“Gramatika e vështirë”: Shqiptarët e Stambollit e ndjekin kursin e shqipes që rrezikon të mbyllet
Janë qindra mijëra shqiptarë që kanë emigruar gjatë shekullit të 20-të në Turqi. Duke qenë nën trysninë serbe e dhunës komuniste, mijëra familje shqiptare nga Kosova e Maqedonia e Veriut zgjodhën Turqinë si destinacion për të emigruar për një jetë më të mirë e larg dhunës.
Përkundër që kanë kaluar dhjetëra vite nga eksodi i madh i shqiptarëve drejte Turqisë, ata janë përpjekur e madje ende përpiqen të gjallojnë identitetin e tyre kombëtar.
Në një lagje të vogël të Stambollit, të quajtur Esenler, janë mbledhur disa shqiptarë, shumica më në moshë. Synimi i tyre i përbashkët është mësimi i gjuhës shqipe. Ata janë të ndarë në dy grupe, ndërsa mësimi zhvillohet gjatë të martes dhe të premtes.
Në krye të klasës qëndron mësuesi Qamil Bytyqi, një shqiptar i emigruar nga Prishtina, që njihet për aktivitetin e tij patriotik gjatë viteve 90-ta në Turqi, por edhe pas luftës së fundit në Kosovë.
Atmosfera gjatë zhvillimi të kursit është absolutisht gazmore, ndërsa ata janë të gëzuar që një medium nga Kosova është interesuar për diasporën shqiptare në Turqi.
Natyrisht, shumica dërrmuese e nxënësve kanë probleme me gramatikën e gjuhës shqipe. “Gramatika është shumë e vështirë” – është fjali që i përshkruan më së miri ankesat dhe sfidat gjatë të nxënit të shqipes.
Një kursante e grupit tregon se në familjen e saj flitej ngapak shqip, ndërsa sa ishte e re e kishte mirëmbajtur shqipen duke bashkëbiseduar me mysafirët e shumtë nga Kosova.
Një kursant tjetër, me profesion mjek, që foli në gjuhën turke, e shpjegoi dëshirën e tij që një ditë t’i trajnojë mjekët e rinj të Kosovës.
“Krejt pa pare” – më thotë mjeku shqiptar nga Turqia, kur e pyes nëse trajnimet për ngritjen e kapaciteteve do të jenë me apo pa pagesë.