“Kryeministër, a mjaftojnë dy letra për Monin dhe Arbenin?” - heshtja e Kurtit dhe 2 vite pushtet për 2 letra si angazhim për drejtësi - NACIONALE

“Kryeministër, a mjaftojnë dy letra për Monin dhe Arbenin?” - heshtja e Kurtit dhe 2 vite pushtet për 2 letra si angazhim për drejtësi

3 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Është mesdita e së premtës. Jam në sheshin “Skënderbeu” pikërisht në vendin ku është pllaka përkujtimore për Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, të cilët saktësisht 16 vite më parë u vranë teksa protestonin kundër Planit të Ahtisarit, mbi bazën e të cilit, Kosova e shpalli pavarësinë një vit pasi ata u vranë.

Rreth meje janë gati e gjithë struktura drejtuese e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e kishte thirrur protestën më 10 shkurt të vitit 2007. Balaj dhe Xheladini i ishin bashkuar kësaj proteste si aktivistë të kësaj lëvizje, që më vonë do të bëhej edhe parti politike. Sot kjo parti politike ka 51% të votave dhe drejton Qeverinë me shumicën më të madhe që ka pasur një parti në 15 vitet e fundit.

Teksa të gjithë e presin njeriun kryesor të ngjarjes, kryeministrin Albin Kurti, unë tentoj të flas me disa ministra të kabinetit. Vetëm ai i Kulturës më përgjigjet. Kur e pyes ministrin Hajrullah Çeku ai më jep një përgjigje “homazh”.

Pyetja ime ishte e thjeshtë për të gjithë që takoja: Qysh e vlerësoni faktin që ende ska drejtësi për Monin dhe Arbenin?

“Drejtësia për Monin dhe Arbenin duhet me qenë preokupim për krejt neve, dhe angazhim i përbashkët. Megjithatë institucionet që duhet me vnu drejtësi në vend gëzojnë pavarësinë e tyre kushtetuese.” - më thotë ministri Çeku.

Teksa jemi në pritje të kryeministrit Kurti i cili është vonë nja 10 minuta edhe pse nga zyra e tij ka vetëëm 2 minuta ecje, unë tentoj të gjej deputetë e të tjerë figura të VV-së dhe të Qeverisë së Albin Kurtit që të kërkoj një përgjigje: Çka ka bërë shteti i Kosovës prej që ka ardhur Kurti për të zbardhur këtë rast?

Përgjigjet zyrtare janë dy: Ministria e Drejtësisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu, ka dërguar zyrtarisht dy letra, një herë para dy viteve i ishte drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë së Rumanisë, për të marrë detaje lidhur me procesin e hetimeve për vrasjen e dy protestuesve dhe tash së fundmi i janë drejtuar edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Nga Rumania nuk kanë kthyer përgjigje dhe nga OKB-ja pritet një e tillë, por duke marrë paraysh faktin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së.

Kur kryeministri mbërrin tek vendi ku po mbahej ngjarja, nisë edhe ceremonia e vendosjes së luleve në shenj homazhi. Më pas fjalën e merr Kurti. Ai thotë se me 10 shkurt 2007 në fakt ka nisur Vetëvendosja e vërtetë.

“Cila Vetëvendosje?” pyetem. Ajo e 2007-s? Apo kjo e sotme?

Ai zgjedhë të flas për “Zajdenicën” si kryefjalë e fjalimit të tij dhe nuk përmend askund për drejtësinë e munguar për vrasjen e dy aktivistëve të partisë së tij.

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithëandej nëse ia kanë vlejtë komunat mbi baza etnike, prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon asociacion të tyre. Si zajednicë komunash pat nisur edhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që mu këtë e don Serbia”, tha Kurti teksa menjëherë u nis drejt zyres së tij.

Unë i shkova prapa. Me një pyetje të vetme? A mjaftojnë dy letra të dërguara në dy institucione? Ai nuk më kthen përgjigje. Shiheni në video të gjithë situatën.

Pasi dështoi të marrë një përgjigje unë kthehem tek vendi i ngjarjes. Dua t’i gjejë ministren Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sfeçla. Ata kishin ikur nga aty. Por takoj deputetet e VV-së, Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli. Kur ato i pyes se a mjaftojnë dy letra për të kërkuar drejtësi për dy aktivistët, ato pajtohen që nuk është e mjaftueshme.

Shuaj shpresat se do të marrë ndonjë përgjigje konkrete. Ndoshta duhet të pres vitin tjetër. Përvojetorin e 17-të. Ndoshta do të pensionohem e drejtësi nuk do të ketë.

Çka ndodhi me 2007 dhe drejtësia e penguar nga UNMIK-u?

Mon Balaj, 26 vjeç dhe Arben Xheladini, 34 vjeç, u vranë nga oficerë policie të paidentifikuar që i përkisnin një njësie të policisë rumune që punonte për Kombet e Bashkuara në Kosovë si pjesë e misionit të OKB-së UNMIK .

Policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome kundër demonstruesve. Mon Balaj dhe Arben Xheladini vdiqën nga plagët e marra në kokë nga plumbat e gomës. Një hetim i brendshëm fajësoi për vdekjen oficerët e policisë rumunë "pa emër".

Në mars të vitit 2008, prindërit e Balajt dhe Xheladinit parashtruan ankesë kundër UNMIK-ut në Panelin Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut një institucion i UNMIK-ut.

UNMIK-u është përpjekur disa herë të pengojë trajtimin e rastit nga PKDNJ-ja, duke refuzuar të marrë pjesë në seancat dëgjimore publike. Përveç kësaj, derisa UNMIK-u u ofroi anëtarëve të familjes kompensim, në këmbim ata kërkuan pëlqimin e tyre për të ndaluar hetimin. Në tetor 2009, UNMIK-u prezantoi një rregull të ri për të parandaluar PKDNJ-në që të hetonte më tej ankesën. Qysh prej këtij momenti, drejtësia për dy akvitistë të VV-së nuk është vënë. Familjarët janë ende në pritje. Qe 16 vite nga vrasja dhe 2 vite pushtet të partisë të cilës i përkisnin.

Lajme të ngjashme