E hodhi në mbeturina plisin dhe flamurin kuq e zi, lirohet nga akuza profesori i anglishtes
Profesori i anglishtes, Muhamed Hajredinaj, është liruar nga aktakuza për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Vendimi u dha sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin Special.
Hajredinaj akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishte hedhur në mbeturina plisin dhe flamurin kombëtar kuq e zi.
Ngjarja kishte ndodhur më 27 nëntor 2024, në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, derisa profesori kishte shkuar në klasën VI-4 për të mbajtur orën e gjuhës angleze.
Aty, ai kishte hedhur në mbeturina plisin dhe flamurin kuq e zi, veprim ky që, sipas aktakuzës së prokurorisë, ishte kryer pavarësisht kundërshtimit nga nxënësit.
Po ashtu, profesori Hajredinaj akuzohej se në të njëjtën klasë kishte përjashtuar nga ora një nxënëse 11-vjeçare, e cila kishte të veshura rroba me simbole kombëtare.
Sipas Prokurorisë Speciale, Hajredinaj kishte kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, nga neni 141 paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 3 të Kodit Penal të Kosovës.
Mirëpo, nga kjo vepër ai u lirua sot. Kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska, dha edhe arsyetimin e këtij aktgjykimi.
“Gjykata u mbështet në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, me theks të veçantë në dëshmitë e dëshmitarëve Fatos Berisha dhe Margareta Shabani, si dhe në mbrojtjen e dhënë nga i pandehuri Muhamed Hajredinaj, të cilat kanë dhënë shpjegime të detajuara lidhur me ngjarjen e përshkruar në dispozitivin e këtij aktgjykimi. Trupi gjykues, gjatë këshillimit dhe votimit, ka analizuar në mënyrë të veçantë aspektin subjektiv të veprimeve të të pandehurit, në kontekst të veprës penale që i vihej në barrë. Meqenëse veprimet objektive, përkatësisht ekzistenca e ngjarjes, nuk u mohuan as nga vetë i pandehuri, gjykata vlerësoi se ai nuk ka pasur për qëllim nxitjen e urrejtjes apo mosdurimit kombëtar ose fetar, por se veprimet e tij kanë rrjedhur si reagim ndaj një situate të tensionuar në klasë mes mësimdhënësit dhe nxënësve.” - ka thënë, ndër të tjera, gjyqtari Përlaska.