madje doli edhe me projektin “super puna” ku subvencionon gjysmën e pagës për 6 muaj për ata që punësohen për herë të parë.
Nuk dihet se sa multietnike ka qenë aplikimi në këto forma të ndihmave dhe sa multietnike ka qenë shpërndarja e tyre por ajo që dihet është se Qeveria ka ndërmarrë edhe një masë tjetër të ndihmave, por këtë herë vetëm për pakicat kombëtare.
Kësisoj krahas ministrive, asaj të Financave që drejtohet nga Hekuran Murati dhe të Ekonomisë nga Artane Rizvanolli, një ministër tjetër ka dalë me një pako tjetër ndihmash, por jo për të gjithë qytetarët.
Është Ministria për Komunitete dhe Kthim që ka shpallur gjashtë thirrje të reja për ndihma të ndryshme për komunitetet pakicë. Afati i fundit për të aplikuar është 17 marsi.
Cilat kanë këto thirrje? Nëse jeni pjesë e komuniteteve pakicë, e njihni dikë apo thejshtë jeni të interesuar, klikoni mbi secilën thirrje për të kuptuar më shumë rreth kritereve.
Thirrja publike për pako ushqimore higjenike, për Ndihma me Teknikë të Bardhë, per Ndihma me Mobile, për Ndihma me material ndërtimor, për Renovimin e Shtëpive dhe për Ndërtimin e Shtëpive, janë forma përmes së cilës ministri Nenad Rashiq ka vendosur që me një buxhet prej 2 milion eurove t’i ndihmojë familjeve nga pakicat kombëtare.
“Mbi 3 mië e 500 aplikime kanë ardhur deri më tani”, tha ministri gjatë një konference për media të thirrur pikërisht për këtë punë por që pak u fol për këto thirrje.
Mes pyetjeve pa fund politike që kishin gazetarët e pranishëm, interesimi im ishte që të pyesja se nga cilat minoritete kanë aplikuar, por ministri nuk më dha ndonjë të dhënë.
“Ende si kemi, kur të mbyllet konkursi do ta dijmë”, tha ai, teksa u vërshua nga pyetjet politike mbi takimin mes kryeminsitrit Kurti dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, propozimi franko-gjerman dhe nenet problematike të këtij propozimi.
Por unë vendosa që të provokojë me një pyetje e cila është e bazuar në “barazinë” pa dallime etnike apo kombëtare. Pse duhet të ketë ndihma ose subvencionime të ndara në baza etnike? Me pak hulumtim kuptova edhe arsyen bazike, për shkak se shumica e minoriteteve pakicë përpos atij serb që merr subvencione edhe nga shteti i Serbisë, të tjera pakica kanë vetëm Kosovën dhe shumë nga ta jetojnë në kushte të varfërisë.
Por lindi pyetja tjetër. Pse këto të mos bëhen në koordnimin mes ministrive? Por nëse Murati e Rizvanolli nuk kanë mundur ta bëjnë një thirrje të tillë të përbashkët, pse t’i kërkojë këtë llogari minsitrit Rashiq. Kështu që e pyeta nëse me këto thirrje për ndihma po tenton t’i bëjë konkurrencë Hekuran Muratit.
“Ne jemi ekip”, u përgjigj ministri. Por përtej kësaj, konferenca e thirrur për komunitetet pakicë, u shndërrua në një konferencë për vetëm një komunitet: atë serb që jeton në Kosovë.
Sesi shkoi konferenca më e koklavitur që kam parë ndonjëherë, shikojeni videon: