Nga 51% në krizë: Dështimi për president çon vendin në zgjedhje të parakohshme
122 ditë nuk ishin boll që pushteti të pajtohej me të tjerët për një president.
Fitorja plebishitare prej 51.1%, pas katër muajsh i hoqi vetes mandatin katër vjeçar.
Albin Kurti tash është veç kryeministër në detyrë.
Mund të administrojë, por jo merr vendime si pushtet fuqiplotë.
Dhe krejt kjo, pas dështimit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit kushtetues.
Me dështimin e procesit në Kuvend, aktivizohet pasoja e paraparë me Kushtetutë dhe e qartësuar edhe nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese: Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.
Pas shpërbërjes së Kuvendit, opozita është shprehur optimiste për zgjedhjet e reja, të cilat pritet të mbahen gjatë muajit qershor.
Në reagimet e tyre partitw opozitare i kanë kërkuar ushtrueses së detyrës të presidentes, Albulena Haxhiu, që sa më shpejt të caktojë datën për mbajtjen e zgjedhjeve.
Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës.
Përmes një komunikate për media, kjo parti ka bërë me dije se pushteti aktual mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar, si shkaktar i krizave të njëpasnjëshme politike.
Pas dështimit të zgjedhjes se presidentit ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixiku.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se Republika e Kosovës nuk u nënshtrua.
Në aktgjykimin e fundit, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se nëse Kuvendi dështon ta zgjedh presidentin vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.
Në bazë të këtij aktgjykimi nënkupton që e diela e fundit brenda këtij afati është 7 qershori.