"Komunistët m'i vranë babain e axhën”:Pasardhësi i ish-zëvendëskryeministrit të Shqipërisë rrëfen jetën e tij
Qazim Agushi është në moshë të shtyrë. Megjithatë, kujtesa e tij ende punon si një “sahat i Zvicrës”. Rrëfimet e Agushit janë të mbushura plot me dhimbje e sakrificë. Në vërtetë, jeta e Agushit dhe familjes së tij është një kronikë shqiptare e luftës për të mbijetuar në kohë të trazuar politike të viteve të 40-a.
Përkundër se ishte në shënjestër të komunistëve në Shqipëri e ish-Jugosllavi, familja e Qazimit arriti të mbijetonte. Megjithatë, jo pa humbje. Qazimi mbeti jetim ende pa i mbushur një vit jetë, pasi komunistët në ish-Jugosllavi e pushkatuan babanë e tij.
Me një shqipe të mjaftueshme për të rrëfyer në mënyrë të thjeshtë, Qazimi tregon se babai dhe xhaxhai ishin pushkatuar nga komunistët. Xhaxhai i tij, Iljaz Agushi, ishte një politikan i njohur në vitet mes dy luftërave botërore, duke arritur në funksionin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Çka me bo, historia ka qenë kështu. 1943, axha, Ilaz Agushi, është vrarë në një atentat në Tiranë dhe baba më 1944, afër Taukbahçes është vrarë, bashkë me shokët” – tregon ai.
Në fakt, Agushi asnjëherë nuk arriti ta varroste babanë e tij, pasi komunistët e zhdukën edhe kufomën e njeriut që e pashkatuan. Agushi rrëfen se babai i tij është i zhdukur.
“Babai është i zhdukur. Nuk dihet ku është, vetëm afër Taukbahçes. Kemi qenë të pasur, kanë qenë të pasur, por ne ramë në zero. Ende kemi pasuri atje, por ende nuk e kemi marrë. Jo vetëm babanë tim, por edhe shokët e tij, i kanë marrë dhe i kanë pushkatuar. E kam listën këtu në telefon” – vazhdon rrëfimin Qazimi, i cili tregon se Kosova pas luftës e ka nderuar familjen e tij me ceremoni përkujtimore.
Pasardhësi i familjes Agushi tregon se ka imigruar para 64 vjetëve në Turqi, ndërsa vazhdon ta vizitojë Kosovën.
“Para 64 vjetëve kemi ardhur këtu, në Stamboll. Kam ardhur prej Prishtinës, në moshën 15-vjeçare. Gjysma e familjarëve këtu në Stamboll, gjysma tjetër në Tiranë e Kosovë. Para një muaji kam qenë në Kosovë. Më pëlqen (Kosova v.j.), është shumë e bukur” – thotë Qazimi.
Në pyetjen tonë se a i mungon Kosova, Qazimi rrëfeshëm përgjigjet: "Qysh jo”.
“Qysh jo, çdo vit, katër-pesë herë herë shkoj atje. Tash e kemi pasaportën e Kosovës, ma kollaj po shkojmë, e kam marrë para 15 viteve. Jam ndier kosovar, kur e kam marrë për herë të parë” – përfundon rrëfimin Qazimi.