I pyeta deputetët “sa anëtarë të familjes Jashari janë vrarë?”, asnjëri nuk më dha përgjigje të saktë
Deputetë të zgjedhur nga populli, ministra e kryetarë komunash u bënë bashkë në Kuvendin e Kosovës për një seancë solemne për të shënuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqenëse politikanët janë ata që përdorin më së shumti luftën e familjen Jashari, vendosa që t’ua bëjë një pyetje të thjeshtë: A e dini sa anëtarë të familjes Jashari janë vrarë gjatë tre ditëve të luftimeve 5, 6 dhe 7 mars 1998? Përgjigjet e tyre më shokuan.
Sheshi Skendërbeu:
Është ora 11:05. Edhe 55 minuta do të fillonte ceremonia solemne në Kuvendin e Kosovës për nder të Epopesë së UÇK-së. Gjendem përpara një baneri të vendosur nga Komuna e Prishtinës, e që është një formë e nderimit të kësaj Epopeje. Meqenëse një bust ose shtatore e Adem Jasharit mungon. Tek ai baner, janë emrat anëtarëve të familjes Jashari që janë vrarë me 7 mars 1998.
Pas kësaj, nisem drejt hyrjes së Kuvendit të Kosovës. Kanë mbetur edhe 40 minuta derisa seanca solemne të fillojë. Deputetë të ndryshëm kanë filluar të vijnë në objektin e Kuvendit.
I pari nga ta është deputeti i VV-së, Gani Krasniqi. Duke paragjykuar se ai mund ta dijë përgjigjen e pyetjes sime, vendosem t’i drejtohem me një tjetër pyetje: “A mendoni se është marre (turp) mos me ditë deputetët sa anëtarë të Familjes Jashari janë vrarë?”
“Pyeti ata që nuk kanë qenë në luftë,” - më sugjeron z. Krasniqi, teksa më mban ligjëratë mbi të drejtën time për të pyetur.
“Është pak marre me bo këtë pyetje,” -- më thotë deputeti, por përgjigjet e kolegëve të tij, argumentojnë se pyetja nuk është për marre.
Qysh më pengoi Policia?
Derisa prisja të tjerë deputetë për t’i pyetur, një polic civil më ofrohet dhe më thotë se nuk bën t’i pyes deputetët tek hyrja.
“Është ceremoni solemne dhe nuk bën me e pengu deputetin,” - më thotë polici që edhe më tregon pozitën e tij prej rreshteri.
Unë refuzoj fillimisht që të ndjek urdhërat e tij, por më vonë, ai përdor pushtetin e tij prej polici dhe më kërkon një mjet identifikimi.
Në ndërkohë aty vjen edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Asaj nuk i lejohet të parkohet tek vendi i zakonshëm. Ajo vendos që ta komentojë këtë situatë duke e dhënë një përshkrim.
“Mua nuk më lënë të parkoj, ty nuk të lëjnë të incizosh, kjo është diktakturë,” - thotë Musliu duke qeshur ndërsa unë vazhdoj ta pyes nëse është “marre për deputetët që mos ta dijnë numrin e anëtarëve të vrarë nga familja Jashari”.
“Duhet me ditë edhe fëmija në klasën e parë,” thotë deputetja Musliu por nuk jep përgjigje.
Në këtë pikë, polici ose rreshteri e humb durimin me mua. Më kërkon të identifikohem. Nën përcjelljen e tij shkojmë tek hyrja tjetër e Kuvendit. Aty flasim me zyrtarët e Kuvendit, dhe polici kupton se nuk kishte të drejtë të më pengonte. Tek hyrja tjetër e Kuvendit e Kosovës, e takoj deputetin e LDK-së, Kujtim Shalën. Ai refuzon të më përgjigjet.
Ora 11:40, edhe 20 minuta deri tek nisja e seancës. Duke respektuar ceremoninë solemne dhe rregullat protokollare, vendosa që të futem në hollin e Kuvendit. Por aty nuk mund t’i shkoj prapa deputetëve.
Megjithatë pyetjen mund ta bëja. Në Kuvend arrin edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“58 janë,” - më thotë Rama. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra me gisht tregon se nuk është e saktë si përgjigje.
Deputeti tjetër që arrin aty është Xhavit Haliti nga PDK-ja. Ai pasi dëgjon pyetjen ka një koment por nuk jep përgjigje.
“A ju jeni dalë me na marrë në pyetje a?”, më thotë Haliti, teksa pas tij vjen deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. Ai e thotë një shifër për numrin e të varrosurve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” por kur e pyes nëse e di numrin e anëtarëve të familjes Jashari, ai më jep një përgjigje patriotike.
“Krejt janë familje Jashari, krej janë Kosovë, sikur atë ditë, sikur sot. Fatkeqësisht numri është ndoshta simbolikë,” - thotë Zemaj.
Ndërsa shefi i ushtrisë, minsitri i Mbrotjtjes, Armend Meha, nuk më jep një përgjigje me numra. Më premton se do të dalë në një konferencë për gazetarë pasi të kryhet ceremonia. Unë normalisht nuk e pres atë konferencë.
Deputeti tjetër është Gazmend Gjyshinca, i VV-së. Sipas tij janë 57 të familjes Jashari që janë vrarë, teksa kolegia e saj Time Kadrijaj jep numrin 50. Asnjëri se kanë të saktë.
Përgjigje nuk marrë as nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila pasi dëgjon pyetjen vazhdon shkallëve të Kuvendit. Njëjtë vepron edhe deputeti i VV-së, Enver Haliti.
Një përgjigje tenton ta japë deputeti tjetër i VV-së, Dimal Basha. Ai e thotë gabim numrin e përgjithshëm të atyre që janë të varrosur në Kompleksin Memorial në Prekaz, ndërsa kur e pyes për numrin e familjarëve të familjes Jashari ai fillon të përmend emra.
“E di Adilen, nanen Zahide, baci Shaban…”, thotë deputeti Basha ndërsa ia huq kur flet për numrin e familjarëve duke thënë se janë 29.
Fakti që nuk kam marrë asnjë përgjigje të saktë nga asnjë deputet më bëri që të marrë një vendim. Të mos e përcjelli fare seancën solemne. Për të parë të gjitha përgjigjet, klikoni në video.