Në mes të Chris Hillit dhe Richard Grenellit, unë do ta votoja Grenellin
Dy gazetat e mëdha liberale, andej e këndej Atlanatikut, New York Times dhe The Guardian, sot ne ballinat e tyre e tregojnë se qysh sondazhet e ditëve të fundit po e favorizojnë Donald Trumpin për President te Amerikës.
Lajmi i parë i keq për kandidaten e demokratëve, Kamala Harris, është që njerëzit me ngjyrë nuk po rreshtohen pas saj, qysh ishin rreshtuar pas Biden-it në vitin 2020 dhe Hillary Clintonit në vitin 2016.
Qe qysh është puna: në vitin 2016, 92 përqind e krejt personave me ngjyrë të zezë e kanë votuar Hillarin për Presidente, e që - megjithatë ajo i ka humbë zgjedhjet.
Në vitin 2020, 90 përqind e personave me ngjyrë të zezë e kanë votuar Bidenin për President. Biden ka fitu.
Sipas sondazheve të fundit, kur janë pyetur, vetem 78 përqind e personave me ngjyrë kanë thënë që do ta votojnë Kamala Harrisin për presidente, kurse 15 përqind Trumpin.
Nëse kjo nuk ndryshon, atëherë praktikisht Trump i ka gjasat maksimale për t’u rikthyer në Shtepinë e Bardhë.
Ne kategoritë tjera demografike mundësitë për lëvizje që e përcaktojnë fituesin janë shumë të vogla.
Për shkak të kësaj situate alarmuese, në dy ditët e fundit ka dalë në terren për me i ndihmu Kamalës, politikani më i popullarizuar në mesin e demokratëve, ish-Presidenti Barack Obama, duke i ftuar personat me ngjyrë që ta mbështesin Kamalen.
Vështirë është të thuhet se cili do te jetë ndikimi i Obamës në këtë fazë, kur kanë mbetl edhe rreth 3 javë deri ne ditën e zgjedhjeve.
Zakonisht njerëzit tashmë e kanë ndarë mendjen për voten e tyre.
Kamala Harris e kishte muajin e saj të mjaltit në korrik dhe gusht, por sa më shumë që po zgjatë fushata zgjedhore, aq më shumë po zbehet figura e saj.
Kamalës i mungon çdo gjë që i duhet një kandidati për t’u bërë president. Është e dobët në intervista, është e cekët në trajtimin e problemeve globale, kurse nuk duket që ka as vizion personal.
Duket si një kandidate e zorit, që e nxorën demokratët në minutat e fundit, me shpresën qe ua fiton garën, qe edhe ashtu e konsideronin të humbur me Bidenin.
E thatë ishte edhe Hillary Clinton, por Kamala është e pakrahesueshme në këtë department. Kurrkush nuk mban mend kurrgjë prej saj. Asaj i mungon kauza per t’u zgjedhur presidente, nuk ka sllogan, nuk ka rrëfim personal, nuk ka dramë familjare.
Kamala thjeshtë ka qejf me u bë presidente. Mirepo, po të ishte qejfi kushti më i rëndësishëm, asaj nuk do t’i vinte rendi.
Kolumnisti dhe shkrimtari konservativ, që shkruan per New York Times, David Brooks, shkruajti së fundmi se qysh zakonisht garën për president e fitojnë ata kandidatë qe doken të fortë, e jo ata kandidatë që doken perfekt.
Sipas tij amerikanët e dinë se çka po kërkon Donald Trump. Ai po kërkon me u kthy në Shtëpinë e Bardhë, prej ku do të kerkojë shkatërrimin e elitës që e ka tradhtu amerikanin mesatar.
Mirëpo - shkruan Brooks - kurrkush nuk e di se cili është pasioni i shpirtit të Kamala Harrisit.
Harris, po premton, që kur të zgjedhet, do të qeverisë mirë. Mirëpo kurrkush nuk zgjedhet kurrkund me këtë premtim.
Njerëzit janë të prirë me degju dikë qe jep drama për çdo ditë, e jo dikë që t’jep informata.
Sigurisht që ende nuk është kryer gara, kurse duket që shqiptarët në Amerikë me votën e tyre mund të kenë ndikim bukur të madh.
E kam shpjegu edhe herave të tjera, votat më të rëndësishme në Amerikl, janë votat e banorëve të Michiganit, Pensilvanise, Gjorgjise, Wisconsinit, Karolines se Veriut, Arizones dhe Nevades.
Këto janë shtete më të rëndësishme, sepse dy kandidatët janë shumë afër me vota. Shumë afër kanë qenë edhe para katër viteve, shume afër kanë qenë edhe para tetë viteve.
Prandaj quhen ‘swing states’, ose shtete ku qytetarët votojnë herë andej e herë këndej. Nëse rezultati i zgjedhjeve është, qysh është sot rezultati i sondazheve, Trump zgjedhet President.
Trump po prinë në sondazhe në katër prej këtyre shtatë shteteve, kurse Harris po prinë në Nevada, Michigan dhe Pensilvania.
Ne Pensilvani Kamala Harris po prinë me 1 përqind, kurse në Michigan me 3-4 përqind.
Kurse Trump po prinë në Wisconsin, Gjorgjia, North Karolina dhe Arizona.
Prej këtyre shteteve që janë në pikepyetje, më të rëndësishmet janë Pensilvania, që i ka 19 vota elektorale, Gjorgjia dhe Karolina e Veriut qe i kanë nga 16 vota dhe Michigeni i shqiptarëve që i ka 15 vota elektorale.
Sipas të dhënave që gjenden në internet, në Michigan jetojnë rreth 30 mijë shqiptare, kurse në vitin 2016 Trump e ka fituar Michiganin për vetëm 10 mijë vota.
Kjo do të thotë se ndikimi i disa mijëra votave të shqiptarëve mund të ketë impakt të jashtezakonshem.
Mund ta zgjedhë Presidentin e Amerikës.
Fotografia e ngjashme është edhe në Pensilvani. Edhe në këtë shtet, ne dy palë zgjedhjet e fundit presidenciale, rezultati ishte rreth 1 përqind dallim.
Para katër viteve, mesazhi që shqiptarët që jetojnë në Amerikë e morën nga Albin Kurti ka qenë kriminal. Doli publikisht dhe iu kërkoi atyre qe ta votojnë Bidenin për President.
Ne krejt e dimë rolin e Bidenit për çështjen shqiptare, ama dëmi qe iu bëhet shqiptarëve, kur një udhëheqës shteti bëhet partizan, është shumë i madh.
Kryeministri nuk është gazetar. Një gabim i tij iu kushton 2 milion njerëzve, kurse një gabim i një gazetari, i kushton veç gazetarit.
Pastaj ne krejt e pamë se çfarë raportesh pati Kurti me administratën Biden. Pak më te keq sesa që e kishte me administraten Trump.
Mirëpo unë nuk çuditem aspak, që Kurti ka me bë gabimin e njëjtë edhe kete here, kur gara është edhe më e ngushtë, e pasojat edhe më të mëdha, kurse fitimi, edhe nëse ia qëllon, nuk është kushedi se çka.
Unë personalisht, për herë të parë në jetën time, nëse kisha pasë të drejtë vote, kisha pasë dilema se kë do ta votoja.
Si qytetar i botës, ndoshta edhe më tutje kisha votu si demokrat, por si shqiptar do ta votoja Trumpin, në fakt jo Trumpin, por Richard Grenellin.
Në takimin e fundit që e kam pasë me të në Tiranë, në prezencë edhe të dy a tre personave të tjerë, Richard Grenell është zotuar që punën e parë që do ta bëj, kur të kthehet në administrate, do të jetë lirimi i Hashim Thaçit dhe personave të tjerë të arrestuar.
Krejt ju që jeni bë gati me sha, e kam një pyetje: A jeni te kënaqur me Chris Hillin?
Gjithashtu, kur Recep Taip Erdogan po ha darke e po argëtohet me Vuçiqin e Dodikun, kurrkush zërin e gojës s’po ua ndien.
Richard Grenell është i bindur që edhe me një mandat katër vjeçar të Trump, ai do ta zgjidhë në mënyrë paqësore problemin e Kosovës dhe atë të Serbisë - sigurisht duke e përkrahur një Kosovë të pavarur.
Prandaj, shqiptarët në Amerikë duhet ta votojnë Grenellin, pa u frikësuar që po e dëmtojnë Kosovën e Shqipërinë.