"E ka shitë tokën për me ble armën": Rrëfimi i djalit për heroin Osman Geci, dajë i Adem e Hamëz Jasharit
Kulla e tij në Llaushë të Skënderajt, qendër kryesore e Drenicës, është ende e shkatërruar që nga lufta. Megjithatë, historia e Osman Gecit, i njohur gjerësisht si daja Osman, është e gjallë. Osman Geci është emër i njohur i luftës së fundit çlirimtare në Kosovë. Në shumë video, Geci shihet në kullën e familjes Jashari, me të cilët kishte edhe lidhje familjare.
Duke qenë dajë i Adem e Hamëz Jasharit, Geci ishte shpesh në mesin e tyre. Madje, nipi i tij, heroi Hamëz Jashari, në shumë raste ia dërgonte gazetat e mbledhura dajës së tij, që ishte një formë e qëndrimit të informuar për rrjedhat e kohës.
Në një rrëfim ekskluziv për Nacionalen, djali i Osman Gecit, Shabani, tregon për jetën gjatë viteve të 90-a e deri në rënien heroike të babait të tij gjatë Epopesë së UÇK-së, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, që e shënon sulmin e Serbisë mbi familjen Jashari.
“Ndihem krenar që jam djali i Osman Gecit, kemi pasur nëj babë të tillë që e ka pasur fatin ta ndajë jetën bashkë me nipat, me motrën, me dhëndrin Shaban Jashari… Ka qenë një person që kur është rrokë fjala për atdheun, nuk ka kursy asgjë” – e nis rrëfimin e gjatë e me plot emocione Shabani.
Në rrëfimin e Shabanit vërehet një dert gjithnjë i pranishëm i dajës Osman, ai i çlirimit të Kosovës nga Serbia.
“Ka folë veç për policinë serbe, qysh me ua mbushë sofrën barut që të largohen nga këtu se s’kanë vend këtu. Si me nipat, si me kusherinjtë, çdo herë ka bo thirrje që mos të shpenzohen paratë kot nëpër biznese, nëpër pallate të mëdha, por bleni armë se ajo do ta sjellë lirinë e këtij vendi” – vazhdon Shabani, që ishte pjesë e UÇK-së, ndërsa pas lufte ishte oficer i TMK-së.
Sigurisht, përveç vullnetit e kauzës, lufta kërkon edhe armatim. Shabani tregon se si armatosej familja e tij gjatë viteve të 90-a, që shënon një sakrificë të pasurisë personale për çështje kombëtare.
“Ka pasë zgjedhje, plaku ka pasë tokë, për fat të mirë. Nuk na ka lanë neve keq, por edhe është armatosur. E ka shitë arën, e ka shitë tokën për me u armatosë” – tha ai.
Në rrëfimin e gjatë, Shabani ka treguar edhe për ditët e Epopesë së UÇK-së, kur ra heroikisht edhe baba i tij, daja Osman. Shabani e rrëfen momentin kur kuptoi se babai i tij ishte pjesë e qëndresës së familjes Jashari.
“E kam pa ratë në oborr të familjes së Ademit, pushkën sa ja mbërrin dora larg, mazrekën te kamtë, automatin që e ka ble tu e shitë tokën, e ka pasë te dora e djathtë lart, edhe ka qenë ratë me ato teshat që i ka pasë” – thotë Shaban Geci, ndërsa i mbushen sytë me lot, kur e kujton rënien e familjarëve të tij në luftën e fundit.