“Janë të VV-së, jo të partisë sime” - qysh Mimoza Kusari “u distancua” nga disa deputetë të VV-së - NACIONALE

“Janë të VV-së, jo të partisë sime” - qysh Mimoza Kusari “u distancua” nga disa deputetë të VV-së

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Fillimisht, jam pak vonë me këtë tekst. Duhej ta shkruaja dje, mbrëmë, por nuk arrita. Atëherë, kështu është puna.

Dje isha në hotelin "Emerald” në dalje të Prishtinës, aty ku po mbahet “Java e Gruas”, aktivitet me të cilin synohet hapja e diskutimeve të ndryshme mbi pozitën e gruas në shoqëri, politikë, ekonomi e sfera të tjera. Megjithatë, kjo nuk ishte arsyeja përse shkova në atë ngjarje.

Ishte prania e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila ishte e ftuar në atë ngjarje në një panel diskutimi mbi rolin e gruas në zhvillimin ekonomik.

Unë me të pata të tjera muhabete. Ajo e drejton grupin më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, teksa është drejtuesja e partisë më të vogël në Kuvend, gjithashtu, partia “Alternativa”.

Si shefe e grupit parlamentar të deputetëve të shumicës, Kusari-Lila është pak edhe përgjegjëse për grupin e saj të deputetëve. Sidomos që të jenë të pranishëm në sallë e t'i votojnë ligjet me rëndësi për shtetin e shoqërinë, si Ligji për Shëndetin Riprodhues, i cili nuk u miratua në Kuvendin e Kosovës për një arsye morale të disa deputetëve. Kur them “morale”, u referohem atyre dhe deklaratave të tyre. Për më tepër, me arsye morale nënkuptohen edhe arsyet personale.

Nejse, paneli përfundoi dhe Mimoza Kusari-Lila po bënte një ritual të zakonshëm, fotografi me pjesmarrëse të ndryshme. Unë po e prisja në rend, jo për të bërë fotografi, por për t’ia bërë disa pyetje.

Çka do të bëjë ajo si shefe e grupit parlamentar me këtë grup të deputetëve që nuk votojnë ligje e nene të ligjeve që garantojnë barazi për të gjithë? Nëse nuk po kuptoni për çka po shkruaj, flas për grupin e deputetëve të cilët votojnë kundër martesave mes seksit të njëjtë dhe të cilët janë kundër lejimit të grave që të bëhen nëna pa qenë të martuara ose pa pasur një burrë.

Fillimisht, Kusari-Lila mundohet të më korrigjojë se numri i deputetëve që janë kundër martesave mes seksit të njëjtë është më i madh sesa i atyre që e kundërshtojnë shtatëzëninë jashtë martese, përmes fekondimit artifical.

Kur e pyes nëse ka diskutuar me grupin e deputetëve që tash për tash po i përfaqëson deputeti Eman Rrahmani, ajo më flet me një gjuhë e cila është tejet e mërzitshme dhe diplomatike. Sidoqoftë, ajo që arrita ta lexoja mes fjalëve të saj është se “ai grup i deputetëve do të qëndrojnë në VV, por edhe do të jenë kundër VV-së”.

Shkurt e shqip, i bie që grupi po dëshiron që të qëndrojë në VV duke qenë kundër politikave të VV-së sa u përket disa ligjeve e neve që i garantojnë liritë e të drejtat e njeriut.

Në të njëjtën kohë, vërej edhe një hollësi në gjuhën e Kusari-Lilës. Ajo, në një moment, kur këmbënguli në pyetjen se përse “po rri në VV grupi që po voton kundër politkave të tyre”, ajo gati u distancua nga ai grup. Më pas e pyes nëse do ta pranonte deputetin Eman Rrahmani në partinë e saj.

Lajme të ngjashme