Greva e komunës prek edhe foshnjat, 500 të sapolindura mbeten pa u regjistruar në Prishtinë
Mbi 500 foshnje të posalindura në Klinikën e Gjinekologjisë në kryeqytet, kanë mbetur pa u regjistruar, si pasojë e grevës e cila po mbahet që nga data 25 e muajit gusht. Prindërit po ankohen se nuk mund t’i marrin shtesat e foshnjeve të tyre, sa do të vogla qe janë. Ndërsa Komuna e Prishtinës thotë se stafi i tyre është në greva, duke mos bërë regjistrimin e foshnjave.
Familja Sopjani, janë bërë prindër për herë të parë, ku lindjen nëna e ka përfunduar në këtë klinikë. E para se nëna ta lëshojë spitalin, shkoi ta përfundojë edhe procedurën e fundit, që duhet bërë - regjistrimin e foshnjës.
Por, me t’u afruar në zyrën përkatëse, kuptuan se një gjë të tillë, e kanë të pamundur, pasi që stafi administrativ, i cili është në kuadër të komunës së Prishtinës, janë në grevë.
Ky mosregjistrim, sipas familjarëve do t’ju sjellë punë shtesë, por më e rëndësishmja sipas tyre, është se nuk do të mund t’i marrin shtesat e foshnjes.
“Del punë shtesë me shku nëpër komuna , dalin 100 telashe për shkak të grevës. Është mangësi që nuk mundet me i marrë shtesat për foshnjën, nëna, edhe pse sado të vogla që janë, është një ndihmë e vogël për prind, të cilët janë me të ardhura të vogla”, tha kryefamiljari Astrit Sopjani.
Greva lë foshnjat pa regjistrim
E drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj thotë se nga koha e grevës, në repartin e tyre kanë lindur rreth 500 foshnje. Ai shton se reparti i kësaj klinike, ka kryer fletëlëshimet të cilat duhen për regjistrim, e puna tjetër është në kompetencë të komunës.
“Në klinikën Obstetrike Gjinekologjike në tri javët e fundit janë kryer 475 lindje. Prej tyre me prerje cezarine 188. Ne e kemi pjesën tonë të cilën e kryejmë dhe nuk kemi vërejtje e ankesa. Për regjistrimin civil është kompetentë komuna e Prishtinës” tha Zef Ndrejaj, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë.
“S’është urgjencë”
Drejtori i Administratës, në komunën e Prishtinës, Bersant Beka për gazetën, thotë se në fillim të grevës, grevistët e komunës, regjistronin foshnjet e porsalindura.
Por pas takimit të Sindikatave me kryeministrin, ka ndryshuar edhe çasja e grevistëve.
“Ditëve të kaluara kemi gjetur mirëkuptim nga sindikata e Komunës, ku mund të lëshonim dokumente të cilat nevojiteshin për qytetarët, siç është në këtë rast edhe regjistrimi i fëmijëve. Por tash ka ndërruar dhe Sindikata ka marrë vendim që të ndalohet edhe regjistrimi i fëmijëve, pasi që sipas tyre nuk është më urgjencë”, tha Bresant Beka, drejtor i Administratës në komunën e Prishtinës.
Tutje, drejtori i Administratës, Beka, thotë se ky problem i prindërve, që nuk mund t’i marrin shtesat e foshnjeve të porsalindura, nuk është kompetencë e komunës, por e sindikatave dhe Qeverisë, që nuk po gjejnë kompromis.
Gazeta ka kontaktuar edhe me Qeverinë e Kosovës, për të kuptuar nëse do të gjejnë ndonjë zgjidhje për shtesat e foshnjeve, por të njejtit kanë qenë të paqasshëm.
Greva nga Sindikatat ka filluar që nga data 25 e muajit gusht, e si pasojë e kësaj, qytetarët po e vuajnë me mosmarrjen e shërbimeve që iu duhen.