Fushata e Kurtit: Bojkot, sulm, pengim i punës së mediave
Fushata e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë këtyre dy javëve të para, është karakterizuar me gjuhë të urrejtjes ndaj atyre që mendojnë ndryshe e guxojnë t’i kritikojnë. Siç u tha edhe në një raport të DnV-së të publikuar të shtunën, kjo parti ka bërë më së shumti nxitje. Fushatën që e nisën me bojkot ndaj mediave, e vazhduan edhe me pengim të punës së tyre.
Qysh në fillim të fushatës, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se do t’i bojktojë tri televizionet më të mëdha në vend gjatë fushatës zgjedhore, duke refuzuar kështu përballjen në to.
Mes shumë reagimeve, partia në pushtet do të merrte një letër nga 13 organizata për Lirinë e Mediave në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. VV do ta arsyetonte bojkotin me pretendimet se debatet në këto tri media, përmbajnë “gjuhë toksike, fyerje dhe akuza të pabaza”.
“Megjithatë, gjuha toksike, fyerjet e shpeshta dhe akuzat e pabaza që mbizotërojnë në këto tre studio, së bashku me raportimet e njëanshme dhe jo objektive, nuk arrijnë të ofrojnë një platformë të drejtë për partinë tonë për të paraqitur planet dhe synimet e saj të fushatës”.
Kurti: Gazetarët janë rrenca
Sulmet e partisë në pushtet, në krye me Albin Kurtin, atë që secili aktivist e merr si shembull, do të vazhdonin edhe më tutje gjatë fushatës.
Gjatë një takimi me qytetarë, Kurti kishte deklaruar se “gazetarët janë rrenca”.
“Sa i përket çka dëgjoni, e di që nuk e keni kollaj. Kurrë ma vështirë me i ngu lajmet në Kosovë nuk ka qenë. A e dini pse? Jo për shkak se ka lajme të rrejshme, por për shkak se nuk janë lajme hiç…”
“Epo të ju them të drejtën, nëse dikush rren niherë, unë gati jam për me e falë, vec nëse ma përsëritë rrënën është rrenc. Përsëritja e rrenës të bën rrenc. Me rrejtë ni herë jo domosdoshmërisht je rrenc, se mundesh me qenë i keqinformumë, por me përsëritë rrenën. Kështu që kurrë ma shumë rrenca se tash nëpër portale e nëpër studio televizive s’ka pasë" – kishte thënë ai, transmeton Nacionale.
Kurti: Mediat janë të parëndësishme
Kurti vazhdoi sulmet ndaj mediave edhe këtë të premte, gjatë një tubimi zgjedhor në Kamenicë. Ai atje u tha qytetarëve se mediat janë të parëndësishme.
“E, këto partitë opozitare me keqardhje e them se moti janë bërë si mallra që shiten e blihen, por kësaj radhe edhe iu ka skaduar afati. E tash, shumë njerëz, portale oligarkësh rrotull tyre, po na sulmojnë e po na akuzojnë, me shpifje nga më të ndryshmet, thjesht të dashur qytetarë, disa njerëz nuk po mund të pajtohen me faktin se nuk po ka kurrfarë rëndësie, ama bash kurrfarë rëndësie se çka thonë ata” – tha fillimisht ai.
“Sa më parë që e kuptojmë parëndësinë e vetës, i shtojnë rëndësi vetës për të ardhmen. Mirëpo është e qartë që sulmet e akuzat e tyre me përmbajtje shpifje janë dëshmi për neve, se ende nuk janë vetdijesuar e ndërgjegjësuar për parëndësinë e tyre” – shtoi kryetari i Vetëvendosjes, transmeton Nacionale.
VV pengon ekipin e Nacionales në Malishevë
Gazetarja e Nacionales, Besarta Hoti dhe kameramani Kushtrim Zenuni, u penguin të shtunën derisa po raportonin nga një tubim i Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë
Gjatë mbulimit të këtij tubimi, zyrtarë të VV-së i janë drejtuar me pyetjet “Çka keni lyp me ardh këtu?”, madje gazetares i kanë thënë “Ju jeni ma zi se të Serbisë”, gjë që ka nxitur shumë reagime.